Unë besoj se rritja e numrit të grave të suksesshme në një rol udhëheqës, do të krijojë një narrativë të re të lidershipit.
Çfarë e bën një femër të suksesshme në një rol udhëheqës?
Studimet mbi lidershipin tregojnë se mungesa e pranisë së grave në udhëheqje shpjegohet me hezitimin e tyre për të ndërmarrë një rol udhëheqës, me dekurajimin prej faktorëve socio-kulturorë dhe organizativë si dhe prej perceptimit te një efikasiteti më të ulët në role të tilla, në krahasim me burrat. Studime të tilla theksojnë se gjinia ndikon në të katër fushat e efikasitetin të lidershipit – Karakteri, Kompetenca, Komunikimi dhe Konteksti (Callahan & Grunberg) – dhe se ndikimi gjinor është kryesisht për shkak të “stereotipizimit”, i cili ndikon tek perceptimet dhe mentaliteti.
Gratë si dhe burrat i mbajnë gjallë këto stereotipe, në mënyra të ndryshme dhe për arsye të ndryshme. Ndërsa stereotipizimi është i dobishëm për vendimmarrje të shpejtë dhe kur mungon koha dhe arsimimi, ai pengon lidershipin efektiv, biznesin dhe inovacionin social, të cilat kërkojnë të menduarin kritik dhe mobilizimin e potencialit së pashfrytëzuar të grave në rolet udhëheqëse.
Ndërsa udhëheqësit femra dhe meshkuj mund të jenë ekspertë të të njëjtit nivel në anën teknike të një roli udhëheqës, perceptimi se ka ndryshime në forcën influencuese, në inteligjencën e komunikimit dhe në aftësitë e ndërlidhjeve, ndikojnë dukshëm efikasitetin udhëheqës të gruas.
Si mund të kapërcejnë gratë kufizimet e stereotipit gjinor në efikasitetin e tyre udhëheqës?
Për 4 fushat e efikasitetit të lidershipit, kam zgjedhur të ndaj 6 çelësa që është provuar të ndihmojnë efikasitetin udhëheqës të gruas (drejtuese) në biznes.
- Ndikimi i stereotipizimi gjinor në perceptimin e “LLOJIT TË UDHËHEQËSIT” që ju dëshironi të jeni – KARAKTERI
Shpeshherë cilësohet që “Udhëheqësit krijojnë historinë përmes karakterit të tyre” (Carlyle). Karakteri kontribuon tek potenciali dhe përmbushja e efikasitetit të lidershipit. Studimet konfirmojnq që aspektet kyçe të karakterit që influencojnë lidershipin nuk lidhen me gjininë. Është po “stereotipi” gjinor ai që ndikon tek efektiviteti i liderëve në një rol udhëheqës.
Për shkak se stereotipet gjinore ofrojnë një “identitet kulturor të konfirmuar” të lidershipit, njerëzit kanë pritshmëri paraprake mbi mbajtjen e rolit të lidershipit nga ana e një burri apo e një gruaje. Studimet tregojnë që gratë mund të jenë udhëheqëse po aq efikase sa edhe burrat (Eagly et al), përveç rasteve ku roli i lidershipit mbart në vetvete nuance gjinore.
Këto pritshmëri me bazë gjinore ndikojnë tek identifikimi i një udhëheqësi me rolin dhe rrjedhimisht edhe tek efikasiteti i përgjithshëm i udhëheqësit. Për më shumë, kur liderët janë të suksesshëm në një kontekst, ata priren të marrin përsipër sfida të ngjashme lidershipi, duke përforcuar preferencat mbi stilin e udhëheqjes, duke krijuar gjithashtu një stereotip gjinor që lidhet me suksesin në rolin përkatës.
