Biznesi i mbjelljes së shafranit vendos rrënjë në Shqipëri - Business Magazine Albania

Biznesi i mbjelljes së shafranit vendos rrënjë në Shqipëri


Zafferano di Dumre, ky është edhe prodhimi më i ri “Made in Albania” që kultivohet në Dëshiran të Belshit. Familja Elezi ka qenë e para që ka eksperimentuar mbjelljen e bimës së rrallë falë lidhjes me një sipërmarrës italian, i cili vendosi të investojë në Shqipëri dhe pikërisht në Dumre për të rritur shafran të cilësisë së parë. Fillimisht familja Elezi eksperimentoi me 100 bimë, më pas me një sipërfaqe më të madhe dhe sot ka 3 dynym. Nexhipi, një prej vëllezërve që kujdeset për arën me shafran, na tregon punën që bën për të arritur deri tek pistili i çmuar dhe rrugëtimin deri në arën e shëndetshme me shafran.

“Zakonisht si gjithë  kulturat e tjera, toka duhet përgatitur një vit përpara me pleh organik dhe nuk përdoret asnjë lloj plehu kimik. Gjithçka është  bio.  Të gjithë  shërbimet e punët i ka me krahë. Kërkon nga 25  deri në 30 kuintal pleh organik  për dynym,” shprehet Nexhipi.

Jemi në fazën përfundimtare të mbledhjes së lules magjike me vlera të mëdha ushqimore por edhe tregtare. Një kilogram produkt shkon deri në 6 mijë euro, duke ruajtur cilësinë e parë për të cilën kompania ka marrë edhe certifikimin ndërkombëtar.

“Kompania është  e liçensuar në  bazë të procedurave të ACCP, që nënkupton siguri të lartë ushqimore gjatë gjithë fazave të përpunimit,” tha Nexhipi.

Shafrani kërkon vëmendje, kujdes dhe tokë të përzgjedhur. Familja Elezi i është përshtatur bimës pasi, siç thotë Nexhipi të kultivosh shafran është me leverdi edhe pse nuk kanë pasur asnjë nxitje nga shteti.

“Për këtë sipërfaqe që kemi sot, është viti i dytë. Ja vlen, por kjo kërkon edhe toka të përshtatshme. Jo në çdo sipërfaqe mbillet. Filimisht nuk e dinim, por më pas na thanë se ka subvencion për shafran, por duke parë sipërfaqen e vogël dhe subvencionin e shtetit, nuk kishim inters të bënim letrat fare,” tha Nexhip Elezi.

Largohemi nga ara me shafran në kodrën e përqafuar nga dielli për të kaluar në fazën tjetër, në laborator ku përpununohet dhe paketohet për tregun e huaj. Punëtorët, me kujdes të jashtëzakonshëm, ndajnë pistilin nga lulja e më pas e thajnë në një furrë të vogël për të kaluar në konservim për një muaj. Pjesën e dytë, por jo më pak të rëndësishme për të garantuar cilësinë, e ka merak vëllai tjetër i familjes Elezi, Dervishi. Ai na tregon se shafrani pasi mblidhet kërkon respektim të të gjitha fazave për të garantuar vlerat e tij dhe firma ka marrë edhe certifikimin ndërkombëtar ISO .

“Certifikimi ndërkombëtar është në përgjithësi në dëshirë të kompanive, por duke pasur detyrë themelore cilësinë e produktit kemi kërkuar që të bëjmë edhe certifikimin  kombëtar, sipas procedurës ushqimore dhe e kemi realizuar këtë. Tani jemi në vitin e tretë si kompani e certifikuar me standardin ISO,” thotë Dervishi.

Ai shpjegon se shafrani nuk ka lidhje me atë që quhet rëndom “shafrani i Indisë” ose kurkuma.

“Nuk është shafrani i Indisë, Shafrani është, pikërisht, kjo lule me këto pistile të kuq, të cilët veçohen dhe produkti është pistili në ngjyrë të kuqe. Kurkuma është një produkt tjetër, i një rrënje që thahet, bluhet ka vlerat e veta, por është tjetër nga shafrani shqiptar,” përfundoi Dervishi.

Arsyeja pse kjo bimë nuk është shpërndarë në të tjera ferma është se kompania që kërkon shafranin ka si kusht të ruajë të njëjtën markë, cilësinë e parë dhe të ketë të garantuar tregun e shafranit si produkt organik dhe pa asnjë shtesë kimike. Por nuk do të jetë e largët dita ku Dumreja do të kthejë sytë nga erëza magjike me vlera të mëdha ushqimore, shafrani, që tashmë është kthyer në markë “Zafferano di Dumre”.

burimi: reporter.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0