Botohet libri që sjell inteligjencën artificiale në shqip - Business Magazine Albania

Botohet libri që sjell inteligjencën artificiale në shqip

Botohet libri

Një prej botimeve të reja të kësaj vjeshte është libri i titulluar “Terma dhe koncepte nga inteligjenca artificiale”, me autorë studiuesin Erion Çano dhe përkthyesin e mirënjohur Edmond Tupja. Zhvillimet e viteve të fundit nga fusha e inteligjencës artificiale po ngjallin diskutime të shumta. Për të mësuar diçka më shumë rreth këtij libri dhe inteligjencës artificiale, po sjellim më poshtë një bisedë të shkurtër me njërin prej autorëve.

Erion si nisi puna për botimin e këtij libri rreth inteligjencës artificiale dhe cila ishte shtysa?

Përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë. Puna për këtë libër nisi rreth një vit më parë kur botova gjithashtu, në bashkëpunim me prof. Tupen, fjalorin e teknologjisë së informacionit, dhe është vazhdim i punës sonë shqipëruese, por këtë herë me fokus inteligjencën artificiale. Një nga shtysat ishte rritja e popullaritetit të inteligjencës artificiale në publikun e gjerë, përtej specialistëve të fushës. Një tjetër shtysë ka të bëjë me vështirësitë e shumta që ndeshen nga mësuesit, pedagogët, nxënësit e studentët, lidhur me detyrat e kursit, raportet e projekteve, punimet e diplomave etj. Nga njëra anë, fjalët dhe shprehjet nga inteligjenca artificiale po bëhen krejt të zakonshme sepse shumë tema projektesh dhe diplomash po orientohen drejt kësaj fushe. Nga ana tjetër, mungesa e shqipërimit të tyre i vë në vështirësi studentët e pedagogët dhe i detyron t’i shkruajnë si në gjuhën angleze duke shkelur kështu rregullat e mirëfillta të gjuhës shqipe.

Cilat janë vështirësitë që ndeshni për shqipërimin e termave? Sa e vështirë është përshtatja e tyre në gjuhën shqipe?

Vështirësitë janë të ndryshme dhe lidhen pikë së pari me natyrën pragmatike të gjuhës angleze dhe lehtësinë me të cilën formohen fjalët dhe shprehjet në këtë gjuhë. Për një pjesë të fjalëve dhe të shprehjeve jemi bazuar te referencat ndërgjuhësore, pra kemi marrë parasysh përkthimin e tyre në gjuhë të tjera si italishtja, gjermanishtja apo frëngjishtja. Ka sigurisht probleme të hapura për të cilat ende nuk kemi zgjidhje. Rrjedhimisht, puna jonë në këtë drejtim do të vazhdojë.

Kujt i drejtohet më së shumti libri dhe ku e kur do të mund të blihet?

Libri mendoj se ka vlerë më shumë për studentët dhe pedagogët e drejtimeve të teknologjisë së informacionit. Kemi sjellë në shqip 400 fjalë dhe shprehje që po përdoren shpesh në raporte detyrash e projektesh, punime diplomash etj. Libri përmban edhe njohuri mbi teknikat e inteligjencës artificiale, trajnimin e rrjeteve nervore dhe modeleve të tjera, si edhe ilustrime me kode në Gjuhën Python. Kjo e bën të vlefshëm për të rinjtë që kanë interes për informatikën dhe drejtimet e teknologjisë së informacionit. Libri do të mund të blihet fillimisht te panairi i librit në Tiranë nga 15 deri më 19 nëntor. Më pas të interesuarit do të mund ta gjejnë në libraritë kryesore të Tiranës, Prishtinës e më gjerë.

Inteligjenca artificiale është bërë temë e ditës dhe po ngjall debate e shqetësime të shumta. Ju, që merreni me studime në këtë fushë, çfarë mendoni rreth këtyre shqetësimeve?

Debatet dhe shqetësimet rreth inteligjencës artificiale janë shtuar dhe mendoj që kjo ishte e pritshme. Kështu ka ndodhur me çdo teknologji të re e cila mund të përdoret si për mirë edhe për keq. Një kapitull i librit i kushtohet pikërisht historikut të zhvillimeve në fushën e inteligjencës artificiale, duke përfshirë edhe hamendësimet e skepticizmin ndaj saj. Teknikat e inteligjencës artificiale mund të përdoren për qëllime keqdashëse, ndaj po vihen re që tani nisma për rregullime ligjore. Mendoj se brenda disa viteve do të ketë miratime ligjesh nga Kongresi Amerikan dhe Komisioni Evropian, që do të sanksionojnë mënyrat dhe qëllimet e përdorimit të inteligjencës artificiale.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0