CEO amerikan shpërndan 240 milionë dollarë bonus pas shitjes së kompanisë! - Business Magazine Albania

CEO amerikan shpërndan 240 milionë dollarë bonus pas shitjes së kompanisë!

CEO amerikan shpërndan 240 milionë dollarë bonus pas shitjes së kompanisë!

Më shumë se 500 punonjës në një fabrikë në Luiziana morën bonuse gjashtëshifrore që u ndryshuan jetën, pasi CEO i kompanisë vendosi një kusht të pazakontë gjatë shitjes së biznesit familjar.

240 milionë dollarë nga shitja, të ndara me punonjësit

Graham Walker, i cili largohet nga posti i CEO-s në fund të vitit, pranoi të shiste kompaninë Fibrebond për 1.7 miliardë dollarë, vetëm pasi siguroi një premtim të fortë: 15% e shumës së shitjes do të ndahej me punonjësit, edhe pse ata nuk kishin aksione në kompani. Sipas raportimeve të Daily Mail, Walker u kishte thënë blerësve potencialë se marrëveshja nuk do të ndodhte nëse punonjësit nuk përfshiheshin në përfitim. “Ky ishte një kusht i panegociueshëm,” është shprehur Walker. Nëse nuk pranohej, punonjësit do të largoheshin dhe ai nuk do ta finalizonte shitjen. Kompania ndërkombëtare e menaxhimit të energjisë Eaton e pranoi kushtin.

Lexo edhe: Pse japonezët përdorin çadra edhe kur është diell?

540 punonjës marrin mesatarisht 443 mijë dollarë secili

Si rezultat, 540 punonjës me kohë të plotë të Fibrebond filluan të marrin pagesat që nga qershori. Bonusi mesatar për punonjës është rreth 443,000 dollarë, i shpërndarë gjatë pesë viteve, ndërsa punonjësit me më shumë vite pune përfituan shuma edhe më të larta. Në total, punonjësve u janë ndarë rreth 240 milionë dollarë. Kur zarfet me detajet e bonusit filluan të mbërrinin, reagimet ishin të forta: disa menduan se ishte shaka, të tjerë shpërthyen në lot. Një prej tyre, Lesia Key, punonjëse prej 29 vitesh, e cila kishte filluar punë në vitin 1995 me 5.35 dollarë në orë, u emocionua thellë. Me paratë e bonusit, ajo shlyeu kredinë e shtëpisë dhe hapi një butik rrobash. “Dikur jetonim nga një pagë në tjetrën. Tani mund të jetoj vërtet,” është shprehur ajo për Daily Mail. Hector Moreno, drejtues i zhvillimit të biznesit në kompani, tha se momenti ishte “si t’u thuash njerëzve që kanë fituar llotarinë”.

Bonuset krijuan një valë ekonomike pozitive edhe në qytetin e vogël Minden, me rreth 12,000 banorë. Kryebashkiaku Nick Cox u shpreh se qyteti po përjeton një rritje të ndjeshme të konsumit dhe investimeve. Fibrebond u themelua në vitin 1982 nga babai i Graham Walker, me vetëm 12 punonjës. Kompania u rrit gjatë bumit të telefonisë celulare në vitet ’90, por pothuajse falimentoi në vitin 1998 kur fabrika u dogj. Pas vështirësive të shumta, familja Walker vazhdoi të paguante punonjësit edhe në periudhat kur prodhimi ishte ndalur.

Gjatë viteve të krizës, shumë punonjës qëndruan, edhe kur pagat u ngrinë. U krijuan fonde ndihme për ata që kishin vështirësi financiare, ndërsa më vonë u rikthyen edhe punonjës të larguar më herët. Kthesa erdhi pas një investimi 150 milionë dollarësh për ndërtimin e strukturave modulare për qendrat e të dhënave (data centers), sektor që shpërtheu gjatë pandemisë dhe me rritjen e kërkesës për inteligjencë artificiale.

Sot, Graham Walker thotë se ka vetëm një kërkesë për ish-punonjësit e tij: “Shpresoj që kur të jem 80 vjeç, të marr një email që të më tregojë si ua ka ndryshuar jetën kjo ndihmë.”

ET

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0