Prandaj:Çelësi 1: Për të kuptuar se cilat stereotipa gjinore i vishen rolit tuaj drejtues, ju ftoj të shikoni narrativat kulturore të organizates suaj, historitë e suksesit dhe dështimit dhe llojin e lidershipit që lidhet me to. Pas kësaj, reflektoni mbi paragjykimeve tuaja, sepse ato do të ndikojnë në mënyrë të padukshme ose të dukshme në qëndrimin tuaj ndaj lidershipit dhe në efikasitetin tuaj si drejtues. Nga ky pozicion mund të shikoni me tej se çfarë i lejoni ose i mohoni vetes në rolin tuaj drejtues, cila është prirja juaj mbi pushtetin, si dhe çfarë mekanizma mbështetës mund të mobilizoni.
2. Ndikimi i stereotipeve gjinore në KOMPETENCAT tuaja të lidershipit
Krahas kompetencave specifike për rolin, efikasiteti i udhëheqësve lidhet me aftësitë e tyre udhëheqëse, të menduarit kritik dhe të qenit vizionarë, ndër të cilat aftësitë e ndërlidhjeve, të influencimit dhe komunikimit ndikohen nga gjinia dhe lënë një shenjë të dukshme në efikasitetin e tyre.
Aftësitë e ndërlidhjes janë të lidhura ngusht me gjininë në mënyra të qarta dhe të padiskutueshme. Gratë dhe burrat krijojnë lidhje me njëri-tjetrin në mënyra të ndryshme, të cilat janë “të pranueshme apo jo” në varësi të faktit a bien nën pritshmëritë gjinore të grupit. Merrni parasysh poemën e famshme “Nëse” nga Rudyard Kipling (një manifest për burrërinë) dhe “Nëse” për femrat. Ato janë vetëm një ilustrim i stereotipeve që tregojnë se meshkujt tradicionalisht janë të lidhur përmes elementit të “aksionit” (agency), ndërsa femrat përmes elementit të “familjes”. Megjithëse këto stereotipe po ndryshojnë ngadalë, shkalla në të cilën secili grup pranon devijimet e “stereotipit” brenda grupit (atij femeror apo mashkullor), pasqyrohet edhe në shkallën, në të cilën këto dy grupe lidhen me njëri-tjetrin si forca plotësuese ose kundërshtuese.
Prandaj:
Çelësi 2: Për të forcuar aftësitë tuaja të ndërlidhjeve, ju ftoj të synoni të krijoni ura mes dy grupeve dhe të zhvilloni komplementaritetin e tyre, duke moduluar zakonet tuaja të bisedimit drejt dinamikave që krijojnë ura, krijojnë besim dhe respekt të ndërsjellë. Dhe hapi i parë për realizimin e kësaj është pranimi, ushqyerja dhe përqafimi i diversitetit brenda grupit të udhëheqëseve femra, duke lejuar dhe mbështetur elementin e “aksionit” të lindur ose të mësuar.
Aftësia për ndikim si lider lidhet me perceptimin e lidershipit nga të tjerët. Kur rolet e lidershipit ndahen në bazë gjinore, përshtatja e gjinisë së liderit ndaj pritshmërive, luan një rol të rëndësishëm në fuqinë, influencen fillestare të liderit. Por, ato që përcaktojnë efikasitetin e lidershipit janë strategjitë e ndikimit, që udhëheqësi zgjedh të përdorë në vazhdim.
Perceptimi i kompetencës së një drejtuesi, i cili lidhet me “statusin”, dhe i pëlqyeshmërisë se tij, i cili lidhet me “forcën tërheqëse”, ndikojnë tek efikasiteti i liderit për të influencuar.
Një sjellje që tregon “orientim komuniteti dhe arsimim” do të rrisë efikasitetin e lidershipit të grave, që perceptohen me “status të ulët”; ndërsa një sjellje “ambicioze dhe e orientuar nga rezultatet” do të rrisë fuqine influencues të grave të perceptuara me “status të lartë”. Statusi i ulët dhe statusi i lartë janë atribute të lidhura me kulturën, prandaj udhëheqësit që punojnë në nivel ndërkombëtar do të duhet të zbulojnë kuptimin e këtyre atributeve në nivel lokal.
