Arditi është ndër të rrallët inxhinierë të rinj shqiptarë që ka gjetur veten në Kinën e largët.
Një mjeshtër i teknologjisë, krijues aplikacionesh që në moshë të re, ai po mbyll masterin në një prej universiteteve më të njohura kineze për teknologjinë e informacionit dhe tashmë është punësuar pranë një kompanie në zgjerim në Bihang.
E ka nisur marrëdhënien me aplikacionet duke punuar me kompaninë Nokia. Një aplikacion i Nokias, Livescore, mban emrin e tij.
Atëherë ishte 17 vjeç dhe bashkëpunimin me kompaninë e ka mbajtur për disa vite, duke zhvilluar lojëra të ndryshme në telefon.
E ardhmja e tij ishte shënuar tashmë për t’u marrë me teknologjinë, por Shqipëria po bëhej e ngushtë për synimet dhe sidomos trajtimin e të ashtuquajturve gjeni të informatikës. Kina dukej si mundësia e artë dhe vazhdimi i masterit atje u kthye në objektiv. Ofertat për të kanë qenë nga më të ndryshmet madje edhe nga Apple, por tani kompania ku punon e frymëzon.
Tashmë, ndërsa përfundon studimet, është i vetmi i huaj në një kompani të njohur kineze të përdorimit të biçikletave me pagesë. Dëshira e tij është ngjitja drejt Microsoft, por deri atëherë Ardit Dine ia ka dalë të jetë i riu që nëpërmjet teknologjisë të realizojë veten në vendin ku ajo ka më shumë kuptim. Për këto dhe të tjera Arditi flet për konica.al
Si është historia e ndërtimit të aplikacioneve për kompaninë Nokia?
Marrëdhënien me Nokia e kam nisur si freelance në moshën 17-vjeçare, ndërkohë që vazhdoja gjimnazin “Ahmet Dakli”. Duke qenë se isha minoren, nuk regjistrohesha dot me emrin tim dhe kështu jam regjistruar me emrin e vëllait.
Për Nokian kam realizuar aplikacionin Livescore. Kur ky aplikacion rezultoi i suksesshëm, më kontaktuan të punoja edhe për disa projekte të tjera, si për shembull lojëra, etj. Livescore është një faqe online dhe duke përdorur shërbimin e tyre unë realizova një aplikacion për telefonat Nokia. Në atë kohë ishin të rralla aplikacionet për telefona.
Pse vendosët të shkoni në Kinë për nivelin e dytë të studimeve?
Aktualisht jam duke vazhduar masterin në Kinë për Computer Science. Kam mbaruar studimet për Inxhinieri Elektronike. Gjatë kohës që kam qëndruar në Tiranë kam marrë pjesë në dy kompeticione për këtë fushë, nga të cilat kam marrë dy çmime, një të parë dhe një të dytë. Sigurisht i pakënaqur nga sistemi dhe si funksionojnë gjërat në Shqipëri, nuk doja të vazhdoja të rrija më këtu. Kështu aplikova online tek një ndër universitetet më të mira kineze Beihang University, ku u pranova dhe tashmë vazhdoj vitin e dytë Master.
Ndërkohë ju jeni duke punuar në një kompani në zhvillim. Si erdhi kjo eksperiencë?
Praktikën e punës jam duke e kryer në një ndër kompanitë më të njohura aktualisht në Kinë dhe në shumë vende të tjera të botës, OFO Bike sharing company.
Kompania është ende e re në treg pasi ka vetëm një vit e gjysmë që operon, por ka njohur një zhvillim të madh duke e rritur numrin e punonjësve deri në 1 mijë aktualisht. Unë jam ndër punonjësit e parë, i vetmi i huaj dhe shqiptar në zyrat qendrore.
Në Kinë gjithçka funksionon online tashmë dhe unë punoj në pjesën e sistemit që bën të mundur zhbllokimin e biçikletës nga serveri online.
Biçikletat janë të thjeshta, por kanë një kyç “të zgjuar”, i cili është i lidhur me internet. Biçikletat kanë një aplikacion dhe nëpërmjet barkodit hapet biçikleta dhe në momentin që mbyll çelsin, aplikacioni të tregon sa lekë duhet të paguash në bazë të kilometrave dhe kohës që e ke përdorur. Biçikletat janë të vendosura në pjesë të ndryshme të qytetit. Kujt i nevojitet, e merr në bazë të aplikacionit, e përdor dhe paguan në fund po online.
Keni realizuar edhe aplikacione të tjera në Shqipëri?
Buletin është projekt i financuar nga një studio programimi i lajmeve dhe bëhet fjalë për një agregator lajmesh. Ka nisur si projekt para dy vitesh, por është lënë pas dore me largimin tim në Kinë. Mënyra se si ai është ndërtuar mund të funksionojë vetë dhe gjatë gjithë kohës merr lajme të reja.
Mbarimi i masterit do të thotë kthim në Shqipëri apo vazhdim në kompaninë që aktualisht jeni?
Aktualisht, kompania në të cilën punoj kërkon shumë që të vazhdoj të punoj me ta. Unë jam në sektorin e Zgjerimit Global. Jam në udhëtim gjatë gjithë kohës për të hapur shërbimet e OFO në vende të ndryshme. Pra, kthimi në Shqipëri është për një afat më të gjatë.
Cila është dëshira më e madhe?
Të punoj për Microsoft. Edhe pse kam takuar Shefin Ekzekutiv të Apple e një prej tyre erdhi vizitoi zyrat tona në Pekin. Dëshirat janë, por aktualisht jam shumë mirë në kompaninë ku punoj, ndihem i vlerësuar dhe është një kompani që rritet me shpejtësi marramendëse, gati çdo ditë. Kur unë i jam bashkuar kompanisë ishin 100 punonjës dhe operonte vetëm në Pekin e Shanghai. Vetëm në një vit jemi bërë një mijë punonjës dhe synohet rritja duke u zhvendosur edhe në vende të tjera përveç Britanisë dhe Rusisë.
Gjithmonë e kam dëshirën për të bërë gjëra që i lehtësojnë shqiptarët, por aktualisht jam në mbrojtjen e diplomës dhe i ngarkuar me punën. Shpresoj që në të ardhmen të ndihmoj me ndonjë aplikacion.
/Konica.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.