Blerjet online në Kosovë, trend në rritje në vitet e fundit - Business Magazine Albania

Blerjet online në Kosovë, trend në rritje në vitet e fundit


Blerjet online të kosovarëve viteve të fundit kanë shkuar në vazhdimësi në rritje, çka ka bërë që shumë veta nevojat e tyre për produkte dhe veshje t’i plotësojnë jashtë vendit.

Dërgesat me postё për blerjet online sipas zyrtarëve të Postës së Kosovës, për pesë muajt e parë të këtij viti janë rritur për rreth 35 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.

Me rritjen e blerjeve online është rritur edhe numri i dërgesave me vlerë mbi 22 euro të cilat janë zhdoganuar.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur se zhdoganimet nga blerjet online janë rritur.

Sipas tij, duke krahasuar periudhën janar – maj 2015 me periudhën janar maj 2016 ka një rritje të dërgesave prej 20 për qind të cilat janë ndalur për zhdoganim.

“Ka rritje të vlerës se mallrave nga 120 mijë euro për 2015-n, në mbi 150 mijë euro në vitin 2016,” ka treguar Stavileci për Telegrafin.

Edhe në Postën e Kosovës kanë thënë se është rritur sasia e dërgesave nga blerjet online.

Rifat Alaj, menaxher i Qendrës Transite Postare në Postën e Kosovës, ka thënë për Telegrafin se në pesë muajt e parë të këtij viti, dërgesat janë rritur për mbi 37 mijë copë.

“Në 5 mujorin e parë të këtij viti, janar – maj 2016, totali i dërgesave është 144,000 copë, kurse gjatë 5 mujorit të vitit të kaluar, janar – maj 2015, totali ishte 107,000 copë. Pra, në këtë periudhë kohore janar – maj 2016, ndryshimi i vëllimit fizik është më i madh për 37,000 copë dërgesa ose rreth 34.6 për qind më i madh se në periudhën janar – maj 2015,” tregon ai, shkruan Telegrafi.

Sipas Alajt, në vitin 2014, totali i dërgesave ishte 220,000 copë, kurse gjatë vitit 2015, totali ishte 284,000 copë.

“Në periudhën kohore janar – dhjetor 2015, ndryshimi i vëllimit është më i madh për 64,000 dërgesa, ose diku rreth 30 për qind më shumë se në vitin 2014”.

Alaj ka treguar se pjesa më e madhe e rrugëtimit të dërgesave bëhet nëpërmjet rrugëve ajrore.

“Rreth 90 për qind e tyre në Kosovë arrijnë indirekt përmes Postës Shqiptare. Kjo, sepse disa nga shtetet si Kina, Hong Kongu, Singapori etj, pasi nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës, Kosova nuk figuron si shtet në listën e tyre dhe dërgesat duhet të dërgohen përmes Shqipërisë. Ndryshe mund të devijojnë për Serbi ose edhe të mos vijnë fare në Kosovë. Bazuar në këtë fakt, adresimi me rastin e porosive nga këta shtete duhet të bëhet në këtë mënyrë: Emri/mbiemri/rruga/qyteti/shteti/Kosova dhe në fund të shënohet VIA ALBANIA,” ka treguar Rifat Alaj, Menaxher i Qendrës Transite Postare.

Rajoni i cili më së shumti ka porosi të blerjeve online është rajoni i Prishtinës me rreth 40 për qind të porosive, i përcjellë nga rajoni i Prizrenit.

Zyrtarët e Postës thonë se siguria për blerjet online përmes Postës së Kosovës, është maksimale.

Alaj ka shpjeguar edhe si zhdoganohet vlera e dërgesave.

“Dërgesat të cilat kanë vlerë mbi 22 euro, do të zhdoganohen duke paguar TVSH-ja dhe taksat doganore që janë gjithsej 29.8 për qind (18 për qind TVSH+11.8 për qind taksa doganore) nga shuma e vlerës bazë të dërgesës”, tha ai.

Ndryshe Posta e Kosovës së fundi ka lançuar shërbimin “Gjurmimi i dërgesave” që i mundëson klientëve në çdo moment të jetë në përcjellje të rrugëtimit të dërgesës si nё ardhje ashtu dhe në shkuarje.

Kosova identifikohet me Kodin Postar “XZ”. Psh: RA199778428XZ.

Kurse në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar se numri i pagesave me kartela përmes internetit më 2015 është 469 mijë e 390 pagesa.

“Vlera e pagesave me kartela përmes internetit për vitin 2015 është 20 milionë e 371 mijë e 968 euro e 29 cent”, tregojnë statistikat e BQK-së.

 

/Telegrafi

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0