Porsche është zotuar se do të prodhojë edhe më shumë variante të makinës se saj të parë sportive elektrike. Këtu përfshihet edhe një variant i bazuar në dizajnin e Mission E Cross Turismo. Kjo vjen, në kohën që kompania gjermane e makinave sportive dhe luksoze, përgatitet për revolucionin e pritshëm në industrinë automotive.
Makina 100% elektrike por edhe hibride, do të zënë 25% të dërgesave globale të kompanisë në vitin 2025, u shpreh kompania Gjermane në një deklaratë për shtyp të premten. Kompania parashikon të fillojë të shesë Porsche Mission E në vitin 2019. Ata prezantuan konceptin e Cross Turismo në Geneva Motor Show javën që shkoi.
Kompania me kthimin më të madh nga shitjet e Volkswagen Group, e cila këtë vit feston70 vjetorin e makinës së parë sportive, ka filluar seriozisht përgatitjet për një nga ndryshimet më të mëdha teknologjike, e cila prek së tepërmi edhe industrinë automotive. Ulja e normave të ndotjes, ka detyruar prodhuesit që të zhvillojnë makina hibride ose 100% elektrike. E gjithë kjo, ndonëse kërkesa për to vazhdon të mbetet e ulët. Porsche veçanërisht është e ekspozuar ndaj këtyre ligjeve duke patur parasysh se thuajse të gjithë makinat e saj kanë motorrë të fuqishëm.
“Për 10 vitet e ardhshëm, Porsche do të fokusohet në 3 shtylla kryesore. Optimizimi i makinave me motorrë me djegie të brendshme, modelet PLUG-IN HYBRID dhe makina sportive 100% elektrike.” Këto ishin fjalët e Oliver Blume, CEO i Porsche, në një fjalim pranë Porsche Museum. Ky ndodhet pranë zyrave qendrore të kompanisë, në Shtutgart të Gjermanisë. “Rajone të ndryshme të botës janë duke u zhvilluar ndryshe nga njëri-tjetri. Kështu, na duhet të jemi sa më fleksibël”, vazhdoi ai.
Burimi: Bloomberg