Banka e Shqipërisë prezanton rregulloren e re mbi sigurinë kibernetike - Business Magazine Albania

Banka e Shqipërisë prezanton rregulloren e re mbi sigurinë kibernetike

Banka e Shqipërisë prezanton rregulloren e re mbi sigurinë kibernetike

Banka e Shqipërisë ka prezantuar një projekt-rregullore të re, e cila synon të rrisë ndjeshëm sigurinë kibernetike dhe qëndrueshmërinë operacionale në të gjithë sistemin financiar. Drafti, i quajtur “Për qëndrueshmërinë operacionale digjitale”, vendos standarde të unifikuara për mbrojtjen e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit që mbështesin aktivitetin e bankave, institucioneve jobanka, ofruesve të parasë elektronike dhe pagesave, si edhe kompanive që operojnë me kripto-asete apo shërbime të palëve të treta në fushën e IT-së

Rregullorja kërkon që çdo institucion financiar të ndërtojë një sistem të brendshëm qeverisjeje dhe kontrolli që administron në mënyrë efektive të gjitha rreziqet që lidhen me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Në këtë kuadër, subjektet duhet të krijojnë një arkitekturë të plotë dhe të dokumentuar të administrimit të rrezikut të TIK, e cila përfshin strategjitë, politikat dhe procedurat për mbrojtjen e aseteve të informacionit, pajisjeve, serverëve, qendrave të të dhënave dhe infrastrukturave të tjera kritike.

Qëllimi final është ndërtimi i një niveli më të lartë të qëndrueshmërisë digjitale, duke parandaluar dëmtimet, aksesin e paautorizuar apo humbjen e të dhënave. Institucionet financiare duhet të garantojnë gjithashtu ndarje dhe pavarësi të qartë mes funksioneve të administrimit të TIK, kontrollit dhe auditimit të brendshëm, sipas modelit të mirënjohur të tri linjave të mbrojtjes.

Lexo edhe:Nis në 2026 programi kombëtar për përgatitjen e kompanive për BE

Teknologjitë dhe proceset që përdoren duhet të jenë të përditësuara, të besueshme dhe të afta të përballojnë volum të lartë të dhënash dhe transaksionesh, edhe në kushte stresi apo pasigurie në treg. Sistemet duhet të jenë fleksibël dhe të përgjigjen me efikasitet ndaj ndryshimeve teknologjike, pa kompromentuar sigurinë apo funksionimin normal.

Një komponent kyç i projekt-rregullores është monitorimi i vazhdueshëm i sigurisë së sistemeve të TIK. Institucionet detyrohen të përdorin zgjidhje teknologjike që sigurojnë transferimin e mbrojtur të informacionit dhe minimizojnë rreziqet e korruptimit të të dhënave, defekteve teknike, aksesit të paautorizuar apo ndërprerjeve të disponueshmërisë. Po aq i rëndësishëm është garantimi i konfidencialitetit, integritetit dhe autenticitetit të të dhënave, si edhe parandalimi i gabimeve që mund të lindin nga administrimi i dobët apo ndërhyrjet njerëzore.

Rregullorja pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik 2027. Por menjëherë pas miratimit, të gjitha subjektet financiare do të detyrohen të nisin përgatitjet për zbatimin e kërkesave të reja dhe të raportojnë çdo tre muaj në Bankën e Shqipërisë. Ky hap shënon fillimin e një faze të re për sigurinë kibernetike në sektorin financiar shqiptar.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0