Europa po intensifikon përpjekjet për Sovranitet Digjital, me synimin për të reduktuar varësinë nga gjigantët amerikanë të teknologjisë. Së fundmi, Parlamenti Europian mbështeti një raport që bën thirrje për forcimin e asaj që quhet “sovranitet teknologjik evropian”.
Deputetët e Parlamentit Europian (MEP) i kërkuan Komisionit Evropian të përshpejtojë reformat rregullatore dhe investimet madhore në infrastrukturën digjitale. Raporti fokusohet në sektorë kritikë si cloud computing, gjysmëpërçuesit (semiconductors) dhe inteligjenca artificiale (AI). Raportuesja e këtij dokumenti, eurodeputetja Sarah Knafo (ESN/Francë), deklaroi në platformën X (ish-Twitter) se, ndonëse disa nga gjetjet dhe masat janë zbutur gjatë procesit, ky përbën një hap jetik drejt “mbrojtjes së infrastrukturës digjitale evropiane nga aktorë të huaj”. Në vijim, shpjegojmë çfarë nënkupton Sovraniteti Digjital, çfarë është Sovereign Cloud, cilat janë përfitimet e tij dhe cilët janë emrat kryesorë që duhen njohur në këtë fushë.
Çfarë është Sovraniteti Digjital?
Sovraniteti digjital është një term që shpesh përdoret si sinonim i sovranitetit të të dhënave. Ai përfaqëson një parim ose një grup rregullash ligjore që i mundëson një shteti ose rajoni (si Bashkimi Evropian apo Mbretëria e Bashkuar) të ketë kontroll të plotë mbi asetet digjitale, infrastrukturën dhe të dhënat e qytetarëve të tij.
Nevoja për sovranitet digjital u rrit ndërsa prioritetet globale në epokën e internetit u zhvendosën nga qasja e lirë drejt sigurisë dhe privatësisë. Zhvillimi i cloud computing dhe mbledhja masive e të dhënave për qëllime reklamimi ngritën shqetësime serioze, duke i detyruar qeveritë të kërkojnë mënyra për të rregulluar këtë realitet dhe për të mbrojtur të dhënat e qytetarëve dhe institucioneve publike.Shumë shtete nisën të aplikojnë konceptin e “data residency”, që kërkon që të dhënat të ruhen brenda kufijve kombëtarë, për të shmangur aksesin nga autoritete ose subjekte të huaja. Megjithatë, kjo qasje solli një kompromis: humbjen e përfitimeve të teknologjive moderne cloud. Këtu lind koncepti i Sovereign Cloud.
Çfarë është Sovereign Cloud?
Ndryshe nga cloud-i global standard, Sovereign Cloud është një mjedis i specializuar që garanton se të gjitha të dhënat, metadata dhe operacionet administrative mbeten nën juridiksionin e një shteti të caktuar. Infrastruktura mund të jetë e vendosur ose në ambientet e ofruesit, ose fizikisht në territorin e klientit, por të dhënat janë të izoluara logjikisht ose fizikisht dhe aksesohen vetëm përmes lidhjeve të sigurta, jashtë internetit publik. Një shembull konkret është partneriteti mes Google Cloud dhe Thales në Francë, ku të dhënat sensitive ushtarake ruhen dhe përpunohen ekskluzivisht brenda territorit francez.
Përfitimet e Sovranitetit Digjital
Përfitimet e sovranitetit digjital shkojnë përtej shmangies së gjobave të rënda të GDPR, të cilat kanë shqetësuar kompanitë amerikane vitet e fundit.
Sovraniteti digjital ofron:
- Rezistencë gjeopolitike, veçanërisht në periudha tensionesh tregtare ose politike
- Mbrojtje nga ndërhyrjet e huaja, pasi një qeveri e jashtme nuk mund të “fikë” aksesin në sisteme kritike
- Thjeshtim të zinxhirit të furnizimit, pasi ofruesit e mëdhenj cloud mund të sigurojnë më lehtë pajisje strategjike, si çipat për AI
Megjithatë, ekzistojnë edhe sfida. Për shkak të ritmit të shpejtë të industrisë teknologjike, cloud-et sovrane shpesh përballen me vonesa në lançimin e funksioneve të reja, si mjetet më të fundit të AI, të cilat zakonisht shfaqen fillimisht në rajonet globale. Kjo situatë po ndryshon. Në vitin 2026, kompanitë më të mëdha teknologjike në botë kanë nisur ta përqafojnë Sovereign Cloud si model biznesi.
Kush janë lojtarët kryesorë?
- Amazon Web Services (AWS) ka lançuar European Sovereign Cloud (ESC) në Gjermani, plotësisht të izoluar fizikisht nga rrjeti global
- Oracle operon dy rajone sovrane në BE, në Frankfurt dhe Madrid
- Microsoft ofron “Cloud for Sovereignty”, duke bashkëpunuar me partnerë lokalë si Bleu në Francë
- Google fokusohet në modelin “Trusted Cloud”, përmes partneriteteve me kompani si T-Systems (Deutsche Telekom), të cilat menaxhojnë qendrat e të dhënave
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.