Në mbarë botën, gjithnjë e më shumë marka parfumesh po investojnë jo vetëm në aroma tërheqëse, por edhe në efektin që këto aroma kanë mbi mirëqenien emocionale të njerëzve. Nuk bëhet fjalë thjesht për një erë të këndshme, por për një përvojë që ndikon drejtpërdrejt në gjendjen shpirtërore, kujtesë dhe ndjesinë e qetësisë.
Sipas shkencëtarëve, lidhja mes nuhatjes dhe emocioneve është shumë më e fortë sesa mendohet. Profesor Sandeep Robert Datta, neurobiolog në Harvard University, shpjegon se nuhatja është një nga shqisat e pakta që lidhet drejtpërdrejt me qendrat emocionale të trurit.
“Kur ndiejmë një aromë, ajo aktivizon epitelin nuhatës, një shtresë neuronesh e vendosur në pjesën e sipërme të hundës. Këta receptorë identifikojnë kimikatet që çlirohen nga parfumet, lulet apo objektet aromatike dhe i dërgojnë menjëherë sinjale elektrike trurit. Çdo aromë është një përzierje kimikatesh. Kur nuhatim, trupi ynë i përpunon të gjitha këto sinjale njëkohësisht” -shpjegon Datta.
Lexo edhe: Kaon Krasniqi, 14-vjeçari shqiptar që po transformon arsimin me AI
Pikërisht kjo është arsyeja pse truri arrin të dallojë aromat dhe t’i lidhë ato me përvoja të caktuara. Sinjalet e nuhatjes udhëtojnë drejt zonave kyçe të trurit, përfshirë amygdalën dhe hipokampusin, të cilat janë përgjegjëse për emocionet dhe kujtesën.
Neuroshkencëtarja Rachel Herz thekson se kjo lidhje e drejtpërdrejtë shpjegon pse një aromë mund të na kthejë menjëherë në një kujtim të fëmijërisë ose të na ndryshojë humorin brenda sekondash. “Amygdala përpunon emocionet, ndërsa hipokampusi krijon dhe ruan kujtesën. Kjo është arsyeja pse aromat janë kaq të fuqishme emocionalisht“-shpjegon Herz.
Kjo njohuri shkencore po përdoret gjithnjë e më shumë nga industria e parfumeve, e cila synon të krijojë aroma që jo vetëm të pëlqehen, por edhe të nxisin ndjenja pozitive si qetësia, vetëbesimi apo lumturia. Në këtë mënyrë, parfumet po shndërrohen nga një aksesor luksi në një mjet që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien tonë psikologjike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto