Boralda Minaj:Tirana Slush’D dhe JunctionX Tirana, laboratorët e rinj të inovacionit shqiptar - Business Magazine Albania

Boralda Minaj:Tirana Slush’D dhe JunctionX Tirana, laboratorët e rinj të inovacionit shqiptar

Nga Fatima Gorezi – Në vetëm pak vite, Bora Minaj ka arritur të sjellë në Shqipëri energjinë dhe ndikimin e eventeve më të rëndësishme të botës së startup-eve. Përmes agjencisë B Limitless, ajo ka bërë të mundur që ngjarje si JunctionX Tirana dhe Tirana Slush’D të kthehen në ura të vërteta lidhëse mes talenteve shqiptare dhe ekosistemit global të inovacionit. Këto evente nuk janë thjesht skena për prezantime, por laboratorë të vërtetë idesh, ku startup-et shqiptare marrin formë, testohen dhe më pas sfidojnë tregjet ndërkombëtare.

Në këtë intervistë, Bora Minaj flet për sfidat e organizimit të eventeve me standard ndërkombëtar në Shqipëri, historitë e suksesit që kanë lindur prej tyre dhe për rolin që talentet shqiptare po fitojnë në hartën globale të inovacionit.

Ju keni sjellë në Shqipëri evente si JunctionX Tirana dhe Tirana Slush’D, duke krijuar ura mes talenteve shqiptare dhe mundësive ndërkombëtare. Çfarë i bën këto evente kaq të veçanta për komunitetin e startup-eve shqiptare dhe cilat janë sfidat kryesore në organizimin e tyre në Shqipëri?

Po, përmes agjencisë BLimitles jemi licencuar për të sjellë në Shqipëri evente me ndikim global si JunctionX Tirana dhe Tirana Slush’D, që kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e ekosistemit të startup-eve dhe talenteve teknologjike. Këto evente krijojnë ura direkte mes startup-eve lokale dhe investitorëve, mentorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. JunctionX Tirana, si hackathon zyrtar i Junction global, ofron mundësinë që developer-at të punojnë intensivisht për të zgjidhur probleme reale, të krijojnë prototipa dhe të lidhen me ekspertë nga e gjithë bota. Idetë e zhvilluara gjatë hackathon-it transformohen më pas në startup-e që prezantohen në Tirana Slush’D, duke krijuar mundësi financimi dhe shkallëzimi ndërkombëtar. Përmes këtyre eventeve, projektet lokale bëhen të shkallëzura, ndërsa komuniteti i startup-eve rritet duke fituar eksperiencë praktike dhe duke bashkëpunuar me aktorë globalë.

Sfidat kryesore në organizimin e tyre janë:

  • Sigurimi i mentorëve dhe investitorëve të nivelit të lartë, të gatshëm të mbështesin startup-et në Shqipëri.
  • Logjistika dhe infrastruktura, duke garantuar hapësira dhe teknologji me standarde ndërkombëtare.
  • Ndërgjegjësimi i komunitetit lokal, për të kuptuar vlerën e pjesëmarrjes dhe për të kultivuar një kulturë inovacioni.
  • Sigurimi i mbështetjes publike dhe private, thelbësore për evente me impakt të madh.

Në fund, këto sfida janë të zakonshme për çdo iniciativë inovative në një treg në zhvillim, por përmes punes permanente dhe rrjetit të BLimitles, jane kapërcyer me sukses ne keto 3 vite, duke krijuar një ekosistem që frymëzon dhe fuqizon startup-et shqiptare.

A mund të ndajmë ndonjë histori të suksesshme që ka lindur nga Slush’D Tirana?

Po, një histori suksesi që ka lindur nga Tirana Slush’D është platforma Bliss, e cila fitoi vendin e parë në edicionin e Tirana Slush´D 2024. Më pas, në ju mundësuam pjesëmarrjen tek Slush ngjarja më e emadhe  e vitit, në Helsinki, ku Bliss arriti të sigurojë një fond të konsiderueshëm nga një investitor finlandez, duke treguar fuqinë e këtyre eventeve për të lidhur startup-et shqiptare me mundësi financimi dhe partnerë ndërkombëtarë.

Lexo edhe: Vjen edicioni i dytë i Tirana Slush’D

Në cilat mënyra B Limitless ndihmon startup-et shqiptare të pozicionohen globalisht dhe të lidhen me investitorë ndërkombëtarë?

