Ministrat e Jashtëm të Bashkimin Europian kanë rënë dakord njëzëri në mbledhjen e sotme online që të hapin dritën jeshile për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një lajm i tillë është konfirmuar edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili thekson se ky vendim është një mesazh i rëndësishëm për dy vendet, që e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.
Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj shkruan se ky vendim është një moment kthese në ëndrrën europiane. “Të dua përtej fjalëve, Shqipëri”!, shkruan ministri, në reagimin e tij ndaj hapjes së negociatave.
“Shumë i kënaqur që vendet anëtare të BE-së arritën sot një marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë i uroj me gjithë zemër të dy vendet. Ky është një mesazh se Ballkani Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, shkruan ai.
Nga ana tjetër, ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, e quan fitore të merituar, çeljen e bisedimeve me BE-në. “Lajm i mirë në këto kohë të errëta: më në fund drita jeshile në Këshillin e Ministrave të sotëm për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me miqtë tanë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Fitore për BE-në dhe Ballkanin Përëndimor. Urime në Tiranën dhe Shkupin, është e merituar”, shkruan Roth.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto