Çfarë ndodh nëse futet TVSH për shërbimet financiare në Shqipëri? - Business Magazine Albania

Çfarë ndodh nëse futet TVSH për shërbimet financiare në Shqipëri?


 

Shkruar nga Eduard Gjokutaj, Altax

Futja e Tatimit mbi vlerën e Shtuar (TVSH) do të ketë një ndikim të thellë në sektorin e shërbimeve financiare në Shqipëri, në qoftë se ligjvënësit do të mendojnë për këtë sektor si një horizont i ri për të hyrat buxhetore, por dhe me një ndikim ekonomik të gjerë. Shërbimet financiare konsumohen nga pothuajse të gjithë individët dhe bizneset në Shqipëri.

Duke pasur parasysh këtë përhapje, bizneset që kryejnë shërbime financiare do ta mbledhin TVSH-në nga konsumatori final (fundor), ndaj të cilit do të imponohet një taksë e tillë. Sektori i shërbimeve financiare në Shqipëri është duke kaluar nëpër ndryshime të rëndësishme rregullatore, me një vijimësi të hapave drejt avancimit të liberalizimit të normës së interesit.

Për më tepër, përqindja e të ardhurave bruto nga të ardhurat jo nga interesi vazhdojnë të rriten, duke reflektuar diversitet më të madh dhe një rritje të sofistikimit të sektorit të shërbimeve financiare. Reforma TVSH-së do të duhet të kujdeset për ndikimin afatgjatë të këtyre ndryshimeve rregullatore dhe komerciale.

Në vitet e fundit, vende të tilla si Australia dhe Afrika e Jugut kanë përshtatur sisteme modernë të TVSH. Ata ndryshojnë nga sistemi BE-në, pasi ata kërkojnë të aplikojnë TVSH-në mbi një bazë më të gjerë të shërbimeve. Me kalimin e kohës, këto sisteme moderne të TVSH kanë kërkuar gjithnjë përfshirjen e më shumë shërbimeve financiare në TVSH.

Zbatimi i TVSH-së në shërbimet financiare është refuzuar historikisht nga politika për shkak të disa argumenteve që mbështeten kundër TVSH-së në sektorin financiar. Parimi i përjashtimit të shërbimeve financiare nga TVSH është zbatuar në mënyrë konsistente në të gjithë Bashkimin Evropian, i cili është origjina nga rrjedh TVSH prej mbi gjashtë dekadash.

Megjithatë, me kalimin e kohës, bankat kanë lobuar gjithnjë e më shumë në nivel ndërkombëtar që të jenë pjesë e TVSH shumë nga shërbimet e tyre financiare në vend të preferencës për përjashtime nga politikanët.

Për hir të së vërtetës, shumica e vendeve i përjashtojnë shërbimet financiare nga TVSH-ja bazuar në dy parime kryesore:

  1. Vështirësia në matjen e vlerës së shtuar të shërbimeve financiare mbi një bazë zinxhiri të transaksioneve.Për shembull, kur një individ depoziton një sasi prej 100.000 lekësh në një bankë dhe paguhet me 2 për qind normë interesi në vit, banka nuk jep të njëjtën shumë të caktuar për një huamarrës të themi me 5 për qind në vit interes, po për të njëjtën periudhë kohe. Në praktikë, 3 për qind vlerë e shtuar nga banka në këmbim të shërbimeve të saj për secilin nga huamarrësit dhe depozitë mbajtësit nuk mund të matet bazuar mbi bazën e transaksionit të kryer.
  2. Shërbimet financiare lehtësojnë blerjen dhe shitjen e mallrave dhe shërbimeve.Dhënia e një përjashtimi nga TVSH-ja njeh faktin se kreditimi dhe mbajtja e depozitave janë thjesht mjetet me të cilat bizneset dhe individët financojnë aktivitetet e konsumit. Kjo do të thotë, kreditim për të lehtësuar blerjen e hershme të mallrave ose shërbimeve mbi të cilat TVSH-ja aplikohet dhe depozitim për të lehtësuar blerjen e shtyrë të mallrave dhe shërbimeve mbi të cilat aplikohet më pas TVSH-ja.