B Limitless ndihmon talentet e teknologjise dhe startup-et shqiptare të pozicionohen globalisht dhe të lidhen me investitorë ndërkombëtarë në disa mënyra kyçe:

  1. Ngjarjet ndërkombëtare – Si përfaqësues zyrtar i Junction Hackathon dhe Slush, ne sjellim startup-et shqiptare në platforma globale si JunctionX Tirana dhe Tirana Slush’D, dhe më pas i dërgojmë në Slush Finlandë për eventin kryesor ku mund të prezantojnë idetë e tyre me investitorë, mentorë dhe partnerë nga Shqipëria dhe e gjithë bota.
  2. Rrjetëzimi strategjik – Ne krijojmë ura direkte mes startup-eve dhe investitorëve, mentorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke mundësuar bashkëpunime dhe financim global.
  3. Mentorim dhe konsultim – Startup-et marrin udhëzime të drejtpërdrejta nga mentore finlandeze për zhvillimin e produkteve, strategjitë e marketingut dhe shkallëzimin ndërkombëtar.
  4. Marketing dhe PR global – Ne përdorim marketing inovativ dhe lidhje me media ndërkombëtare për të rritur dukshmërinë e startup-eve dhe për t’i bërë tërheqëse për investitorët.
  5. Financim dhe mundësi investimi – Duke lidhur startup-et me investitorë nga Europa dhe rajone të tjera, B Limitless ndihmon në sigurimin e fondeve për rritje dhe shkallëzim ndërkombëtar.

Si e keni përjetuar kalimin nga një sfond në PR dhe marketing në një rol strategjik me ndikim në zhvillimin e ekosistemit të startup-eve?Si e ndjeni përgjegjësinë që sjell ky rol? 

Marketingu dhe PR mbeten ende bazat më të rëndësishme të punës sonë, por tani janë të ndërthurura me një vizion strategjik që synon të lidhë startup-et me investitorë, mentorë dhe partnerë globalë. Përgjegjësia që sjell ky rol ndihet çdo ditë, sepse çdo vendim dhe çdo bashkëpunim mund të ndikojë drejtpërdrejt në suksesin e komunitetit të startup-eve në Shqipëri dhe në pozicionimin e tyre ndërkombëtar.

A ka ndikuar përvoja në Finlandë në formësimin e vizionit dhe qasjes tuaj ndaj inovacionit dhe sipërmarrjes?

Po, ka ndikuar shumë, gjatë përvojës sime trevjeçare në Finlandë, kam punuar ngushtë me ekipet e Junction dhe Slush, këto evente më tregonin fuqinë e ngjarjeve globale për të transformuar ide në projekte reale. Nga kjo eksperiencë lindi dëshira, së bashku me motrën time Enxhi, të sjellim në Shqipëri të njëjtën energji, duke sjellë një frymë dhe mundësi për talentet e reja, si dhe për të tërhequr investitorë potencialë, të cilët zakonisht i presin në Finlandë për të mbështetur ide inovative.

Si i ndihmoni ekipet të përgatiten për “pitch”-in dhe prezantimet para investitorëve?A ka ndonjë qasje që funksionon më mirë për startup-et në fazat e hershme?

Është një rrugë e gjatë me të gjitha startup-et deri sa arrijmë tek top 10 më të mirët, që përgatiten për skenë dhe ‘pitch’ para investitorëve. Ekipi ynë përbëhet nga Enxhi Minaj dhe Tai Tran, dy bashkëthemeluesit e eventeve, të cilët mbajnë rolin më strategjik në operacionet dhe zhvillimin e strategjisë së eventeve. Përkrah tyre, kemi mentorin tonë Walid O. El Cheik nga Finlanda, një nga më të kualifikuar në këtë fushë dhe CEO i “Pitching for Life – From 0 to 1”. Kontributi i tyre i përbashkët është thelbësor për suksesin dhe rritjen tonë. Ne i ndjekim nga afër startup-et për disa javë, i trajnojmë për qartësinë e idesë, tregimin e problemit dhe zgjidhjes, si dhe për potencialin e tregut. Gjithashtu ai i sugjeron përmirësime të ideve, i përgatit për skenë dhe i asiston edhe gjatë takimeve me investitorë, veçanërisht në eventin kryesor të Slush në Finlandë. Praktika intensive dhe simulimet me mentorë dhe ekspertë të industrisë janë çelësi për sukses në takimet reale me investitorët.

Çfarë duhet të ketë një event për të frymëzuar realisht një komunitet dhe për të sjellë ndikim afatgjatë?

Një event që frymëzon komunitetin dhe sjell ndikim afatgjatë duhet të kombinojë meritokracinë, mundësitë praktike dhe lidhjet strategjike. Ai duhet të ofrojë platforma ku startup-et dhe talentet mund të testojnë idetë e tyre, të zhvillojnë aftësitë e prezantimit dhe të mësojnë nga përvojat e ekspertëve dhe mentorëve. Eventet si Tirana Slush’D, ofrojnë rrjetëzim me investitorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke zgjeruar horizontet e startup-eve dhe duke i hapur rrugë financimi dhe bashkëpunimesh strategjike.

Përveç kësaj, një event frymëzues duhet ti bëjë pjesëmarrësit të mendojnë “out of the box”, duke i sfiduar të zhvillojnë ide inovative dhe të shndërrojnë projektet lokale në startup-e  që mund të shtrihen globalisht. Ai krijon ura mes komunitetit lokal dhe ekosistemeve ndërkombëtare, duke siguruar jo vetëm njohuri, por edhe besim dhe mundësi reale për rritje. Në këtë mënyrë, ndikimi i tij nuk është vetëm një moment i shkurtër, por krijon një efekt zinxhir për zhvillimin afatgjatë të ekosistemit të startup-eve.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0