Biznesi i ri i njeriut të televizionit Turjan Hyska

Biznesi i ri i njeriut të televizionit Turjan Hyska


Falco, është aplikacioni, e së fundmi dhe emisioni më i veçantë në Shqipëri. Ideuar nga Turjan Hyska, Falco është një angazhim i nisur dy vite më parë. 

Në një intervistë për BusinessMag, ai na ka treguar më shumë rreth aplikacionit totalisht shqiptar Falco.

Pse Falco, çfarë simbolizon për aplikacionin?

Falco është skifteri, shpendi më i shpejtë në botë. Koncepti i aplikacionit është që ti duhet të nxitosh, duhet të kapësh ofertat.

Falco është një vend ku duhet të nxitosh që të fitosh. Por, nuk ka të bëjë thjesht me marrëdhënien biznes-individ. Gjithashtu kemi menduar ta sjellim si program televiziv, një risi që nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Si funksionon?

Programi do të realizohet një herë në javë dhe ti si përdorues në bazë të performancës apo pikëve që ke në aplikacion merr automatikisht një mesazh nga Falco, i cili të fton të fitosh para, por këtë duhet ta bësh i ndjekur nga kamerat. Le të themi një “Gjueti thesari” nëpër qytet dhe do të fitosh para cash, por urdhërat i merr vetëm nëpërmjet Falcos.

Pra njerëzit do të jenë duke parë në kohë reale performancën tënde…

Kjo është logjika.

Si arriti për një javë aplikacioni të mblidhte 25,000 shkarkime? Edhe aplikacione botërore nuk arrijnë të rriten kaq shpejtë, pa e ditur çfarë është.

Reklamimi është joreal, pra aplikacioni më shumë u imponua sesa u pëlqye. Kjo kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale, VIP-ave, lidhjeve të mia dhe emisioneve. Unë e përdora emrin tim, në një emision televiziv fola për Falcon. Publiciteti ishte i veçantë falë motos: “Shkarko Falco dhe Fito”, deri diku “i dhunshëm” duke e detyruar individin të përdorte kuriozitetin. Por, ne kemi rreth dy javë që nuk bëjmë marketing.

Si është ritmi i rritjes në këtë periudhë?

E pabesueshme, por shtohen 1500-2000 përdorues në ditë. Të jem i sinqertë reklama e fillimit (me pagesë në rrjetet sociale) na ndihmoi shumë dhe gjysma e parë e përdoruesve u bënë pjesë si pasojë e kuriozitetit të nxitur nga ne. Kemi zhvilluar një fushatë “agresive” në rrjetet sociale, të gjithë personazhet VIP pranuan menjëherë ta lançonin Falcon, mediat online ndihmuan me artikujt e tyre dhe rrjedhimisht ky ishte efekti që pati.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 48 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.

Sa përdorues aktivë ka në këto momente aplikacioni? Çfarë moshe kanë ata kryesisht?

Tani Falco ka arritur ta sigurojë vetë aktivitetin e tij, si pasojë e pëlqyeshmërisë dhe konkretisht kemi 10 mijë përdorues në ditë deri në 38 mijë në muaj. Njerëz që rrinë në aplikacion janë mesatarisht 6-10 në ditë, por kjo varet nga ditët. Realisht mund t’ju them që nuk keni parë asgjë akoma. Unë nuk e mendoj që do të kishte kaq efekt. Por, tani njerëzit janë të etur dhe duan pasurim me tipare e lojëra të reja. Përsa i përket moshës, përdoruesit variojnë rreth 18-40 vjeç dhe ajo që na bën kryesisht përshtypje është gjinia, pjesa më e madhe e përdoruesve janë meshkuj.

Çfarë do të ofroj më shumë Falco?

Do të kemi shumë risi. Për momentin po ndaj me ju vetëm dy:

I pari do të jetë programi, që është realisht risi, dhe së dyti do të shtojmë katër lojëra të reja. Fituesit nuk do të jenë në terma të përgjithshëm, por do të jenë dhe javor. Do të ketë çmime për ata që do të kapin pikët më të larta dhe kjo do të ndodhë çdo javë. Të dielën, pikët e përdoruesve zerohen duke iu dhënë mundësi të gjithëve të bëhen fitues të çmimeve të ndryshme.

Gjithë këtë përmbajtje me lojëra të reja, kush e krijon?

Janë katër vajza të impenjuara me këtë punë. Falco është një eksperiencë e re dhe emocionuese për mua, prandaj po merrem dhe vetë. Lojërat i ideoj unë, por kam një skuadër shumë të mirë programuesish.

Si kanë reaguar bizneset ndaj Falcos?

Mbi 100 biznese janë bërë pjesë e aplikacionit. Reagimi ka qenë pozitiv te shumica e tyre, por kjo mbetet për t’u parë me kalimin e kohës sepse dhe bizneset dhe individët duhet të farkëtojnë marrëdhënien e besimit.

Si e krijoni bashkëpunimin me ta? Ka një ekip që i kontakton?

Kemi një ekip marketingu, janë tre vajza që kujdesen për këtë pjesë. Ndërkohë, me kompanitë e mëdha merrem unë, por kemi arritur në një pikë ku bizneset vijnë vetë dhe na kontaktojnë për t’u bërë pjesë. Dua të theksoj gjithashtu që Falco nuk është vetëm për Tiranën, ne jemi të përhapur në të gjithë Shqipërinë edhe pse testin e parë po e bëjmë me bizneset e kryeqytetit.

Cili është vizioni i Falcos? Momentalisht jeni start up, mendon të zgjerohesh në Kosovë apo Maqedoni ndoshta dhe më larg?

Dëshira është që të paktën të zgjerohemi deri në Ballkan, por prapë ky nuk është synimi kryesor. Plani i zgjerimit besoj të jetë gati pas dy vitesh, por mendoj që ka akoma shumë punë për të bërë. Duhet studiuar në të gjitha drejtimet sepse është një cikël që nuk varet vetëm nga platforma. Mendoj të konsolidojmë njëherë Shqipërinë, si do të pritet emisioni, si do të priten lojërat.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 48 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.

Intervistoi Neada Muçaj

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0