Brenton Bënja, Geek Room u krijua nga pasioni për teknologjinë - Business Magazine Albania

Brenton Bënja, Geek Room u krijua nga pasioni për teknologjinë

Teknologjia po ndikon në jetët tona çdo ditë e më shumë dhe pa e kuptuar ne jemi pjesë e këtij ndryshimi. Sot, për të qenë në hapin e duhur, më shumë se gjithçka na duhet informacioni për zhvillimet e reja që ndodhin dhe që lidhen direkt apo tërthorazi me teknologjinë. Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me produkte apo shërbime që shpeshherë nuk i kuptojmë dhe kemi vështirësi t’i përdorim, ne kemi nevojë për dikë që të na orientojë.

Për të luajtur këtë rol kaq të rëndësishëm, janë krijuar influencërat e teknologjisë, të cilët grumbullojnë informacione për produkte, shërbime dhe janë të përditësuar për çdo ndryshim të ri që ndodh në këtë fushë dhe e ndajnë atë me të tjerët, kryesisht në mediat sociale. Në botë emra të njohur si Marques Brownlee kanë korrur sukses me influencën e tyre. Në Shqipëri, Geek Room, i krijuar nga Brenton Bënja, është një hapësirë, e cila përditësohet vazhdimisht me informacion, duke u kthyer në një vlerë për të gjithë dashamirësit e teknologjisë. Ne zhvilluam një intervistë me Brenton për të mësuar më shumë.

Artikulli u publikua më parë në faqen 32  të numrit 26 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.

Kush është Brenton Bënja dhe si u lidh ngushtësisht me teknologjinë?

Nuk mendoj se ka një moment specifik që më lidhi me teknologjinë, pasi pasionin e kam patur që në moshë fare të vogël. Si një fëmijë i viteve 90` mbaj mend veten që gjeja mënyra për të regjistruar muzikë disa herë në kaseta. Disa kishin një pjesë sigurie që e mbushja me letra për të regjistruar disa herë. Atëherë nuk kishte Google, kështu që mendoj se më është dashur pak kohë për të zbuluar se si arrihej kjo gjë.

Çdo vit, pasioni për teknologjinë rritej dhe bashkë me të edhe ai për median, duke u fokusuar në informacionet që lexoja dhe kërkoja për risitë teknologjike. Kështu lindi ideja për të krijuar Geek Room.  

Gjithë pasionin për teknologjinë e shpalosni në dhomën virtuale Geek. Na tregoni pak për Geek Room.

Dëshira për një emision teknologjie kishte kohë që qëndronte në planet e mia derisa kushtet u krijuan dhe Geek Room lindi në vitin 2014 si emision në MAD Tv. Që prej ditës së parë kam qenë autor i tij dhe e ndiej veten me fat që gjithmonë kam patur një ekip po aq me pasion sa edhe unë. Sot, Geek Room është një media, e përbërë nga një ekip i vogël personash, e fokusuar në informacionet më të fundit mbi teknologjinë, të cilat vijnë në formën e artikujve në geekroom.al dhe të videove në rrjetet tona sociale. Gjithashtu, Geek Room realizon përshkrime të produkteve teknologjike, ndjekim konferencat më të mëdha botërore të kësaj fushe dhe së fundi realizojmë përmbajtje të bazuar në pajisje teknologjike për kompani të ndryshme në Shqipëri. 

Të prodhosh përmbajtje të vazhdueshme për teknologjinë është sfiduese. Si ia dilni që të jeni gjithmonë të freskët dhe çfarë ju motivon për të mos hequr dorë?

Përgjigja është e shkurtër: pasioni që kemi për këtë fushë. Në Geek Room kemi arritur të organizojmë një lidhje në ekip për të qenë gjithmonë në kohë me risitë dhe ta transmetojmë atë në çdo moment të ditës, sapo diçka ndodh. Këtu gjej rastin të falenderoj shumë për përfshirjen e tyre Xhonaldin dhe Bekimin, me të cilët bashkëpunoj çdo ditë. Sfidë për ne është fakti se interesat e ndjekësve ndryshojnë gjithmonë dhe shpesh herë gjendemi përballë risive apo temave të reja që lindin si informacion i ri por përfundojnë si trend për të gjithë muajin. 

