Bukinist shpall 6 librat më të mirë të vitit 2020 - Business Magazine Albania

Bukinist shpall 6 librat më të mirë të vitit 2020

Përgjatë dy muajve janë zhvilluar votimet online në blogun Leximtari për të zgjedhur librin më të mirë të botuar gjatë vitit 2020. Në gjashtë kategoritë e përzgjedhura: libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-fiction dhe libri i zhvillimit personal, ekipi i Bukinist.al kishte përzgjedhur 7 prurjet më të mira të vitit të kaluar në secilën prej kategorive. Votimi është zhvilluar deri më 2 prill 2021 për kategorinë e librit për fëmijë dhe deri më 22 prill 2021 për pesë kategoritë e tjera. Çdo votues kishte të drejtën e votimit një herë tek Leximtari.

Në përfundim të votimit janë shpallur këta fitues, sipas kategorive përkatëse.

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – KATEGORIA PËR FËMIJË

“Fani në kërkim të dritës” nga Rovena Rrozhani

Në botën e pyllit, një mbretëri xixëllonjash është gati për natën e xixëllimit. Mes mijëra xixash dhe xixushësh është Fani, një xixë që pret të bëhet xixëllojë. Krejt ndryshe nga sa e priste, nata e xixëllimit nuk ishte për të. Fani niset në një udhëtim plot aventura për të gjetur dritëzën e humbur, e teksa kërkon me këmbëngulje të ndryshojë jetën e saj, ndikon në jetën e të tjerëve dhe të një qyteti. Një përrallë për besimin në vete, këmbënguljen për të bërë realitet ëndrrat, pavarësisht sa ndryshe mund të jesh nga të tjerët.

Ilustrimet: Artur Dauti

Botuesi: Mediaprint

Lexo: Një platformë e posaçme për aksesin në financa

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – POEZIA SHQIPE

“Imoralisti” nga Artan Gjyzel Hasani

“Imoralisti” është ftesë për një rrugëtim poetik në anën tjetër të së Vërtetës, një rrugëtim i gjatë nëpër tema të nxehta që nuk durojnë veshje të tepërta të shpirtit. Poezitë e këtij libri synojnë mesazhe të kundërta me moralizimet e dyshimta të epokës në të cilën jetojmë. Autoironia, sarkazma dhe cinizmi, mbeten edhe në këtë vëllim të ri poetik tipare dalluese të penës mjeshtërore të këtij autori. Depërtimi me guxim në thellësi të qenies njerezore, vetes dhe tjetrit, skanon shoqërinë dhe marrëdhëniet tona me njëri tjetrin, raportet tona me të “vërtetën zyrtare” të shpirtit dhe qënies.

Botuesi: Botimet M & B

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – ROMANI SHQIP

“Biri” nga Flutura Açka

Ky vetërrëfim shkon në zemër të lidhjes së epërme Mëmë-Bir dhe është një thirrje për ruajtjen e shkëlqimit të kujtimeve, si e vetmja pasuri që ka vlerë për prindër me fat si të sajin. Ajo hulumton zinë, si një proces i gjatë dhe përcaktues i jetës pas ikjes pa kthim të fëmijës, merret me identitetin e jetës mes dy kulturave ku endet jeta e saj dhe hyn në thellësitë metafizike të humbjes, pa e kthyer atë në një përqarje mbytëse për lexuesin.

Botues: Skanderbeg Books    

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – ROMANI I PËRKTHYER

“Fate dhe shtrëngata” nga Lauren Groff

Me një stil të shkruari tejet të thellë dhe të shkëlqyer, Lauren Groff ka arritur t’i japë mjeshtëri rrëfimtare asaj që mund të lexohet si një pjesë teatrore, si një tragjedi e vënë në jetë nga dy personazheve të shkëlqyer; sepse çdo histori ka dy anë, ndërsa çelësi i një martese nuk është e vërteta, por sekreti.

Ky libër është historia e një martese, e ulje-ngritjeve të saj dhe sakrificave të ndryshme të çiftit, i enigmave që qëndrojnë prapa suksesit dhe dëshirës së pashtershme për të bashkëjetuar në sintezë ekstreme. Është rrëfimi i një marrëdhënieje njerëzore ku njerëzit përpiqen ta jetojnë plotësisht jetën e tyre, por që asnjëherë nuk është e lehtë. Ky është një libër që e ekspozon jetën pa e identifikuar domosdoshmërisht me personazhet e tij, që kërkon një hapje mendore ndaj ndjenjave të secilit prej nesh, të cilat shpesh janë të kundërta apo të pazakonta. Ai është një zhytje në jetën e një çift modern, një histori dashurie që na tregon se sa pak e njohim ne gjysmën tjetër dhe se jo gjithmonë është e mundur t’i njohim plotësisht njerëzit tanë më të afërt.

Përkthyese: Anja Cura

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – LIBRI NON-FICTION

“Rebelet, besimtarët, të mbijetuarit” nga Noel Malcolm

Ky nuk është vetëm një botim historik për lexuesit e interesuar në historinë e Evropës Jug-Lindore. Në të përfshihen çështje të të gjera si: konvertimi fetar, “kriptolishtërimi” mes myslimanëve, metodat e skllavërimit brenda Perandorisë Osmane dhe natyrën e krijimit të mitit modern për identitetin kombëtar.

Studimet e paraqitura në këtë vëllim nga një prej ekspertëve kryesorë të botës mbi historinë shqiptare, variojnë nga shekulli i pesëmbëdhjetë deri në të njëzetin, duke fokusuar politikën, historinë shoqërore, fenë dhe diplomacinë.

Përkthyes: Ana Haxhi, Enes Lekiqi

Botues: Artini – Prishtinë

Lexo: Fuqia e besimeve

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – LIBRI I ZHVILLIMIT PERSONAL

“Lideri nuk lind… bëhet” nga Iris Halili

Ky libër vjen në dorën e lexuesit si një përmbledhje esenciale studimesh disavjeçare të autores, të fokusuara veçanërisht në tiparet dhe cilësitë e lindura apo të fituara të liderëve. Lideri i suksesshëm nuk lind, por behet, pasi ndershmëria, karakteri, dëshira për ndryshim apo empatia, janë cilësi që kultivohen dhe përcaktojnë fatin e vetë liderit apo të ndjekësve të tij.

Shtëpia Botuese Dituria

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0