Strategjitë e ndikimit mund të mësohen, por drejtuesit, duket se zgjedhin kryesisht ato strategji që përshtaten më afërsisht me karakterin e tyre dhe me “zonën e tyre të sigurisë” – si fizike, ashtu dhe psikologjike. Në varësi të përshtatjes me kontekstin, këto mund të jenë të suksesshme ose jo.
Prandaj:
Çelësi 3: forca juaj influencuese rritet kur krijoni një “harmoni të brendshme” mes strategjisë që keni zgjedhur për një kontekst të caktuar, karakterit tuaj dhe marrëdhënies tuaj me stereotipet e vendosura në rolin tuaj. Për të krijuar këtë harmoni ju ftoj të filloni me rritjen e vetëdijes se si do të duhet të zgjerohen aftësitë tuaja ndikuese si lider, duke ditur se rritja nga nje rol manaxhues në një rol udhëheqës dhe rritja e efikasitetit si lider kur jeni në një rol drejtues nuk është e njëjta lojë. Ndryshimet në steriotipet e perceptimit të statusit dhe të pritshmërive, në varesi të pozicionit ku jeni, do t’ju kërkojnë të rikalibroni aftësitë dhe strategjitë tuaja ndikuese me kontekstin.
Aftësitë e komunikimit – 50% e efikasitetit të një lideri shpjegohet me anë të efikasitetit të tyre në komunikim (bisedim). Udhëheqja efikase varet nga cilësia e marrëdhënieve. Dhe cilësia e marrëdhënieve varet nga inteligjenca e bisedimit, e cila varet nga aftësia jonë për të moduluar bisedat në mënyra që na lejojnë të krijojme ura, të lundrojmë mes zgjidhjeve të mundshme dhe të projektojmë një të ardhme më të mirë me të tjerët.
Të kuptuarit se si stereotipi gjinor ndikon në tërheqjen e udhëheqësve ndaj dinamikave të caktuara të bisedave, ndihmon në kapërcimin e pikave “të verbra” që i çojnë gratë në komunikime më pak efektive. Pra, për shkak se burrat perceptohen si më të prirur ndaj “të pasurit të drejtë”, gratë zgjedhin të jenë indirekte ose të mbajnë një qëndrim “tërhiq dhe mos këput” në mënyrë që të mos hyjnë në një dinamikë “luftimi”.
Këto perceptime reduktojnë efikasitetin e bisedimit të të dyja palëve. Megjithëse stili këmbëngulës i burrave favorizon përzgjedhjen e tyre në punët drejtuese, me 80% të iniciativave të ndryshimit që dështojnë, iniciativa që drejtohen kryesisht nga burrat, ne mund të tundohemi të themi se stili i sigurt dhe i drejtpërdrejtë i drejtuesve burra nuk siguron efektivitetin e tyre në kryerjen e një roli udhëheqës.
Vëzhgimi im është se nuk është tendenca e grave për të folur në mënyra më indirekte, shtjelluese dhe emocionale që i bën ato të duken më pak të sigurta, të përshtatshme dhe efektive në një rol udhëheqës. Faktori kryesor është potenciali i pashfrytëzuar i perdorimit dhe navigimit të niveleve të ndryshme të bisedave sipas kontekstit.
Gratë janë më transformuese në stilin e tyre të komunikimit. Megjithatë, jo çdo kontekst është i përshtatshëm për një perspektivë transformuese. Gratë që bënë histori e bënë këtë duke e përshtatur stilin e tyre të bisedës me kontekstin. Burrat dhe gratë janë njëlloj të shqetësuar nga nevoja për të zhvilluar kompetencat e bisedimit intelligent edhe pse stereotipet gjinore duket se e bëjnë atë më të ngutshme për gratë që aspirojnë role udhëheqëse.
Ndërsa jo të gjitha rolet e lidershipit janë të orientuar ndaj transformimeve dhe jo të gjithë liderët janë “transformues”, aftësia për të lundruar në nivelet e bisedimit për t’u përshtatur me “pritshmëritë”, “kontekstin” dhe “marrëdhënien e dëshiruar” janë sfidat kryesore për shumicën e liderëve.
