Çfarë e bën të veçantë Edi Demaj, kampionin e Ekonomisë së Re në Detroit të SHBA-ve? - Business Magazine Albania

Çfarë e bën të veçantë Edi Demaj, kampionin e Ekonomisë së Re në Detroit të SHBA-ve?


Për të shtatin vit rradhazi, Junior Achievement of Southeastern Michigan, në partnership me Dbusiness magazine dhe News/Talk 760 WJR, përzgjodhi 6 drejtuesë të lartë rajonalë, të cilët po gjenerojnë rritje në industri tepër konkurruese.

Në mesin e tyre nuk ka munguar edhe një shqiptar, i mërguar prej vitesh në Shtetet e Bashkuara, Edi Demaj, bashkëthemelues dhe COO i Rocket Fiber, Detroit.

Çfarë është ajo që e bën kampion të Ekonomisë së Re?

Edi Demaj ka një perspektivë tjetër rreth shpirtit të sipërmarrjes. Në 1999-n, kur familja e tij u detyrua tё lintё shtëpinë në Kosovë për shkak të luftës së përgjakshme dhe u shpërngul me banim në Shtetet e Bashkuara, Demaj thotë se ishte kaq shumë mirënjohës që nuk arrinte të flinte. “Në momentin që të kanë marrë gjithçka, çfarëdolloj gjëje e re që provon të duket e lehtë,” thotë Demaj, bashkëthemeluesi dhe COO i Rocket Fiber, një furnizues (provider) interneti me shpejtësi të lartë në Detroit. “Ti nuk mendon rreth suksesit apo dështimit; por thjesht merr kënaqësi duke punuar shumë e më shumë pa shpërqëndrime.” Pasi u diplomua në shkencat politike dhe menaxhim biznesi në Universitetin Oakland në Rochester, Demaj ka punuar në një shumëllojshmëri pozicionesh në fushën e pasurive të paluajtshme në Grand Sakwa Properties Inc. në Farmington Hills, më pas në Bedrock Real Estate Services, një kompani simotër e Quicken Loans Inc. në Detroit. Kur Google Fiber lançoi instalimin e një shërbimi broadband në Kansas City në 2013-n, Demaj së bashku me 2 kolegët- Marc Hudson dhe Randy Foster- patën vizionin e një rrjeti më të fuqishëm për Detroitin dhe jo vetëm.

Si është dita tipike e punës?

Rocket Fiber është vendi ku shpenzoj të gjithë javën, me partnerët e mi Randy Fosters dhe Marc Hudson. Të tre ne menaxhojmë fusha të ndryshme të biznesit në mënyrë të përditshme, por për vendimet e rëndësishme bëhemi bashkë si partnerë. Ne e nisëm këtë kompani sepse donim të ndërtonim një infrastrukturë të avancuar teknologjike që do ta bënte qytetin që duam të “merrte frymë tjetër”. Detroiti njëkohë ka qenë nyja e avancimeve në teknologji dhe sipërmarrje, dhe tani po rikthehet fuqishëm. Ne besojmë se ajo që po bëjmë me Rocket Fiber do të na ndihmojë të tërheqim ide dhe kompani të reja të cilat do të krijojnë vende pune dhe do ta bëjnë Detroitin dhe Michiganin qendrën e inovacionit botëror.

Me çfarë projekti tjetër po punoni?

Reozom.com është një kompani interesante në të cilën kam ndihmuar në bashkëthemelimin e saj bashkë me vëllain tim më të vogël, Etrit Demaj, dhe një partner tonin, Justin Tibble. Ne pamë një industri e cila nuk kishte evoluuar që prej para 50 viteve kur ka filluar tё funskiononte, dhe donim të gjenim një mënyrë për ta modernizuar dhe për ta bërë më transparente. Ne kemi ndërtuar një platformë që mundëson që procesi i shitblerjes të bëhet më i thjeshtë, i shpejtë dhe më i përballueshëm. Operacionet e përditshme menaxhohen nga Etriti dhe Justin. Të tjera sipërmarrje, të cilat i kam ndihmuar në nisje ose ku kam investuar janë iziSurvey, një platformë software që lejon përdoruesit të zhvillojnë anketime me porosi- online dhe offline- ndërkohë që ul kostot e mbledhjes së të dhënave, dhe Gjirafa.com, i pari dhe i vetmi motorr kërkimi shqiptar me më shumë informacione rreth rajonit se çdo motorr tjetër kërkimi, duke përfshirë edhe Google. Gjirafa është brandi, i cili po përjeton rritjen më të shpejtë dhe platforma më e vizituar ndërmjet shqiptarëve nëpër botë.

