Bizneset po përpiqen të bëhen të dukshme në kërkimet me AI - Business Magazine Albania

Bizneset po përpiqen të bëhen të dukshme në kërkimet me AI

Bizneset po përpiqen të bëhen të dukshme në kërkimet me AI
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Inteligjenca Artificiale ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit marrin informacion nga interneti. Për shumë biznese, faqja e tyre e internetit është si një vitrinë kryesore, ndaj humbja e 140 milionë vizitave brenda një viti do të ishte një goditje e madhe.

Kjo është pikërisht ajo që i ndodhi HubSpot, dhe shkaku ishte AI. Kompania ofron mjete për shitje, marketing dhe shërbim ndaj klientit për biznese të tjera. Ashtu si shumë kompani të tjera, edhe HubSpot është prekur nga ndryshimi i madh në mënyrën se si njerëzit kërkojnë informacion online. Dikur kërkimi në internet kërkonte kohë dhe përpjekje, duke kaluar nëpër shumë rezultate derisa të gjeje atë që të duhej. Sot, njerëzit kanë akses të menjëhershëm në informacion, dhe mënyra se si marrin vendime ka ndryshuar rrënjësisht. Rënia e trafikut në faqet e internetit ka disa arsye. Motorët e kërkimit kanë ndryshuar algoritmet për të luftuar përmbajtjen e dobët të krijuar nga AI, duke e bërë më të rëndësishme që një faqe të konsiderohet e besueshme në një fushë specifike. Nga ana tjetër, përdoruesit po kalojnë gjithnjë e më shumë nga Google tek mjetet e AI, ndërsa vetë motorët e kërkimit tashmë ofrojnë përgjigje direkte me AI, pa qenë nevoja që përdoruesi të klikojë në një faqe tjetër. Si pasojë, normat e klikimeve për kërkimet që përfshijnë përgjigje të gjeneruara nga AI kanë rënë ndjeshëm.

Për këtë arsye, bizneset po përpiqen të kuptojnë si të shfaqen brenda përgjigjeve që jep AI. Kjo ka sjellë një koncept të ri të quajtur optimizimi për motorët e përgjigjeve, i njohur edhe si AEO apo GEO. Ai fokusohet në mënyrën se si një faqe mund të përmendet dhe përdoret nga AI, njësoj si SEO fokusohet te renditja në Google.

Lexo edhe: Një i verbër do të vrapojë maratonën me ndihmën e teknologjisë

Kjo kërkon të kuptosh si ka ndryshuar sjellja e kërkimit. Në vend të disa fjalëve të shkurtra, përdoruesit tani bëjnë pyetje shumë më të gjata dhe specifike. Për shembull, dikush mund të kërkojë një plan të plotë pushimesh për një familje, dhe për të qenë pjesë e përgjigjes, një kompani duhet të krijojë përmbajtje që i përgjigjet pikërisht këtyre pyetjeve në mënyrë natyrale. HubSpot ka ndryshuar mënyrën se si organizon përmbajtjen. Në vend të artikujve të gjatë dhe të detajuar, tashmë përdor pjesë të vogla informacioni që AI mund t’i identifikojë dhe përdorë lehtësisht. Kjo e bën më të thjeshtë që informacioni i tyre të përfshihet në përgjigjet e AI.Sot, një pjesë e konsiderueshme e vizitorëve të HubSpot vjen nga AI, dhe pritet që kjo të rritet edhe më shumë. Edhe kur përdoruesit nuk klikojnë drejtpërdrejt, ndikohen nga përgjigjet e AI dhe më pas kërkojnë markën në mënyra të tjera. Edhe biznese të tjera po përshtaten. Spice Kitchen, një kompani që shet sete me erëza, po ndërton një seksion të veçantë në faqen e saj mbi historinë e tregtisë së erëzave. Ky seksion nuk është thjesht për shitje, por për të krijuar autoritet dhe për të tërhequr përdorues që janë në fazën e kërkimit dhe informimit.

Fokusi nuk është më vetëm tek momenti kur klienti është gati për të blerë, por tek faza kur ai kërkon informacion dhe merr vendime. Për këtë arsye, rekomandohet krijimi i guidave të detajuara, krahasimeve dhe përmbajtjeve që japin përgjigje të plota. Ekspertiza, besueshmëria dhe autoriteti janë bërë më të rëndësishme se kurrë. Kjo arrihet përmes lidhjeve me faqe të tjera cilësore, transparencës mbi autorët dhe politikave të përmbajtjes. Nga ana tjetër, disa kompani po shohin rënie të vizitave sepse përdoruesit po marrin përgjigjet direkt nga AI dhe nuk kanë më nevojë të vizitojnë faqet. Megjithatë, të qenit i përmendur nga AI mund të sjellë përfitime të tjera, si rritja e besimit dhe më shumë klientë në dyqane fizike. Madje, në disa raste, mjetet si ChatGPT po sjellin më shumë trafik sesa vetë Google, duke treguar një ndryshim të madh në sjelljen e përdoruesve.

Për këtë arsye, disa kompani po ndjekin një strategji mbrojtëse, duke krijuar përmbajtje që AI mund ta përdorë si referencë. Kjo përmbajtje nuk fokusohet vetëm te produkti, por te mënyra se si ai zgjidh një problem konkret për klientin. Ndryshe nga motorët tradicionalë të kërkimit që fokusoheshin te fjalët kyçe, AI kërkon përmbajtje të qartë, të strukturuar dhe të kuptueshme. Prandaj, faqet po përfshijnë përmbledhje, pyetje të shpeshta dhe struktura më të organizuara për ta bërë më të lehtë për AI përpunimin e informacionit. Edhe pse shumë përdorues mjaftohen me përgjigjen e AI, një pjesë e tyre vazhdon të klikojë te burimi. Trafiku nga AI po rritet gradualisht dhe vizitorët që vijnë nga këto burime kanë më shumë gjasa të bëjnë blerje, pasi tashmë kanë marrë informacionin që u duhet dhe ndihen më të sigurt në vendimin e tyre.

BBC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0