Ndërsa shtetet europiane përballen me rritje të dobët ekonomike, tronditje tregtare dhe presione për rritje të shpenzimeve ushtarake, qeveritë po kërkojnë mënyra të reja për të mbushur arkën e shtetit. Një prej strategjive: tërheqja e të pasurve përmes skemave fiskale joshëse. Në këtë garë për kapital dhe të ardhura, shumë vende të BE-së po ofrojnë paketa fiskale të personalizuara për shtetasit e huaj me pasuri të lartë. Por, ndërkohë që përfitimet rriten, po rritet edhe zemërimi i popullsisë vendase që sheh një sistem të dyfishtë tatimor.
Itali
Italia është kthyer në një destinacion të preferuar jo vetëm për klimën dhe kulturën, por edhe për një regjim të posaçëm taksash për të pasurit që transferohen nga jashtë. Përmes një tarife fikse prej 200 mijë eurosh në vit për të gjitha të ardhurat jashtë Italisë, individët me pasuri shumë të lartë mund të shmangin strukturën standarde të tatimit mbi të ardhurat. Kjo skemë është e vlefshme për 15 vjet dhe kushti i vetëm është që personi të mos ketë qenë rezident tatimor në Itali për 9 nga 10 vitet e fundit.
Zvicër
Edhe Zvicra ka një version të taksës fikse (forfait fiscal), ku tatimi nuk bazohet në të ardhura apo pasuri, por në shpenzimet personale. Megjithatë, kjo skemë vlen vetëm për të huajt pa shtetësi zvicerane dhe që nuk kanë qenë banorë për të paktën 10 vjet. Për më tepër, përfituesit nuk mund të punojnë apo të kenë biznese në vend.
Portugali
Pas polemikave të mëdha që lidhen me rritjen e çmimeve dhe ardhjen e të pasurve nga jashtë, Portugalia rishikoi programin e saj të famshëm NHR (Rezidenca Jo e Rregullt). Në versionin e ri 2.0, përfitimet janë më të kufizuara dhe synojnë profesionistët e kualifikuar që mund të kontribuojnë realisht në ekonominë vendase. Pensionet e huaja tashmë taksohen me normat standarde.
Lexo edhe: Shqipëria humb garën e pagave: 770 € në 2024, rajoni mbi 1000 €
Kompani guackë dhe parajsa fiskale
Një tjetër mënyrë për të shmangur tatimin është përmes kompanive guackë – struktura të cilat ekzistojnë vetëm në letër dhe nuk zhvillojnë aktivitet të vërtetë ekonomik. Vendosja e pasurisë në emër të këtyre kompanive, e cila ndodh më së shumti në vende me tatim të ulët si Hungaria (9%), Bullgaria (10%) dhe Irlanda (12.5%), konsiderohet shpesh një zonë gri mes shmangies dhe evazionit. Megjithëse OECD ka njoftuar vendosjen e një norme minimale globale të tatimit për korporatat (15%) për kompani me të ardhura mbi 750 milionë euro, zbatimi është ende në proces.
Përfitim për shtetin apo privilegj për të pasurin?
Ekspertët theksojnë se përfitimet fiskale nuk duhet të gjykohen vetëm nga një normë tatimi, por nga një sërë faktorësh përfshirë tatimet mbi pasurinë, trashëgiminë, kontributet për sigurime dhe ndikimin në tregun e pasurive të paluajtshme. Siç argumenton Jason Porter nga Blevins Franks Financial Management: “Shtetet nuk do t’i ofronin këto skema nëse nuk mendonin se përfitimi ekonomik i përgjithshëm do të ishte më i madh se kostoja e privilegjeve që jepen.” Në fund të ditës, dilema mbetet e hapur: a duhet shtetet të vazhdojnë të joshin pasurinë globale apo të mbrojnë ekuilibrin dhe drejtësinë e brendshme sociale?
Burimi: Euronews.com/ Përshtati: Businessmag.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.