Ku e sheh veten Rocket Fiber në 5 vite?

Qëllimi ynë është të ndryshojmë mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me Internetin e tyre dhe furnizuesin kabllor. Ne duam që klientët tanë ta konsiderojnë Rocket Fiber si mikun dhe partnerin e tyre, dhe jo si dikë me të cilin nuk duan të flasin. Ne momentalisht po punojmë për rrjetin e fibrave për bizneset dhe rezidentët në qendër të Detroitit dhe pjesën pak më sipër qendrës, gjithashtu edhe për planet e zgjerimit rreth Detroitit dhe qytetet përreth. Në 5 vite, Rocket Fiber do të jetë në shumë qytete; ne e shikojmë Rocket Fiber si një linjë e kohëve moderne për Michiganin, e cila ndihmon në tërheqjen e inovacionit dhe krijimin e vendeve të punës.

Cila është sfida më e madhe?

Nga 3 bashkëthemelues shkuam në një shtesë prej 30 pjesëtarë të skuadrës sonë brenda një viti. Të motivonim çdokënd dhe të siguroheshim që secilit t’i jepnim kohë mjaftueshëm ndërsa kompania vazhdonte rritjen, ka qenë një prej sfidave tona më të mëdha. Me kalimin e kohës, gjërat janë përmirësuar ndjeshëm dhe skuadra jonë e ka bërë ndërtimin e kësaj kompanie më të thjeshtë dhe më emocionuese se sa ç’e prisnim. Tani gjithashtu kemi edhe hapësira të reja pune, dhe çdokush ka hapësirën e vet të punës, gjë që është më efiçiente.

Si e balancon programin e punës në mënyrë që çdo sipërmarrje të marrë vëmendjen e duhur?

Shkurtimisht, janë njerëzit e mrekullueshëm prej të cilëve jam rrethuar. Rocket Fiber është puna ime me kohë të plotë, dhe ku shpenzoj pjesën më të madhe të kohës. Kam partnerë shumë të mirë në çdo gjë në të cilën jam përfshirë, të cilët përballojnë operacionet e përditshme të kompanive të tjera të cilat kam bashkëthemeluar ose në të cilat kam investuar. Im vëlla ia dedikon kohën të gjitha sipërmarrjeve jashtë Rocket Fiber, duke e bërë jetën time më të lehtë. Kjo më lejon mua që t’i shikoj nga një perspektivë tjetër sipërmarrjet e tjera, dhe të sjell këshillim nga pozicionet aksionare dhe pjesëtare në borde.

Çfarë këshille do t’u jepnit studentëve?

Mos u rehato me asgjë që bën- çfarëdo që të jetë: studim, punë, sporte apo diçka tjetër. Në momentin që “bie rehat” dhe ndihesh sikur të gjitha i di, është pikërisht momenti ku çedon. Rrethojeni veten me njerëz të mrekullueshëm, sepse të gjithë ne jemi mesatarja e njerëzve që na rrethojnë, dhe e çdo gjëje tjetër pas së cilës rendim. E fundit, por jo për nga rëndësia: në jetë nuk ka një rrugë të shkurtër. Kërkon mund dhe këmbëngulje për të qenë i suksesshëm dhe për të pasur impakt.

Cilët liderë biznesi të frymëzojnë?

Dan Gilbert (themelues dhe kryetar bordi i Quicken Loans, e cila mbështet financiarisht Rocket Fiber) ka qenë frymëzimi im më i madh. Aftësia e tij për të parë dekada para asaj që të tjerët shikojnë dhe për të jetuar sipas mënyrës së tij të predikimit, së bashku me stilin e lidershipit, më mrekullon. Unë jam ëndërrimtar i madh, dhe në 2011-n kur fillova të punoja për kompaninë e pasurive të paluajtshme të Dan në Detroit, mendoja vazhdimisht se çfarë mund të bëja për të patur shansin që të punoja ngushtësisht me të. Që ai të investonte në një kompani ku unë isha themelues ishte më shumë se një ëndërr për mua. Pasja e mundësisë për të mësuar nga Dan ishte e vlefshme më shumë se çfarëdolloj diplome bachelor ose master që mund të merrja. Të tjerë të cilët i vëzhgoj me kërshëri dhe do kisha kënaqësinë prej të cilëve të mësoja janë Marc Cuban, Kevin Plank, Richard Branson, Elon Musk dhe Robert Herjavec.

 

/dbusiness magazine

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0