Si media e re, sigurisht që gjendemi përballë vështirësive të ndryshme, të cilat na pengojnë të zhvillojmë idetë dhe synimet tona. Por, mendoj se nuk do të heqim kurrë dorë, pasi çdo ditë e më shumë ne e shohim rëndësinë që Geek Room ka për ndjekësit. Pothuajse çdo ditë marrim mesazhe me pyetje, sugjerime apo motivime për të vazhduar me punën tonë. Marrëdhënia me ndjekësit është tepër e rëndësishme për ne dhe për sa kohë të kemi një rrjet që rritet çdo ditë dhe na sheh si burimin e parë të informacionit, nuk do të ndalemi. 

Cilat janë fushat me më shumë interes për lexuesit shqiptarë?

Padyshim që fushat me më shumë interes janë ato të smartphones, makinat dhe një emër specifik: “Elon Musk”. Ndër këto tre fusha shoh gjithashtu diferenca në mënyrën se si kërkohet informacioni. Një review e realizuar nga Geek Room për një smartphone është pika më e nxehtë e ndjekësve tanë. iPhone dhe Samsung zënë vendin e parë, por interesi është shtuar së fundmi edhe për kategoritë mid-range. Nga kjo kuptoj se përdoruesit po fillojnë të vlerësojnë një smartphone nga raporti i çmimit me karakteristikat dhe dinë mirë si t’i vlerësojnë ato. Ndërsa emri i Elon Musk në artikull duket se ngjall gjithmonë interes. Ai është “celebrity” më i klikuar i fushës së teknologjisë dhe sigurisht edhe shqiptarët nuk mbeten pas. Nuk habitem as pse bursat tronditen sa herë Musk bën një tweet.  

Cilat janë trendet e fundit të teknologjisë dhe cili është pozicioni i Shqipërisë për sa u përket zhvillimeve teknologjike?

Teknologjia është një fushë tejet e gjerë, e cila kur krahasohet me Shqipërinë na pozicionon larg. Nëse flasim për risitë kryesore, teknologjia 5G është prej kohësh kryefjala e kësaj fushe. Falë teknologjisë 5G, komunikimi do të jetë më i shpejtë dhe me më shumë efikasitet, duke përfshirë edhe fusha të reja të jetës si mjekësia. Në këtë rast, vendi ynë sigurisht që nuk është në hapat e duhur, pasi ende nuk e kemi implementuar këtë teknologji. Në momentin që do të kalojmë në 5G, mendoj se ka disa biznese që janë gati. 

Makinat elektrike janë gjithashtu një trend që ndoshta në disa kryeqytete botërore sot zënë 50% të trafikut. Në Shqipëri momentalisht janë vetëm disa kompani taksish, të cilat ofrojnë këtë shërbim dhe disa koncesionarë që shesin pak versione elektrike. Ajo çfarë mendoj se do të ndihmonte zhvillimin e kësaj teknologjie në Shqipëri, përveç lehtësimeve të taksave, do të ishte shtimi i stacioneve të karikimit në të gjithë Shqipërinë. Mendoj se kompanitë e hidrokarbureve nuk e kanë të vështirë të instalojnë disa dhjetra stacione. 

Unë do të veçoja shumë sektorin e zhvilluesëve në Shqipëri, të cilët i shoh si një komunitet në rritje dhe me një të ardhme të mirë në vendin tonë. 

Ku e shihni veten tuaj dhe Geek Room pas 10 viteve?

Në vitin 2031 e shoh Geek Room të përfshirë plotësisht në fushën e informacionit të teknologjisë në Shqipëri dhe jo vetëm. Synimi i krijimit të një media të mirëfilltë për mua do të thotë të kem një ekip të madh, i cili prodhon çdo ditë dhe mbulon më shumë fusha si dhe ofron shërbime për kompani shqiptare të fushës së teknologjisë. Në fakt do të doja që kjo të arrihej në më pak se dhjetë vite dhe për këtë po punojmë çdo ditë.

Intervistoi: Kristi Kumria

Artikulli u publikua më parë në faqen 32  të numrit 26 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0