Barnatari, sistemi i digjitalizimit për pajisjet mjekësore shpallet fituesi i "ICT Shërbimi Publik i vitit" në Kosovë - Business Magazine Albania

Barnatari, sistemi i digjitalizimit për pajisjet mjekësore shpallet fituesi i “ICT Shërbimi Publik i vitit” në Kosovë


Barnatari është produkti i cili mundëson shërbimin online ndaj bizneseve farmaceutike që operojnë në Republikën e Kosovës. Bizneset me anë të këtij sistemi aplikojnë online për leje e importit dhe eksportit të produkteve dhe pajisjeve farmaceutike dhe licencim të veprimtarive. Sistemi shumëgjuhësh operon në Shqip, Anglisht dhe Serbisht.

Në një intervistë për Business Magazine Albania, Z. Astrit Desku, pjesë e ekipit të Barnatari na tregon më shumë rreth këtij projekti.

BM: Përshëndetje Z. Astrit. Përpara se të flasim më shumë rreth projektit, na tregoni pak për eksperiencën tuaj në ICT Awards.

barnatari-sistemi-i-digjitalizimit-per-pajisjet-mjekesore-shpallet-fituesi-i-ict-sherbimi-publik-i-vitit-ne-kosove-business-magA: Përshëndetje. Për mua ishte hera e parë pjesëmarrja në këtë ngjarje dhe mund të them se ishte një përjetim i jashtëzakonshëm i cili do të mbetet gjatë në kujtesën time. Organizimi ishte shumë i mirë dhe të gjitha çmimet e ndara mendoj se kanë qenë të merituara në kategoritë e tyre. Pra vlerësimet e jurisë kanë qenë reale dhe shumë kompetente.

Dimensioni gjithëpërfshirës i trevave shqiptare dhe mirënjohjet e shpërndara ishin shumë domethënëse dhe meriton një vëmendje të posaçme.

Me këtë rast falënderoj përzemërsisht ICT Media për organizimin dhe jurinë për vlerësimin e projektit tonë me vendin e parë në këtë kategori.

BM: Me çfarë ka të bëjë ky projekt? Çfarë lehtësirash do t’u sjellë bizneseve farmaceutike?

A: Projekti si objektiv parësor ka digjitalizimin e proceseve të punës brenda AKPPM-së përmes ofrimit të shërbimeve online për bizneset farmaceutike që veprojnë në Kosovë.

Sistemi Barnatari është produkt sofware-ik me anë të të cilit janë digjitalizuar 81 shërbime të cilat AKPPM i ofron ndaj bizneseve farmaceutike, duke përfshirë lejet e importit, lejet e eksportit, licencat e veprimtarive dhe lejet e autorizimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

Barnatari iu mundëson bizneseve aplikimin online për shërbimet e digjitalizuara 24 orë të ditës. Procesi i aplikimit kalon nëpër disa faza sikurse janë: plotësimi i formularëve varësisht nga tipi i aplikimit, ngarkimi i dokumentacioneve të nevojshme, pagesat online për shërbimet e caktuara dhe aplikimi për banderola. Pas fazës së aplikimit, aplikacioni kalon në procedurat e zyrtarëve të AKPPM-së, përmes një procedure plotësisht të digjitalizuar – workflow. Kjo procedurë kalon nëpër disa nivele të aprovimit, pas secilit nivel i bëhet vlerësimi nga zyrtari përkatës i kushteve për të kaluar në nivelin tjetër. Nëse kushtet plotësohen kalohet në nivelin pasardhës, në të kundërt aplikacioni mund të kthehet tek biznesi për plotësim të kushteve apo mund të refuzohet. Nëse aplikacioni i kalon me sukses të gjitha nivelet e aprovimit, biznesi nga llogaria e tij mund ta shkarkoj licencën përkatëse nga sistemi.