Prandaj:
Çelësi 4: ngritja e inteligjencës suaj bisedore, është një aset i padiskutueshëm lidershipi që do të forcojë pagabueshëm marrëdhëniet tuaja dhe efektivitetin tuaj në rolin tuaj drejtues. Për të kuptuar se si inteligjenca juaj bisedore po ndikon në efektivitetin tuaj të lidershipit, ju ftoj të filloni duke ngritur vetëdijen tuaj për mënyrën se si navigoni nivelet e ndryshme të bisedës (Transaksionale, Pozicionale, Transformuese) në varësi të kontekstit. Pastaj shikoni se cilat janë lejet që i jepni vetes, autoriteti dhe forca që dëshironi të përcillni dhe mekanizmat mbrojtës që aktivizoni për ju dhe për të tjerët. Kur kujdeseni për kiminë e bisedave tuaja, marrëdhëniet dhe ndikimi juaj zhvillohen në një nivel tjetër.
- Ndikimi i KONTEKSTIT të rolit udhëheqës në efikasitetin e zgjidhjes së konfliktit
Efikasiteti në zgjidhjen e konfliktit bën dallimin mes kalibrit të liderave. Konteksti i lidershipit ndikohet nga lloji i grupit që do të drejtoni, lloji i punës që do të kryhet dhe lloji i kulturës në të cilën bëjnë pjesë udhëheqësi dhe ekipi. Udhëheqësit efikasë janë të vetëdijshëm për këtë dhe ata përshtaten me kontekstin në mënyra të ndryshme për të siguruar performancën optimale të ekipit.
Kjo përshtatje bëhet vendimtare kur ka të bëjë me zgjidhjen e konflikteve. Konfliktet mund të jenë të nënkuptuara ose eksplicite, në një nivel teknik, por edhe në një nivel strategjik të qëllimit, vizionit, vlerave dhe virtyteve.
Zgjidhja e konfliktit në vendin e punës meriton të kuptuarit se strategjia e përgjigjes ndaj faktorëve stresues është e ndryshme për sa i përket gjinisë: “luftim ose largim” (fight or flight) është një përgjigje më mashkullore, ndërsa “qetëso dhe miqëso” (tend and befriend) është një përgjigje më femërore.
Udhëheqësit efikasë e reflektojnë këtë në mënyrën se si ata modulojnë stresin në ekip, si vendosin objektiva ambicioze për ekipin dhe si sigurojnë një klimë pune harmonike.
Ata e kuptojnë se ndërkohë që gratë priren të “qetësojnë dhe miqësojnë” ose “të krijojnë kënaqësi/plotësojnë dëshirat dhe të qetësohen” në përgjigje të stresit, ato nuk do të përballojnë më shumë stres sesa u lejon niveli i tyre i dinjitetit dhe autonomisë dhe se ato mund të reagojnë në mënyra që janë po aq të dëmshme për ekipin sa edhe “luftimi apo largimi (dezertimi)”.
Për shkak se lidershipi testohet brutalisht gjatë zgjidhjes se konflikteve, unë shpesh u referohem aftësive për zgjidhjen e konflikteve si “ngritja apo rënia” e liderave.
Prandaj:
Çelësi 5: Për të rritur efikasitetin tuaj të lidershipit në zgjidhjen e konflikteve, është e nevojshme të bëni një zgjedhje të ndërgjegjshme të strategjisë tuaj në zgjidhjen e konfliktit. Për këtë ju ftoj të filloni së pari të kuptoni së si roli juaj gjinor pasqyrohet në stilin tuaj të udhëheqjes. Së dyti, të reflektoni mbi nivelin e lejes dhe autonomisë që i jepni shprehjes së mendimeve dhe ideve tuaja. Dhe së treti, të kuptoni kontekstin kulturor në të cilin performoni, të paragjykimeve dhe të rolit të statusit në kontekstin tuaj të lidershipit.
