Që këtu nis një marrëdhënie e vështirë me bankën, por që është një zgjidhje e një momenti të caktuar. Vendi ynë vijon të ketë normat më të larta të interesit në marrjen e një kredie, por që gjithsesi këto vitet e fundit është parë një mundësi lehtësimi në këtë drejtim. Por kushtet për marrjen e saj mbeten të vështira, sidomos për sipërmarrësit.
Këtë e tregojnë dhe rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues, të cilat treguan shtrëngim të standardeve të kreditimit për bizneset dhe lehtësim të standardeve të kreditimit për individët në tremujorin e tretë të vitit 2016. Shtrëngimi i lehtë i kushteve të kreditimit për bizneset është shënuar për ndërmarrjet e mëdha, ndërsa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kushtet kanë mbetur të pandryshuara.
Për individët, bankat kanë vijuar të lehtësojnë standardet për kredinë konsumatore, ndërsa standardet për kredinë për blerje banese kanë mbetur thuajse të pandryshuara nga një tremujor më parë. Faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve vijojnë të mbeten kreditë me probleme, faktorët që lidhen me problemet specifike të sektorit, dhe perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike.
Ndërkohë, konkurrenca në tregun bankar, niveli i likuiditetit të bankave dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë janë ndër faktorët që kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredisë dhënë individëve.
Politika shtrënguese e bankave ndaj kredive për biznese u zbatua nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral, ndërsa lehtësimi i kushteve të kredisë për individë u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë, zvogëlimit të komisioneve dhe rritjes së raportit të kërkuar të këstit ndaj të ardhurave. Kërkesa për kredi regjistroi rritje në tremujorin e tretë të vitit 2016, sipas raportimeve të ekspertëve të bankave, si nga bizneset ashtu edhe nga individët.
Për bizneset, rritja u shënua kryesisht nga ndërmarrjet e mëdha, ndërsa ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shfaqën rënie të kërkesës. Për sa i takon kërkesës së individëve, bankat raportuan rritje të kërkesës, si për kredinë konsumatore ashtu dhe për kredinë për blerje banese.
Bankat presin që standardet e kredisë për biznese të mbeten thuajse të pandryshuara, ndërkohë që ato për individë pritet të lehtësohen gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016. Kërkesa për kredi pritet të shënojë rritje në tremujorin e katërt të vitit 2016, si për bizneset ashtu edhe për individët.
Kredia për individë
Sipas Bankës Qendrore, bankat kanë vijuar të lehtësojnë standardet e kredive të akorduara individëve në tremujorin e tretë të vitit 2016. Sipas përgjigjeve të agreguara të bankave, standardet u lehtësuan për kreditë konsumatore, ndërsa kanë mbetur thuajse të pandryshuara për kreditë për blerje banese. Bankat u shprehën se standardet e kredisë së akorduar individëve do të lehtësohen në tremujorin e katërt të vitit 2016, si për kreditë për blerje banese ashtu edhe për financim konsumi.
Lehtësimi i mëtejshëm i standardeve të kredisë së dhënë për individët pasqyroi kryesisht presionet e vazhdueshme të konkurrencës në sektorin bankar. Balanca neto pozitive e vlerësuar për gjendjen e likuiditetit të bankave dhe mjaftueshmërisë së kapitalit sugjeron gjithashtu për ndikim në rritje të këtyre faktorëve në lehtësimin e standardeve.
Kreditë me probleme, situata në tregun e pasurive të paluajtshme dhe gjendja financiare e individëve kanë vepruar në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies për individët. Politika lehtësuese e bankave ndaj kredive për individët gjatë tremujorit të tretë të vitit 2016 u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë.
Gjithashtu në kahun lehtësues por në një masë më të vogël, kanë vepruar edhe kushtet e tjera, si ngushtimi i marzhit për kreditë me rrezik, zvogëlimi i komisioneve dhe kërkesave për kolateral, rritja e raportit të këstit ndaj të ardhurave, e madhësisë dhe maturitetit maksimal të kredisë. Kërkesa për kredi. Bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2016. Ky rezultat është në linjë me pritjet e bankave nga vrojtimi i kaluar.
Rritja e kërkesës është regjistruar si për kredinë konsumatore ashtu dhe për kredinë për blerje banese. Ekspertët e bankave presin që kërkesa e individëve të jetë me rritje edhe në tremujorin e fundit të vitit.
burimi: gazetadita
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.