BE nis sot sistemin e ri të hyrje-daljeve, çfarë duhet të dinë udhëtarët - Business Magazine Albania

BE nis sot sistemin e ri të hyrje-daljeve, çfarë duhet të dinë udhëtarët

Bashkimi Europian do të nisë këtë të diel, më 12 tetor, zbatimin gradual të sistemit të shumëpritur të hyrje-daljeve (Entry/Exit System – EES) për shtetasit që nuk janë pjesë e BE-së. Ky sistem synon të përmirësojë sigurinë kufitare dhe të identifikojë udhëtarët që tejkalojnë afatin 90-ditor të qëndrimit në zonën Shengen brenda një periudhe 180-ditore.

Sipas Komisionit Europian, vendet anëtare do ta zbatojnë sistemin në faza gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, për shkak të nevojës për infrastrukturë të re teknologjike në pikat kufitare.

Sipas ‘The Independent’, vetëm Estonia, Luksemburgu dhe Republika Çeke do ta përdorin plotësisht sistemin që nga dita e parë. Në Zvicër, EES do të funksionojë fillimisht në aeroportet e Bazelit dhe Gjenevës, ndërsa Zyrihu do ta zbatojë më 17 nëntor. Në Gjermani, vetëm aeroporti i Dyseldorfit do ta aplikojë sistemin që nga 12 tetori, ndërsa Frankfurti dhe Mynihu do të ndjekin më vonë.

Çfarë ndryshon për udhëtarët?

Në kufijtë ku është vendosur EES, udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe vende të tjera jashtë BE-së do të duhet të skanojnë pasaportat në terminale vetëshërbimi. Sistemi do të regjistrojë të dhëna biometrike (fotografi dhe gjurmë gishtash) që ruhen për tre vjet. Kjo do të thotë se gjatë hyrjeve të ardhshme mjafton një verifikim i shpejtë biometrik.

Udhëtarët nga BE-ja, banorët afatgjatë dhe mbajtësit e vizave të gjata nuk preken nga ky rregull.

Lexo edhe: Elon Musk njofton se Grok do të zbulojë deepfake-et dhe do të gjurmojë origjinën e tyre

Rreziku i vonesave në kufi

Agjencitë e udhëtimit paralajmërojnë se zbatimi fillestar mund të sjellë vonesa në pikat kufitare. Julia Lo Bue-Said, drejtore ekzekutive e ‘Advantage Travel Partnership’, i tha BBC-së se “udhëtarët duhet të lënë 3–4 orë kohë për të kaluar kontrollet e reja”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, pasagjerët që udhëtojnë përmes Portit të Doverit, Eurotunelit apo Eurostar-it do të regjistrohen në dalje, nën mbikëqyrjen e autoriteteve franceze. Fillimisht, vetëm trafiku i mallrave dhe autobusëve do të përfshihet në sistem, ndërsa udhëtarët me makina do t’i nënshtrohen kontrolleve nga 1 nëntori.

Eurostar ka njoftuar se do të dyfishojë numrin e sporteleve dhe do të lejojë pasagjerët të hipin në tren 30 minuta më herët për të shmangur vonesat.

Çfarë vjen më pas?

Në vitin 2026 pritet të hyjë në fuqi sistemi tjetër europian, ETIAS, i cili do të kërkojë që udhëtarët pa viza të plotësojnë një aplikim online dhe të paguajnë një tarifë prej 20 eurosh për të hyrë në zonën Shengen. ETIAS do të bëhet detyrues në vitin 2027, pas një periudhe kalimtare.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0