- Ndikimi i gjinise në efikasitetin e shprehjes së krijimtarisë dhe shkathtësisë të liderit grua
Shkathtësia është një aftësi kritike në udhëheqje. Ajo përfshin identifikimin e mënyrave të reja dhe krijuese për të siguruar, grumbulluar dhe transformuar burimet e nevojshme për të nisur, rritur dhe mbështetur një biznes dhe një sipërmarrje.
Një aspekt kyç i shkathtësisë është thyerja e kufijve apo normave në krijimin e vlerës dhe gjenerimi dhe kapja e burimeve të reja ose të papritura për të krijuar vlerë të shtuar në procesin e rritjes së biznesit dhe sipërmarrjes.
Por, në një sipërmarrje “rezultati final”, apo trajektorja e suksesit, nuk janë të fiksuar. Si rrjedhim, gratë drejtuese, jo vetëm duhet të jenë krijuese, por gjithashtu duhet të jenë të afta të shesin kreativitetin e tyre në treg, të krijojnë aleanca që e plotësojnë në shkathtësinë e tyre dhe të transformojnë idenë krijuese apo inovuese në një biznes real.
Kreativiteti është një cilësi jashtëzakonisht e rëndësishme në liderët e suksesshëm dhe jetike për suksesin organizativ. Kreativiteti shprehet në 9 kompetenca kryesore, ndër të cilat, gratë shquhen veçanërisht në (a) gjenerimin e ideve të reja dhe entuziasmuese, (b) dedikimin ndaj rritjes intelektuale në mënyrë tërësore, (c) gatishmërinë për të kapërcyer pengesat dhe për të përmbushur një detyrë, dhe (d) gatishmërinë për të toleruar dhe menaxhuar paqartësitë. Por, grate dallohen më pak në 2 kompetenca kryesore: inteligjenca analitike, që lejon identifikimin e idesë së mirë dhe inteligjenca aplikuese, që i lejon të ekzekutojnë idenë, apo të bindin të tjerët në vlerën e saj (të idesë).
Prandaj:
Çelësi 6: Për të zgjeruar inteligjencën aplikuese, që i lejon të konvertojnë idetë e tyre krijuese në një kurs veprimi, i ftoj gratë drejtuese të përgatisin veten për të marrë rreziqe më të arsyeshme, të bazuara në motivimin e tyre të brendshëm dhe aftësitë e forta sociale. Në këtë drejtim, unë sugjeroj që të zgjeroni gradualisht paleting e aftësive krijuese për të përfshirë aftësitë e shitjes së ideve dhe të qenurit sa bindëse aq edhe receptive, ndaj shpërblimit të vlerës – jo aq për të konkurruar burrat, por për të shpalosur autoritetin dhe forcën tuaj. Krahas kësaj, e ndërsa rrisni nivelin e rreziqeve që ndërmerrni, do të ndihmonte të kujdeseshit për të vendosur mekanizmat mbrojtës. Kjo e fundit ndikon në shprehjen e efikasitetit të lidershipit në totalitetin e vet.
Mendime përmbyllëse
Efikasiteti i lidershipit ndikohet nga stereotipet gjinore, të cilat burrat dhe gratë i mbajnë gjallë në mënyra të ndryshme, për arsye të ndryshme.
Përparimi i grave në udhëheqje nuk ndodh në vakuumin e kontekstit sociokulturor, ekonomik dhe organizativ, ku ato veprojnë. Pritshmëritë e stereotipizuara të atyre që i rrethojnë dhe marrëdhënia që kanë me shoqërimin e rolit gjinor luajnë rol të rëndësishëm. Duke përforcuar ndërgjegjësimin mbi mënyrën se si paragjykimet gjinore ngjyrojnë narrativën tonë mbi efektivitetin e lidershipit, ne aftësohemi për të naviguar në mentalitetin tonë për të krijuar realitete dhe narrativa të reja.
Shpresoj që 6 çelësat e parashtuar në këtë artikull të inkurajojnë kërkimin tuaj për përparim në role drejtuese dhe në ndikimin që mund të ketë, kur të jeni në role të tilla udhëheqëse.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.