Banka Botërore: Shqipëria në prag të deflacionit - Business Magazine Albania

Banka Botërore: Shqipëria në prag të deflacionit


Banka Botërore pranoi publikisht për herë të parë se Shqipëria rrezikon deflacionin. Kur këtë alarm e dha opozita, pak muaj më parë, qeveria angazhoi ministra, deputetë dhe ekspertë pranë saj që ta kundështonin. Por inflacioni në 0.2 %, shumë larg 3 % që pret Banka e Shqipërisë, është këmbanë e fortë alarmi. Tani, një tjetër këmbanë bie nga të dhënat e konsumit për vitin 2015. Ato tregojnë se konsumi ishte negativ, për herë të parë prej 6 vjetësh. Lapsi.al po sjell më poshtë shifrat zyrtare të publikuara në një shkrim të revistës Monitor.

Ankesat e shumta të biznesit se ka një rënie të dukshme të shitjeve, teksa konsumatorët sa vijnë e po e shtrëngojnë dorën, tashmë janë të konfirmuara dhe zyrtarisht. Sipas të dhënave të INSTAT, konsumi i popullatës ka shënuar një rënie me gati 0.2% në vitin 2015, duke kaluar në territor negativ për herë të parë që nga viti 2010, kur dhe raportohet kjo e dhënë.
Një vit më parë, në 2014-n, konsumi ishte rritur me rreth 2.7%, ndërsa më dobët ishte në 2012-n, me një rritje minimale prej 0.13% (shiko grafikun Konsumi Final i Popullatës).

Në një ekonomi, 50% e prodhimit të brendshëm bruto të së cilës vjen nga tregtia e shërbimet, konsumi është një element mjaft i rëndësishëm , që ndikon në rritjen e vendit.

Rritja e papunësisë për dy tremujorë radhazi (nga 17.3% në tremujorin e dytë 2015, në 17.5% dhe 17.7% përkatësisht në të tretin dhe të katërtin, sipas INSTAT), ngadalësimi i rritjes së pagave apo dhe rënia reale e tyre si dhe largimi masiv i njërëzve nga vendi (kërkesat për azil në shtetet e BE-së u rritën 439% në 2015-n), të kombinuara këto me pasigurinë për të ardhmen, vlerësohen si faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë negative.

Sipas të dhënave tremujore, konsumi ishte në territor negativi në dy tremujorët e parë të vitit, përkatësisht -1.1% dhe -3%, për t’iu kthyer rritjes pozitive në gjysmën e dytë të vitit, përkatësisht me 1.74% dhe 2.42%. Teksa kjo periudhë përkon me fillimin e luftës ndaj informalitetit dhe rritjen e deklarimit të xhiros nga bizneset (kryesisht ato tregtuese të vogla) është e vështirë të bëhet ndarja nëse ky zgjerim konsumi ka qenë real apo fiktiv.

Ndërsa konsumi gjithsej (përfshirë dhe administratën publike) shënoi një rënie prej 0.5% në 2015-n, teksa dhe administrata publike e kishte këtë tregues negativ, për herë të parë që nga viti 2010 (shiko grafikun Ecuria e konsumit gjithsej).

Rënia e konsumit jep alarmin për deflacionin

Në shkurt dhe mars të këtij viti inflacioni arriti pranë zeroz, përkatësisht me 0.2 dhe 0.3% (ndryshimi vjetor), duke ngjallur debatet nëse kjo tendencë reflekton një rënie të konsumit apo është për shkak të faktorëve të tjerë, si ulja e çmimeve të naftës, mbiprodhimi vendas, apo inflacioni i ulët i importuar. Gjithsesi, në një ekonomi, ku prodhimi mungon dhe që është tepër e varur nga konsumi, rënia e këtij të fundit është një sinjal negativ.

 

/Lapsi.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0