Në këtë mënyrë bizneset të gjitha shërbimet i kryejnë nga zyrat e tyre, për të cilat më parë ka qenë e nevojshme prezenca fizike në zyrat e AKPPM-së deri në 5 herë për një licencë. Me këtë sistem bizneset mund të informohen në çdo kohë për statusin e aplikimit të tyre.

Që nga futja në përdorim e deri më tani bizneset kanë realizuar me anë të Barnatari rreth 8 mijë kërkesa për leje të ndryshme, kanë marrë leje për importin e mbi 63 milionë dhe eksportin e mbi 250 mijë njësi produktesh dhe pajisjesh medicinale, gjithashtu janë shtypur mbi 20 milionë copë banderola.

BM: Sa kohë ka që është hedhur në treg dhe si ka qenë ecuria e tij?

A: Idetë fillestare për këtë projekt kanë filluar në muajin Shtator të vitit 2014. Pas një pune përgatitore gjatë vitit 2015 është vazhduar me analizën e kërkesave, modelimin dhe zhvillimin software-ik të projektit. Në fillim të vitit 2016 është filluar pilotimi për disa module më specifike, ndërsa nga data 1 Prill 2016 sistemi Barnatari është vendosur plotësisht në përdorim. Aktualisht në Barnatari janë të regjistruara rreth 2500 llogari për bizneset dhe rreth 40 llogari për zyrtarët e AKPPM.

BM: Kush është ekipi që po merret me këtë projekt?

A: Sistemi Barnatari është implementuar sipas parimit TurnKeySolution nga kompania vendore KOMTEL Project Engineering të cilët aktualisht e kanë në mirëmbajtje sistemin, duke siguruar kështu mbarëvajtjen e sistemit dhe shtimin e funksionaliteteve të reja sipas nevojës. Nga AKPPM përveç zyrtarëve të cilët e përdorin sistemin për veprimet e tyre ditore, është edhe zyra e IT-së e cila kryesisht merret me sigurimin e infrastrukturës për mbarëvajtjen e sistemit.

BM: Cilët kanë qenë partnerët që e kanë mbështetur “Barnatarin”? A keni patur mbështetje nga qeveria e Republikës së Kosovës?

A: AKPPM është institucion në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës. Sistemi Barnatari është financuar plotësisht nga AKPPM. Andaj përveç AKPPM dhe Ministrisë së Shëndetësisë si përfitues direkt të projektit, bashkëpunim të mirë kemi patur me institucionet tjera relevante me projektin sikurse janë Doganat e Kosovës, ARBK ( Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës) dhe Odën e Farmacistëve të Kosovës. Gjithashtu duhet theksuar bashkëpunimet me disa ekspertë farmacistë dhe biznese farmaceutike të Kosovës në fazat e para të modelimit dhe pilotimit të sistemit.

BM: Pse menduat të vinit në ICT Awards me këtë ide në fushën e farmaceutikës/mjekësisë dhe jo me diçka tjetër?

A: Mendoj se është një sistem unik në rajon në tregun e farmaceutikës i cili ka zgjidhur mjaft probleme si bizneseve farmaceutike ashtu edhe AKPPM-së. Është produkt i kompletuar dhe shumë cilësor për funksionalitet që i ka.

Kemi marrë shumë mirënjohje nga bizneset që aktualisht e përdorin Barnatarin dhe vlerësime të mira nga zyrtarët e AKPPM-së. Pra kemi menduar se ka qenë produkti më i mirë në një institucion publik në Kosovë dhe këtë e dëshmoi edhe vlerësimi nga juria e ICT Awards.

Gjithashtu duke e ditur edhe impaktin që do të kishte vlerësimi nga ICT Awards, kemi menduar se ky do të ishte promovimi më i mirë që do t’i bëhej produktit Barnatari, kompanisë KOMTEL Project Engineering si implementuese e projektit dhe AKPPM-së si institucion publik i Kosovës.

https://www.facebook.com/ictawards.org/videos/797887470367781/

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0