Derisa kjo mund të duket e kundërta e rezultatit të pritshëm nga kuptimi që kemi të gjithë për TVSH, në fakt ka arsye të rëndësishme për përjashtimin nga TVSH për shërbimet financiare:

  • Me një përjashtim të TVSH-së, banka trajtohet efektivisht si konsumatori final/i fundit për qëllime të TVSH-së, që do të thotë se ata nuk munden të kërkojnë dot kreditimin e TVSH në shpenzimet e tyre. Si pasojë, TVSH-ja në shpenzimet e tyre është përfshirë, si pjesë e strukturës së kostos.
  • TVSH-ja është një tatim, i cili mblidhet nga ofruesi i shërbimit, por ka për qëllim që të kalojë te konsumatori i fundit. Kur një bankë vendos një tarifë apo ofron një shërbim, i cili është subjekt i TVSH-së, ajo e ka më të mundshme për të kaluar TVSH-në për marrësin e shërbimit, kur ajo zbatohet në mënyrë të qartë e transparente.
  • Kur një bankë ofron një shërbim financiar te një konsumator, i cili është tatimpagues i TVSH, ky biznes është zakonisht në gjendje për të kërkuar kreditimin e TVSH-së për shërbimin e blerë nga banka. Megjithatë, në situatën kur zbatohet përjashtim i TVSH-së, ajo i bashkëlidhet zinxhirit të furnizimit dhe vepron si një kosto shtesë e panevojshme për biznesin.

Por, si mund të përgatitet modeli i tranzicionit të shërbimeve financiare në skemën e TVSH-së?

Ka shumë hapa të prekshme dhe pyetje që bizneset që furnizojnë shërbime financiare duhet t’i marrin parasysh kur përgatiten për reforma.

Së pari, duhet të identifikohen ato pjesë të biznesit në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të ndikuar nga reformat e TVSH-së. Kjo do të përfshijë një karakterizim proces pas procesi, si dhe një analizë të vendndodhjes së flukseve të shërbimeve dhe të ardhurave nga këto shërbime, e ndjekur nga një analizë hap pas hapi të shpenzimeve nga blerjet e shërbimeve.

Së dyti, është i rëndësishëm shqyrtimi i ndikimi të procesit të reformës mbi modelin e biznesit.

Si hap i tretë, duhet të jetë analiza e ndikimit të reformave të propozuara ndaj tarifave, si dhe pagesat që biznesi do të vendosë si rrjedhojë e tyre. A do ta ketë fuqinë ligjore dhe komerciale biznesi për të negociuar që të sigurojë se çdo ulje në çmim do të zbritet nga furnizuesit? Si do të ndikohen tarifat dhe pagesat për shërbime? Deri në ç’masë ekzistojnë pagesat ndër-kufitare dhe si  do të menaxhohen ato? Do ndikojë TVSH konsumatorët individualë në të njëjtën mënyrë, ashtu si ndikon bizneset? A do të ketë mbingarkesë çmimi te bizneset/ dhe favorizim te individët dhe anasjelltas si pasojë e ndikimit të TVSH-së?
Lexo: Konfindustria kërkon taksë Zero për fitimet e pronarëve

SË katërti, duhet të kontrollohet nëse biznesi është duke lidhur kontrata, të cilat potencialisht duhet të përfshijnë efektin e reformave. Nëse është kështu, a ka dispozita kontraktuale brenda atyre kontratave, të cilat do të lejojnë ndikimin e një takse të re për ta aplikuar mbi klientët e bankave? Nëse biznesi është duke lidhur kontrata për blerjen e mallrave dhe shërbimeve, a mundet kontrata ti lejojë furnizuesit për të kaluar ndikimin e ndonjë ndryshimi të normave tatimore që rrjedhin nga reformat? Po në lidhje me kontratat ekzistuese?

