Banka e Shqipërisë anëtarësohet zyrtarisht në EACHA – Shoqata Evropiane e Shtëpive të Automatizuara të Klerimit, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm drejt përafrimit dhe integrimit evropian në fushën e pagesave.
Ky anëtarësim u miratua unanimisht gjatë mbledhjes plenare të datës 15 maj 2025 të EACHA-s, nën drejtimin e Kryetarit të Bordit z. Jose Luis Langa dhe Sekretarit të Përgjithshëm z. Steven Brown, ku Banka e Shqipërisë u përfaqësua nga zj. Ledia Bregu, Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës, dhe zj. Marsida Ganaj Përgjegjëse e Sektorit të Sistemeve të Pagesave.
Pse është e rëndësishme?
EACHA shërben si një forum bashkëpunimi për Shtëpitë Evropiane të Automatizuara të Klerimit (ACH), duke nxitur bashkëpunimin teknik dhe promovuar ndërveprueshmërinë ndërmjet sistemeve kombëtare të pagesave. Tashmë, së bashku me Shqipërinë dhe Ukrainën, EACHA numëron 28 institucione anëtare nga 26 vende dhe luan një rol kyç në formësimin e të ardhmes së pagesave me vlerë të vogël në Evropë. Kjo shoqatë beson dhe mbështet zhvillimin e një vizioni të përbashkët evropian për të ardhmen dhe zbatimin e harmonizuar të politikave dhe skemave evropiane të pagesave, duke përfshirë ndërveprueshmërinë bazuar në standarde të hapura.
Përfshirja e Bankës së Shqipërisë në EACHA përputhet me përpjekjet më të gjera të vendit për t’u integruar në peizazhin financiar evropian. Në veçanti, anëtarësimi së fundi i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) pritet të mundësojë transaksione më të shpejta dhe më të lira, duke rritur efikasitetin dhe përballueshmërinë e pagesave ndërkufitare në Euro për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Vlera e shtuar për Shqipërinë
Ndërveprueshmëri e përmirësuar: Anëtarësimi në EACHA do t’i mundësojë Bankës së Shqipërisë të harmonizojë sistemet e saj të klerimit dhe shlyerjes me standardet evropiane, duke nxitur transaksione efikase vendase dhe ndërkufitare.
Bashkëpunim teknik: Pjesëmarrja në EACHA siguron akses në një rrjet të gjerë të ACH-ve evropiane lidere në treg, si edhe në praninë e institucioneve evropiane me rëndësi si EPC dhe ECB, nxit shkëmbimin e praktikave më të mira dhe zhvillimin e përbashkët të zgjidhjeve inovative të pagesave.
Orientim strategjik: Ky anëtarësim mbështet objektivat strategjikë të Shqipërisë për integrim në BE, duke përafruar praktikisht infrastrukturën e saj financiare me direktivat dhe rregulloret evropiane. EACHA, duke lobuar në Evropë në emër të anëtarëve të saj, synon të jetë një forum shkëmbimi informacioni dhe diskutimi të çështjeve me interes të përbashkët. Kjo shoqatë ofron mundësi për rrjetëzimin ndërmjet ACH-ve evropiane dhe zhvillon udhëzime të përbashkëta për të lehtësuar ndërveprimin për klerimin dhe shlyerjen e pagesave SEPA.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.