Ne kemi një treg të stërmbushur me mjete që përdorin inteligjencën artificiale, shumë prej tyre janë kthyer në mjete të padobishme që vetëm sa mbushin hapësirën digjitale, pa i sjellë përdoruesit as lehtësi, as vlerë. Entuziazmi për teknologjitë e reja nuk mungon, por bashkë me të është rritur edhe skepticizmi i përdoruesve, të cilët nuk bien më pre e çdo risie me emrin “AI”.
Lexo gjithashtu: Si të mos zëvendësoheni nga robotët!
Në këtë klimë, vetëm të kesh një funksion që përfshin inteligjencën artificiale nuk mjafton. Mjetet e reja duhet të ofrojnë diçka konkrete, të menjëhershme dhe funksionale. Të dhënat flasin qartë, 70 deri në 85 për qind e implementimeve të teknologjisë AI nuk arrijnë të justifikojnë investimin. Kjo nuk është thjesht një dështim teknik, është një alarm për mënyrën se si ndërtohen këto produkte.
Sipas autorit Chris Savage, me përvojë mbi dy dekada në industrinë e teknologjisë video, për të mbijetuar në këtë treg, duhet të kuptojmë se vlera e vërtetë nuk qëndron tek efekti wow i teknologjisë, por tek mënyra si ajo përmirëson realisht jetën dhe punën e përdoruesve.
Ai paraqet një qasje me tre shtylla për të ndërtuar një produkt AI që nuk është thjesht një tjetër vegël në listë, por një zgjidhje që sjell ndikim:
Së pari, përdoruesi duhet të largohet nga ndërveprimi me AI-në jo thjesht disa sugjerime, por një draft, një përmbledhje, një strukturë konkrete që mund të përpunohet. Shembujt më të mirë janë ata ku AI gjeneron një version paraprak të një teksti, videoje apo analize, të cilën përdoruesi mund ta përmirësojë më tej, pa nisur gjithçka nga zero.
Lexo gjithashtu: ”Lufta për milionerët”, si Europa po bëhet parajsë fiskale për të pasurit
Së dyti, koha është elementi më i çmuar. Nëse një mjet AI i merr përdoruesit më shumë kohë sesa i kursen, ai është i destinuar të dështojë. Një nga aplikimet më të mira është në krijimin e përmbajtjeve për rrjetet sociale, mjetet që analizojnë një video të gjatë dhe përzgjedhin automatikisht pjesët më të rëndësishme për promovim, mund të kursejnë orë të tëra pune.
Së treti, AI duhet t’i japë përdoruesit “superfuqi”, aftësinë për të bërë diçka që më parë kërkonte një ekip të tërë. Një copywriter mund të krijojë një video pa ndihmën e një editori profesional, një analist mund të përpunojë mijëra të dhëna pa një departament IT. Këto janë mundësitë që vetëm AI mund t’i ofrojë, nëse përdoret siç duhet.
Në thelb, mjetet AI duhet të jenë përshpejtues të aftësive njerëzore, jo zëvendësues mekanikë. Ato duhet të ndihmojnë përdoruesin të arrijë më shumë, më shpejt dhe më saktë.
Në fund të fundit, mesazhi i Savage është i qartë, në vend që të ndërtojmë një tjetër mjet AI për t’u dukur modernë, duhet të përqendrohemi në krijimin e produkteve që ofrojnë vlerë të vërtetë, kursim kohe, dhe fuqizim të përdoruesit. Vetëm këto mjete do të mbijetojnë në një treg ku pritshmëritë janë më të larta se kurrë më parë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.