Shkruar nga Elvis Shera, kontributor
Të dashur lexues,
Në artikullin e kaluar folëm për monopolet dhe se si, me përjashtim të monopoleve natyrore, ato krijohen vetëm me ndihmën e qeverive. Në këtë artikull do të flasim për kontrollin e çmimeve. Efekti i tyre dhe nëse funksionon në të vërtetë kjo politikë. Nëse dëshironi të thelloni njohuritë tuaja, regjistrohuni gjithashtu në kanalin: Financiarisht i Pavarur” ose për më shumë mund të vizitoni Elvis Shera
Një histori e gjatë e kontrollit të Çmimeve
Kontrolli i çmimeve ka qenë një mjet i përdorur prej mijëra viteve, me qëllimin për të stabilizuar ekonominë dhe për të mbrojtur konsumatorët. Në këtë artikull do përmendim raste të shumta historike të kontrollit të çmimeve, efikasitetin dhe pasojat që kanë pasur. Le ta fillojmë nga historia duke parë shembuj të ndryshëm të kontrollit të çmimeve për mallra të ndryshëm.
Kodi i Hamurabit (rreth 1754 p.e.s.)
Kodi i Hamurabit (Babiloni), vendoste çmime maksimale për mallra dhe shërbime. Për shembull, ai përcaktonte tarifat për grurin, punën, normat e qirasë qetë gomerët dhe për shërbime të tjera. Qëllimi ishte të siguronte drejtësi në tregti.
Rregulloret e Grurit në Egjiptin e lashtë
Duke pasur parasysh rëndësinë e grurit si ushqim bazë, stabilizimi i çmimeve ishte thelbësor për të parandaluar urinë dhe trazirat sociale. Duke ruajtur tepricën e grurit gjatë korrjeve të bollshme, ata mund ta lëshonin atë gjatë mungesave, duke ndikuar në furnizimin dhe çmimet.
Edikti i Dioklecianit mbi Çmimet maksimale (301 e.s.)
Nga inflacioni i shfrenuar dhe paqëndrueshmëria ekonomike, perandori romak Diokleciani nxori një edikt që vendoste çmime maksimale për një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh. Edikti listonte mbi një mijë artikuj, nga mallrat e përditshme te ato luksoze, me dënime të rrepta për shkelësit, duke përfshirë vdekjen. Ky mbahet si një nga shembujt më të rëndesishëm në histori.
Assiza e bukës dhe birrës në Angli (nga shekulli i 13-të e tutje)
Assiza e bukës dhe e birrës lidhte çmimin e bukës dhe birrës me koston e grurit, duke rregulluar çmimet sipas rendimenteve të korrjes dhe çmimeve të grurit, me synimin për të siguruar përballueshmëri dhe për të parandaluar urinë.
Ligji i Maksimumit gjatë revolucionit Francez (1793)
Në mes të mungesave të ushqimit, Franca miratoi ligjin e Maksimumit, duke vendosur tavane çmimesh për grurin dhe mallra të tjera thelbësore. Ligji synonte të luftonte inflacionin dhe grumbullimin.
Luftërat Botërore I dhe II
Gjatë të dy luftërave Botërore, shumë shtete imponuan kontrolle çmimesh për të parandaluar inflacionin dhe për të siguruar shpërndarjen e burimeve të mbetura. SHBA themeloi Zyrën e Administrimit të Çmimeve gjatë luftës II Botërore për të vendosur tavane çmimesh dhe për të racionuar mallrat.
Lexo edhe:Çfarë janë monopolet? Si krijohen ato dhe cilët janë efektet në shoqëri?
Kontrollet e pagave dhe Çmimeve të Nixon-it (1971)
Në një përpjekje për të frenuar inflacionin, Presidenti Richard Nixon zbatoi një ngrirje 90-ditore të pagave dhe çmimeve në Shtetet e Bashkuara.
Kontrollet e Qirasë në qendrat urbane
Qytete si New York, San Francisco kanë histori të gjata të politikave të kontrollit të qirasë me synimin për të bërë banimin të përballueshëm.