SË pesti, ka një nevojë për të verifikuar, nëse IT dhe sistemet e kontabilitetit përshtaten në mënyrë adekuate me aplikimin e një takse të re. A ato të mundet të njihet TVSH kreditore dhe kërkesa për rimbursim të TVSH-së për blerjet që bën biznesi? A mundet të përdorë biznesi kodet e taksave, të cilat janë të përshtatshme për një TVSH me disa shkallë? A mundet të ketë lidhje mes sistemeve të kontabilitetit që mban biznesi dhe sistemit informatik tatimor?

SË gjashti, duhet të merret në konsideratë niveli që biznesi do të duhet të shtyjë per blerjet e aktiveve afatgjata materiale për t’i kualifikuar si të vlefshme për të kredituar TVSH-në e tyre. Tatimpaguesit, të cilët aktualisht i nënshtrohen regjimit të përjashtimit nga TVSH nuk janë në gjendje për të kërkuar kreditim të saj për aktivet afatgjata materiale të përdorura në biznesin e tyre.

Hapi i shtatë, ka të bëjë me identifikimin e nevojave të faturimit dhe sistemeve të regjistrave të qarkullimit të parasë, si dhe kontrolleve të brendshme. Do të dojë biznesi të jetë në gjendje për të marrë pajisjet dhe informacionin e nevojshëm për të lëshuar fatura të veçanta TVSH për secilën degë, dhe nëse po, çfarë kontrollesh duhen për të vënë në vend çështjen e faturave të veçanta të TVSH-së?

Si një hap i tetë, duhet shqyrtuar se si do të preket nga reformat pozicioni i qarkullimit të parasë. Si do të sigurohet biznesi, se ai pranon pagesat nga konsumatorët para se të jetë e nevojshme të dërgojë TVSH dhe kështu të minimizohet afati kohor midis pagesës së TVSH në blerje dhe kreditimit të kësaj TVSH-je?

Si hap i nëntë, është e rëndësishme të identifikohen se sa furnizuesë aktualë, ose të ardhshëm do të klasifikohen si biznese të vogla dhe për këtë arsye nuk do të munden të jenë pjesë e sistemit të TVSH. Do ndalojnë bankat vazhdimin e biznesit me këtë segment tatimpaguesish pasi reformat në këtë rast nuk u mundësojnë bankave që të kreditojnë TVSH për blerjet e shërbimeve dhe mallrave nga ta dhe po kështu e anasjellta për bizneset e vogla?

Lexo: Lugina e Preshevës i kërkon Kosovës të heqë taksën 100 % për bizneset shqiptare

NË shumë sisteme të TVSH-së në mbarë botën, një nga çështjet më komplekse dhe kohë-konsumuese për institucionet financiare është llogaritja e TVSH-së kreditore, për ato aktivitete të cilat janë subjekt i TVSH-së (ose me zero për qind) dhe ato të cilat kualifikohen si të përjashtuara nga TVSH. Një pjesë e sfidës është se shumë kosto dhe shpenzime te bëra nga institucionet financiare i shërbejnë qëllimeve të shumta, p.sh., shpenzimet e larta për zyra me qira dhe sistemet e IT.

Ndërsa objektivi i një reforme të tillë mund të jetë të përfshijë sa më shumë shërbime financiare që është e mundur, realiteti është se jo të gjitha shërbimet financiare do të jenë subjekt i TVSH-së. NË mënyrë të pashmangshme, disa shërbime financiare të tilla si: eksporti i shërbimeve, tregtimi i letrave me vlerë, dhe disa shërbime të tjera financiare ka të ngjarë të jenë edhe me tej te përjashtuara.

Megjithëse futja e TVSH në shërbimet financiare ka edhe më shumë dilema se kaq mbetet që argumentimet të bëhen në kohën dhe vendin e duhur.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0