Baboon Delivery feston 10 vite: “Kjo dekadë është vetëm fillimi” – Intervistë me Genti Selenicën, CEO & Co-Founder - Business Magazine Albania

Baboon Delivery feston 10 vite: “Kjo dekadë është vetëm fillimi” – Intervistë me Genti Selenicën, CEO & Co-Founder

Baboon Delivery, 10 vite më pas: historia e një startup-i shqiptar që nuk u dorëzua

Baboon Delivery, një nga pionierët e delivery-t teknologjik në Shqipëri, shënon këtë vit 10 vjet nga lançimi në treg. Në një ekosistem sfidues për startupe, kjo përvjetor nuk është thjesht simbolik, por një moment reflektimi dhe ripërcaktimi të vizionit për të ardhmen. Në këtë intervistë për Business Magazine Albania, CEO dhe bashkëthemeluesi Genti Selenica flet për rrugëtimin, sfidat dhe çfarë na pret pas këtij 10-vjetori.

Lexo edhe: Baboon Delivery, 10 vite më pas: historia e një startup-i shqiptar që nuk u dorëzua

Business Magazine Albania:

Baboon Delivery mbushi 10 vite këtë shkurt. Çfarë përfaqëson ky moment për ju personalisht dhe për kompaninë?

Genti Selenica:
Për mua është mbi të gjitha një moment falënderimi. Kur e nisëm Baboon, nuk po mendonim për përvjetorë apo shifra. Po mendonim si të mbijetonim dhe si të ndërtonim diçka që të kishte kuptim. Të arrish 10 vite në Shqipëri, në teknologji, është dëshmi që nuk je dorëzuar. Është krenari, por edhe përgjegjësi për atë që vjen më pas.

BMA:

Baboon ka kaluar disa periudha shumë të vështira gjatë kësaj dekade. Cila ka qenë sfida më e madhe?

G.S.:
Nuk ka qenë një sfidë e vetme. Kanë qenë shumë të vogla që bashkë bëhen të mëdha. Tërmeti, pandemia, moti ekstrem, presioni operacional, mungesa e infrastrukturës, skepticizmi i tregut. Sfida më e madhe ka qenë të ruanim besimin e ekipit dhe të klientëve në momentet kur gjithçka ishte e paqartë. Dhe mendoj se aty e kemi fituar betejën.

BMA:

Çfarë e ka mbajtur Baboon gjallë për 10 vite, kur shumë startupe të tjera janë mbyllur?

G.S.:
Njerëzit. Pa dyshim.
Teknologjia ndryshon, tregu ndryshon, por kultura dhe njerëzit janë baza. Motoristët tanë, partnerët, stafi, të gjithë kanë bërë sakrifica reale. Baboon nuk është ndërtuar nga perfeksioni, por nga përkushtimi dhe përgjegjësia për t’u përmirësuar çdo ditë.

BMA:

Si ka evoluar Baboon nga një ide e thjeshtë në një platformë të qëndrueshme?

G.S.:
Me shumë prova dhe gabime. Nuk kemi pasur luksin e kapitalit të madh apo kushteve ideale. Çdo përmirësim ka ardhur nga nevoja reale e tregut. Kemi dëgjuar klientët, kemi mësuar nga partnerët dhe kemi investuar gradualisht në teknologji, logjistikë dhe procese. Evolucioni ka qenë organik, jo artificial.

BMA:

Çfarë risish apo zhvillimesh sjell ky 10-vjetor për Baboon?

G.S.:
Ky përvjetor shënon një fazë të re. Po fokusohemi më shumë te përvoja e përdoruesit, te besnikëria e klientëve dhe te efikasiteti operacional. Kemi projekte të reja që lidhen me shërbime të përmirësuara, programe besnikërie dhe një qasje më të thellë ndaj teknologjisë. Jo për të qenë më të mëdhenj, por për të qenë më të mirë.

BMA:

Duke parë përpara, si e imagjinoni Baboon në 10 vitet e ardhshme?

G.S.:
E imagjinoj më të pjekur, më të fokusuar dhe me impakt më të madh. Jo domosdoshmërisht si një kompani që bën gjithçka, por si një platformë që bën disa gjëra shumë mirë. Dhe mbi të gjitha, si një kompani që vazhdon të krijojë mundësi reale pune dhe zhvillimi në Shqipëri.

BMA:

Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që duan të ndërtojnë diçka këtu?

G.S.:
Të mos presin momentin perfekt. Nuk vjen kurrë.
Të jenë të përgatitur për vështirësi reale dhe të kuptojnë që suksesi nuk është linear. Nëse ke durim, këmbëngulje dhe njerëz të duhur pranë, edhe në Shqipëri mund të ndërtosh diçka që zgjat.

BMA:

Në një fjali të vetme: çfarë është Baboon sot?

G.S.:
Baboon është një histori njerëzish që nuk u dorëzuan.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0