Analiza e efekteve dhe efikasiteti të kontrollit të Çmimeve
Edhe në kohën e kodit të Hamurabit, kishte problem me vendosjen e kontrollit të çmimeve. Kontrolli i çmimeve krijon ngurtësi në tregje me sinjale të deformuara. Kontrollet mbi çmimet nuk janë të nevojshme në një ekonomi me një treg të lirë. Problemi kryesore vjen nga politika të gabuara qeveritare që e manipulojnë tregun. Kur situata bëhet e vështire, lidera të qeverive, në injorance totale të faktorëve historik, aplikojnë kontrolle mbi çmimet duke menduar se “këtë herë do jetë ndryshe”. Në fakt, kontrolli i çmimeve ka po të njëjtat efekte:
Mungesa në tregjet
Tavanet e çmimeve shpesh çojnë në mungesa, kjo sepse kur çmimet mbahen të ulëta artificialisht, rrisin kërkesën por nuk stimulojnë furnizuesit. Në një skenar të tillë, sasia e mallrave dhe shërbimeve në treg bie duke krijuar mungesa. Sigurisht ka dhe momente kur vendoset një dysheme e çmimeve por kjo ka efektin që të krijojë teprica. Per shembull për banesat, ndërsa e dobishme për qiramarrësit aktualë, kontrolli nuk sjell stimuj për pronarët për të mirëmbajtur pronat ose për të ndërtuar banesa të reja, duke përkeqësuar cilesinë dhe duke krijuar mungesa afat gjatë.
Tregjet e zeza
Kontrollet e rrepta të çmimeve kanë çuar shpesh në rritjen e tregjeve dytesore ose të zeza. Kjo ndodh ne vecanti kur kanalet e ligjshme nuk mund të plotësojnë kërkesën. Në këto raste tregtia e paligjshme bëhet fitimprurëse sepse e ushqyer nga një kërkesë e vazhdueshme.
Ulja e cilësisë
Për të përballuar uljen e cmimeve dhe për të mbijetuar, prodhuesit ulin cilësinë e mallrave për të ulur kostot. Shembuj historikë përfshijnë bukëpjekësit që përdorin përbërës më të lirë ose reduktojnë madhësinë e bukës gjatë kufizimeve të çmimeve të bukës. Në përgjithesi, kontrollet e çmimeve mund të çojnë në keqpërdorim të burimeve, pasi çmimet nuk reflektojnë më dinamikat e vërteta të ofertë-kërkesës. Për më shumë mbi ofertë-kërkesën ndiqni dhe artikullin e dedikuar: Kerkese-Oferta
A funksionon kontrolli i çmimeve?
Ndonëse mund të duket në siperfaqe si dicka e mirë dhe në përputhje me një drejtësi sociale,është në realitet vërehet e kundërta. Përveç faktit se problemi që mendohet të zgjidhet nga qeveria është krijuar nga qeveria paraprakisht, është dhe e padrejtë nga pikpamja e zinxhirit të furnizimit sepse detyron sipçrmarrçsit të mbyllin aktivitete e tyre dhe krijon mangësi dhe varfëri në treg. Pra është larg të qenit një drejtësi sociale. Gjithashtu, ka dhe problematika të natyrës së implementimit të kontrollit. Tregu në vetvete është një sistem i de-centralizuar dhe i përbërë nga mijerë këmbime në ditë. Është praktikisht e pamundur të ketë një kontroll optimal. Fenomen që i lë rrugë këmbimeve në tregun e zi. Gjithashtu, edhe pse është një nismë me qëllime “të drejta” përfundon në fakt të krijojë trazira sociale nga pabarazitë. Në situata të caktuara, si gjatë luftërave ose emergjencave, kontrollet e çmimeve mund të ofrojnë lehtësim të menjëhershëm dhe të parandalojnë shfrytëzimin të eger duke stabilizuar për një kohë të shkurtër ekonominë. Disa ekonomistë propozojne subvencionet ose ndihma financiare direkte për prodhuesit në mënyrë që ta vazhdojnë prodhimin e mallrave dhe dhenien e shërbimeve. Edhe në këtë qasje, zgjidhja nuk është afatgjatë sepse biznesi nuk operon nën qasjen e tregut por në mbështetje të taksa paguesve dhe humbasin incentivat për kërkime dhe inovacion të produktit dhe të permirësimit të shërbimit të tyre.
Përfundim
Gjatë historisë, ka pasur gjithmonë kontrolle të çmimeve. Ndërsa qëllimi pas tyre është shpesh fisnik, sipër shembull mbrojtja e konsumatorëve, parandalimi i inflacionit, drejtësisa sociale, rezultatet kanë qenë gjithmonë kundërproduktive, duke çuar në mungesa dhe tregje të zeza dhe në trazira sociale. Modelet historike sugjerojnë se ndërsa kontrollet e çmimeve mund të ofrojnë zgjidhje afatshkurtra, ato nuk janë efektive dhe nuk përfaqësojnë një zgjidhje afatgjatë sepse nuk adresojnë çështjet themelore të ofertës dhe kërkesës. Gjetja e një ekuilibri midis rregullimit dhe lirisë së tregut mbetet një përpjekje kritike për çdo politikëbërës që synon të nxisi ekonominë në mënyrë të qëndrueshme.
…
Mos harroni të na ndiqni dhe në artikullin e ardhshëm, ku do të flasim për efektet e ngritjes së taksave në ekonomi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.