Ndaj sot ka një plan të përbashkët veprimesh që angazhon Bankën e Shqipërisë dhe sistemin bankar për të përmirësuar rregulla dhe iniciativa konkrete, me synim nxitjen e kreditimit si një burim i pazëvendësueshëm për rritjen ekonomike dhe ndërmjetësimin financiar.
Aktualisht në Shqipëri, kreditimi mesatar i sektorit privat nga bankat, (si peshë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto), është në një nivel më të ulët krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian. Sipas Bankës së Shqipërisë, pas krizës financiare globale të vitit 2008, kjo tregon për rritjen e rrezikut të veprimtarisë dhe rënien e kërkesës për kredi.
Megjithatë, treguesit financiarë të sektorit bankar dhe të dhënat e vrojtuara sa i përket ngarkesës me borxh të familjeve dhe të ndërmarrjeve, dëshmojnë se potenciali për zgjerimin e kreditimit në tërësi dhe në sektorë të caktuar është i konsiderueshëm. Duke treguar kujdesin e nevojshëm dhe në varësi të ecurisë së kërkesës për kredi, bankat kanë hapësira për të rritur kreditimin me ritme më të shpejta, veçanërisht në monedhën kombëtare dhe në drejtim të sektorëve e subjekteve që kanë qenë më pak të financuar deri tani.
Me qëllim shfrytëzimin e këtij potenciali, është hartuar kjo platformë nëpërmjet së cilës identifikohen disa veprime që ndihmojnë në uljen e rrezikut të kreditimit dhe krijojnë kushte më të mira për rritjen e kreditimit. Platforma prek politikat e kreditimit të bankave, sistemet e pagesave dhe edukimin financiar, por nuk kufizon dhe nuk përjashton ndërmarrjen e veprimeve të tjera mbështetëse. Për realizimin e veprimeve të përfshira në platformë, Sipas BSH, nevojitet përmirësimi i akteve ligjore e nënligjore dhe bashkëpunimi efektiv midis institucioneve publike.
Duke monitoruar në vijimësi ecurinë dhe strukturën e kreditimit, platforma do të rishikohet në mënyrë të rregullt dhe, në varësi të ecurisë së kreditimit, do të pasurohet me elemente të tjera ose do të vlerësohet si e përmbushur.
Platforma parashikon:
- Zgjerimin e skemave financiare
- Diversifikimin e kolateralit
- Zgjerimin e bazës së kreditueshme të Shqipërisë
- Identifikimin e sektorëve prioritarë për kreditim
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.