Apple pati dy lançime të mëdha muajin e kaluar, të cilat nuk mund të ishin më të ndryshme nga njëri-tjetri. Fillimisht, kompania prezantoi përmirësimet në fushën e inteligjencës artificiale gjatë konferencës së përvitshme për zhvilluesit, WWDC, duke lëshuar versionet beta të sistemeve operative. Megjithatë, reagimi i publikut ishte i vakët. Në fund të muajit, Apple parakaloi në tapetin e kuq me premierën e filmit të saj të parë blockbuster, “F1”, i cili arkëtoi mbi 155 milionë dollarë gjatë fundjavës së parë dhe mori vlerësime shumë pozitive. “F1” përfaqëson një sukses të madh për Apple, duke nxjerrë në pah forcën e vizionit afatgjatë të kompanisë, rritjen e biznesit të shërbimeve dhe aftësinë për të ndikuar në kulturën popullore. Ndërkohë, reagimi i Wall Street ndaj prezantimeve për AI në WWDC tregoi se kompania po përballet me sfida të rëndësishme në këtë drejtim.
“F1” dhe vizioni afatgjatë i Apple
Filmi “F1” tregoi anën më të fortë të Apple – aftësinë për të investuar në projekte të reja dhe afatgjata. Kur Apple TV+ u lançua në vitin 2019, kishte vetëm disa seriale origjinale dhe një film të vetëm, “Hala”, i cili nuk gjeneroi të ardhura të konsiderueshme. Pavarësisht se u konsiderua një projekt i shtrenjtë dhe me pak përfitime, Apple qëndroi besnike ndaj strategjisë së saj, duke rritur stafin dhe kapacitetet në Culver City, Kaliforni. Kjo i dha kompanisë mundësinë të krijojë lidhje me industrinë e Hollivudit dhe të ndërtojë një reputacion në prodhimin televiziv. Sot, një prodhim origjinal nga Apple mund të kryesojë box office-in në një fundjavë vere – sezoni më i rëndësishëm për filmat blockbuster. Suksesi i “F1” dëshmoi gjithashtu fuqinë e makinerisë së marketingut të Apple dhe aftësinë për të tërhequr figura të njohura. Kompania përdori edhe aplikacionin Wallet për të dërguar njoftime me ulje për biletat e filmit. Tim Cook shfaqet me yllin e filmit Brad Pitt në një dyqan Apple në Nju Jork dhe publikon një video me pilotin e njohur të Formula 1, Lewis Hamilton, i cili ishte edhe producent i filmit. Edhe pse shefi i shërbimeve të Apple, Eddy Cue, theksoi se biznesi i filmave duhet të jetë fitimprurës për të vazhduar, suksesi i “F1” tejkalon aspektin financiar. Produksionet filmike janë ndër përfaqësuesit më të dukshëm të divizionit të shërbimeve të Apple, i cili përfshin gjithashtu pagesat digjitale, abonimet në iCloud, pako revistash, Apple Music, lojëra, garanci, tarifa për pagesa digjitale dhe reklama. Edhe pse filmat përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të këtij biznesi, ata ofrojnë vëmendje të madhe publike dhe imazh. Suksesi sjell investime të reja, dhe “F1” mund të jetë sinjali që Apple do të vijojë të prodhojë filma të mëdhenj për publikun e gjerë.
LEXO EDHE:Ardian Jusufi, shkencëtari shqiptar që po i mëson robotët të ‘mbijetojnë’ si ketri
Siri dhe sfidat me AI
Por nëse “F1” tregon suksesin e Apple në shërbime, zhvillimi i ngadaltë në AI është si një “dritë e kuqe kontrolli” që nuk fiket.
Në WWDC, investitorët prisnin më shumë detaje mbi Apple Intelligence – paketa e veçorive të reja AI. Megjithatë, prezantimi u përqendrua te funksione të vogla të machine learning, pa ndonjë përmirësim të dukshëm në Siri. Ndonëse Apple kishte premtuar një Siri të përmirësuar që në verën e 2024, zbatimi i këtyre veçorive u shty për në 2026. Sot, në një kohë kur ChatGPT, Claude apo Gemini mund të rezervojnë restorante apo të ndihmojnë në mënyrë interaktive, Siri ende mbetet një asistent që jep përgjigje të thjeshta dhe shpesh nuk i kupton pyetjet më komplekse. Kjo përbën një shqetësim të madh, sidomos kur konkurrentët si Google kanë integruar më mirë AI-në në pajisjet e tyre. Google nuk ka të njëjtin kufizim si Apple për mbrojtjen e të dhënave dhe përdorimin e cloud-it, duke fituar avantazh teknologjik. Pavarësisht kësaj, disa analistë besojnë se Apple ka ende kohë për të reaguar, falë bazës së madhe të përdoruesve besnikë. Por nuk mund të lejojë që të mbetet shumë pas. Sipas një raportimi të Bloomberg, Apple është duke shqyrtuar mundësinë që të zëvendësojë motorin e Siri-t me teknologji të huaj, si ajo e OpenAI apo Anthropic. Kjo do të përbënte një ndryshim të madh nga strategjia tradicionale e Apple për të zotëruar teknologjitë thelbësore si procesorët, ekranet apo sistemet operative. Një lëvizje e tillë do të nënkuptonte se modelet e brendshme të AI të Apple nuk janë ende të gatshme për sfidat që kompania ka për Siri.
Garë për talentin në AI
Ndërkohë që Apple ka zgjedhur një qasje më të matur, kompanitë e tjera si Meta, Google, Amazon dhe Microsoft po bëjnë investime masive në rekrutimin e ekspertëve të AI. Mark Zuckerberg së fundmi njoftoi se ka rekrutuar 11 ekspertë nga OpenAI, Anthropic dhe DeepMind, si dhe CEO-n e Scale AI për të drejtuar një divizion të ri. Në këtë garë, Apple nuk ka bërë ndonjë lëvizje të bujshme publike për të tërhequr emra të mëdhenj të AI. Kjo i shton presionin kompanisë për të mos mbetur pas, ndërkohë që ish-dizajneri i saj legjendar, Jony Ive, po bashkëpunon me OpenAI për zhvillimin e pajisjeve të reja. Ndërkohë që Tim Cook shfaqet në tapet të kuq me yje të Hollivudit, gara e vërtetë për dominimin në teknologjinë e së ardhmes mund të jetë duke i ikur nga duart.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto