Ari ngjitet në rekorde historike teksa bankat qendrore i kthejnë shpinën dollarit - Business Magazine Albania

Ari ngjitet në rekorde historike teksa bankat qendrore i kthejnë shpinën dollarit

Një çmim historik për asetet më të vjetra të sigurisë në botë sinjalizon dobësim të besimit ndaj dollarit dhe rritje të presionit mbi Rezervën Federale të SHBA.

Të martën, ari u ngjit në një rekord prej 3,508.50 dollarë (3,015.08 euro) për ons, i nxitur nga pritshmëritë për një ulje të normës së interesit nga Rezerva Federale dhe rritja e pasigurisë për investitorët. Ky metal i çmuar shihet tradicionalisht si një strehë e sigurt për investitorët, ndaj kërkesa për të shtohet ndjeshëm sa herë që besimi tek monedhat e letrës apo stabiliteti i tregjeve financiare bie.

Më herët këtë vit, çmimi i arit pati një kërcim të ndjeshëm pasi presidenti i SHBA, Donald Trump, shpalli një sërë tarifash të diskutueshme ndaj vendeve të tjera.Rekordi i arit thekson shqetësimin e thellë për perspektivën globale dhe vë në pikëpyetje pavarësinë e Rezervës Federale, në një kohë kur Trump po rrit presionin mbi politikëbërësit.

Rritja e çmimit të arit është pjesë e një rritjeje shumëvjeçare të metaleve të çmuara. Bankat qendrore nga Azia në Lindjen e Mesme kanë përshpejtuar blerjet e tyre për të katërtin vit radhazi, duke i dhënë një shtysë të fuqishme çmimeve. Parashikimet flasin për të paktën 1,000 tonë ar që do të blihen nga qeveritë për rezervat e tyre.

Ky orientim pasqyron një mbështetje gjithnjë e më të vogël tek dollari amerikan, në një kohë kur situata fiskale e Uashingtonit dhe betejat politike e kanë zbehur statusin e tij si monedhë rezervë botërore.

Lexo edhe: NATO në krizë? Liderët europianë “nën urdhrat” e Trump-it

Një sondazh i Këshillit Botëror të Arit me 73 banka qendrore tregoi se 95% e tyre planifikojnë të shtojnë rezervat e arit brenda 12 muajve të ardhshëm, ndërsa gati tre të katërtat parashikojnë të zvogëlojnë rezervat në dollarë.

Kina, e cila vijon negociatat me SHBA për një marrëveshje tregtare më të favorshme, ka grumbulluar ar çdo muaj, duke shënuar muajin e nëntë rresht me blerje në korrik.

Nga Bretton Woods deri sot
Për pjesën më të madhe të historisë moderne, monedhat kombëtare ishin të lidhura direkt me arin: qeveritë garantonin që paratë e letrës mund të shkëmbeheshin për një sasi fikse ari në rezervat shtetërore.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në konferencën e Bretton Woods në Nju Hempshër, u krijua FMN dhe Banka Botërore, ndërsa dollari amerikan u fiksua në 35 dollarë për ons ar. Ky standard i dha dollarit një besueshmëri të pakrahasueshme, pasi SHBA mbante pjesën më të madhe të rezervave botërore të arit.

Ky sistem i dha stabilitet tregtisë dhe investimeve globale për 27 vjet, deri më 1971, kur presidenti Richard Nixon ndërpreu konvertueshmërinë e dollarit në ar, duke shënuar rënien e Bretton Woods.

Që prej asaj kohe, vlerat e monedhave përcaktohen nga tregjet valutore ndërkombëtare, ku bankat, tregtarët dhe qeveritë blejnë e shesin në kohë reale.

Sot, politikat amerikane po ndikojnë sërish tek blerjet e arit nga bankat qendrore. Simbolika është e fuqishme: çmimi i arit ka kapërcyer 3,500 dollarë për ons, një rritje mbi 10,000% nga standardi prej 35 dollarësh i Bretton Woods pas Luftës së Dytë Botërore.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0