Cilësi, shpejtësi dhe kosto e ulët, e vetmja strategji që funksionon - Business Magazine Albania

Cilësi, shpejtësi dhe kosto e ulët, e vetmja strategji që funksionon

Prej kohësh në botën e zhvillimit të softuerit dhe menaxhimit të projekteve qarkullon një aksiomë klasike, “Shpejt, mirë ose lirë, zgjidh vetëm dy.” Kjo ide, e njohur si “Trekëndëshi i hekurt” i projektit, ka qenë një lloj udhërrëfyesi për profesionistët që përpiqen të balancojnë tre elementët themelorë të zhvillimit, cilësinë, kohën dhe koston. Por në një treg që ndryshon çdo ditë dhe ku inovacioni është gjithçka, gjithnjë e më shumë njerëz po sfidojnë këtë model të kufizuar, duke treguar se po, është e mundur të arrish një produkt të shpejtë, të mirë dhe të lirë, nëse ndjek qasjen e duhur.

Lexo gjithashtu: Si ta njohësh vlerën tënde në punë? Mësimi që Shaq na jep të gjithëve

Kjo “treshe e pamundur” prej kohësh ka funksionuar si një metaforë për zgjedhje të vështira. Nëse e do produktin të mirë dhe të lirë, përgatitu të presësh gjatë. Nëse e do shpejt dhe mirë, do të të kushtojë. Dhe nëse e do shpejt dhe lirë, ndoshta nuk do jetë aq cilësor sa duhet. Por realiteti është më kompleks se kaq. Në praktikë, përpjekja për të kontrolluar këto tre vlera shpesh çon në ndërlikime dhe rezultate të kundërta nga ato që priten. Dhe është pikërisht këtu ku futet në lojë metoda lean.

Sipas Rafawl Van Coppenolle, drejtor produkti në Nexapp, përqafimi i verbër i këtij trekëndëshi mund të dëmtojë produktin. “Nëse pret shumë nga buxheti, koha ose përmbajtja, cenohet integriteti i produktit,” shpjegon ai. Rruga nuk është thjesht në ndarjen e prioriteteve, por në fleksibilitet dhe komunikim të qartë që vendos pritshmëri të shëndosha që nga fillimi.

Për shembull, të zhvillosh diçka shpejt dhe lirë do të thotë zakonisht të sakrifikosh cilësinë. Krijohet një prototip i pranueshëm, nis marrja e reagimeve, por rreziku është që konsumatorët të zhgënjehen nga përvoja e parë. Dhe siç thotë Salome Mikadze, bashkëthemeluese e Movadex, “përdoruesit nuk harrojnë përvojën e pare, nëse është e keqe, nuk ka kthim mbrapa.”

Lexo gjithashtu: Punonjës më të lumtur, kosto më të ulëta! Apo thjesht një iluzion?

Nga ana tjetër, nëse përpiqesh të zhvillosh diçka të mirë dhe lirë, përgatitu për një rrugë të gjatë. Mund të arrish cilësi pa shpenzime të mëdha, por procesi do të jetë i ngadaltë, dhe në një treg që kërkon reagim të shpejtë, kjo mund të jetë një dobësi fatale. Madje edhe kur përpiqesh të zhvillosh diçka të mirë dhe shpejt, çmimi i lartë shpesh rezulton në dështim, jo për shkak të kostos, por për shkak të kompleksitetit që sjellin burimet e shumta në një ekip. Thjesht, më shumë njerëz nuk do të thotë gjithmonë më shpejt, ndonjëherë do të thotë më ngadalë dhe më konfuz.

Kjo është arsyeja pse shumë sipërmarrës dhe zhvillues produktesh po shikojnë përtej trekëndëshit tradicional, drejt qasjes lean, një metodologji që përqafon gabimin, thjeshtësinë dhe mësimin e vazhdueshëm. Lean Startup, koncept i zhvilluar nga Eric Ries, e sheh produktin jo si një përfundim të përkryer, por si një hipotezë për t’u testuar. Dhe testimi fillon që në ditën e parë, me krijimin e një MVP-je, Minimum Viable Product, që nuk është perfekt, por është i mjaftueshëm për të nisur mësimin.

Mësimi është i qartë, trekëndëshi i hekurt mund të jetë një model i mirë për të nisur diskutimin, por nuk është ligj i pandryshueshëm. Nëse di të dëgjosh tregun dhe vepron me zgjuarsi, mund të ndërtosh një produkt që është i mirë, i shpejtë dhe i lirë. Gjithçka që duhet është një mendësi e hapur, një qasje lean dhe guximi për të sfiduar “rregullat”.

business.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0