Book Fest – festa e madhe e ofertave për lexuesit - Business Magazine Albania

Book Fest – festa e madhe e ofertave për lexuesit

Book Fest

Qendra tregtare TEG dhe Bukinist.al organizojnë panairin e madh të librit me oferta që shkojnë deri në -50%, mundësi takimi dhe autografe me autorë të njohur të letrave shqipe, prezantimin e librave të rinj, ndarjen e emocioneve për Nobelin e letërsisë të vitit 2021, mini-konkurse, lojëra dhe sfida leximi…..

Albert Gjoka*

Për të tretin vit, qendra më e madhe tregtare në Shqipëri, TEG dhe platforma më e madhe online e librit në vend, Bukinist.al organizojnë panairin e librit, “Book Fest”. Ky event hapet ditën e premte, më 8 tetor 2021 dhe do të qëndrojë në pritje të lexuesve deri më 18 tetor 2021.

Book Fest” vjen si një plotësim dëshire për të gjithë lexuesit, pas një ndërprerje drastike të komunikimit me librin në një periudhe 18 mujore izolimi; por njëherësh, edhe si një nevojë e botuesve dhe librarëve për t’u mbijetuar vështirësive të panumërta që ka shkaktuar pandemia. Organizatorët morën përsipër riskun e këtij momenti dhe kërkuan mbështetjen e shtëpive botuese që të vijmë tek lexuesi pas një mungese të gjatë ndërveprimi. Sigurisht, izolimi i njerëzve gjatë pandemisë pati një gjë pozitive, sepse e riktheu vëmendjen e lexuesit tek libri, si një nga mjetet më të mira për të rritur kuptimin, për t’u zbavitur dhe për të zgjeruar dimensionin e lirisë brenda secilit prej nesh.

Book Fest”, si vijim i “Pazarit të librit”, është një ndër aktivitetet që sjell të ardhura të larta nga shitja e botimeve të ekspozuara në mjediset e këtij panairi, prandaj organizatorët kanë marrë përgjegjësinë dhe kanë ndarë filozofinë e promovimit të librit dhe leximit në të gjitha hapësirat ku jetojmë dhe punojmë, përfshirë edhe në mjediset e biznesit, duke krijuar edhe kulturën e uljeve të librave.

Në këtë festë librore ne sjellim ofertat tona ekskluzive, të cilat shkojnë deri në -50% të çmimit të kopertinës së librave. Këtu është vendi për të falënderuar përzemërsisht çdo botues që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë për t’i bërë këto dhurata fantastike për lexuesit e çdo grup-moshe që do të vijnë në TEG. Ofertat janë të përgatitura enkas sipas autorëve të njohur, për kategori librash dhe për libra të grup-moshave të ndryshme. Padyshim, tetori i librit nuk mund të ketë kuptim pa përfshirjen e librarisë fizike apo virtuale dhe pa komunikimin e drejtpërdrejt të librit me lexuesin.

Gjatë ditëve të panairit ne kemi ftuar disa autorë të njohur shqiptarë të letërsisë për fëmijë dhe për të rritur, të cilët do të jenë mes lexuesve për të komentuar dhe diskutuar me ata, si dhe për të dhënë autografe.

Këtë vit kujtojmë edhe 90-vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit, një nga shkrimtarët më të njohur të letrave bashkëkohore shqipe. Ne do të sjellim në mjediset e “Book Fest” jo vetëm botimet, ribotimet dhe edicionin special të “Baladë për tim atë dhe për vete” të këtij autori, i sapo hedhur në qarkullim nga Botimet Dritëro, por edhe shumë surpriza të tjera.

Një nga elementet e veçantë të “Book Fest” do të jetë edhe promovimi i të gjithë librave të rinj që janë hedhur në qarkullim nga shtëpitë botuese shqiptare. Ka shumë surpriza këto kohë: Botimi i “Tokë e premtuar” i presidentit amerikan Barack Obama, libri “Motra e humbur”, i serisë “7 motrat” të Lucinda Riley, pakoja magjike e “Vendit të rrëfenjave” të Chris Colfer, “Shtëpia holandeze” e postmodernistes së famshme Ann Patchett, biografitë fantastike për Lady Diana dhe grupin muzikor BTS, apo libri i ri “Heshtja”, rrëfimi i policit të anti-mafias italiane Gianni Palagonia, i cili ka qenë me misione kundër krimit të organizuar edhe në Shqipëri, etj. janë disa nga momentet e bukura librore të këtyre ditëve.

Autorë, përkthyes dhe botues i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë që të ndajnë me ne titujt e rinj, të informojnë lexuesit dhe të promovojmë këto botime të cilat kanë vijuar, duke sfiduar vështirësitë që ka sjellë pandemia.

Gjatë këtyre ditëve të tetorit ne do të ndajmë bashkërisht edhe emocionet e shpalljes së fituesit të Nobelit për Letërsinë për vitin 2021, ku ne kemi organizuar edhe një stendë me të gjithë nobelistët që janë përkthyer në gjuhën shqipe.

Në stendat tonë këtë vit do të ketë edhe libra në gjuhën angleze, kryesisht botime në fushën e biznesit, motivimit apo libra të rinj. As kësaj radhe nuk do të mungojnë mini-konkurset, quizet, sfidat e leximit dhe lojëra të tjera në rrjetet tona sociale.

Pjesa më e madhe e ofertave të “Book Fest” do të jenë edhe online gjatë periudhës 8-18 tetor 2021 për të gjithë ata lexues që ndodhen në rrethe apo bashkëatdhetarëve tanë jashtë Shqipërisë, dhe mund të përfitojnë duke porositur libra tek Bukinist.al.

Organizatorët kanë marrë të gjithë masat që mjedisi ku janë të ekspozuar librat të jetë sa më i sigurtë për këdo, duke respektuar të gjitha masat anti-covid. Festën e bëjnë lexuesit, ndërsa ne jemi këtu, me të gjitha ofertat, ngjarjet dhe promovimet. Sepse ne besojmë fort se ndër të tjera, leximi është një terapi, dhe përmes leximit do të jemi më të aftë t’i kapërcejmë vështirësitë dhe të ecim përpara më të fortë se kurrë.

Autori është menaxher i Bukinist.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0