Aneida dhe Ergesti: Startup Weekend, vendi ideal ku të rinjtë mund të provojnë pa frikë - Business Magazine Albania

Aneida dhe Ergesti: Startup Weekend, vendi ideal ku të rinjtë mund të provojnë pa frikë


Njihuni në këtë intervistë ekskluzive për Infoalbania, me organizatorët kryesorë të Startup Weekend dhe pse të rinjtë duhet të jenë pjesë e saj.

Kush janë organizatorët e Startup Weekend Tirana?

Aneida Bajraktari vjen nga bota e financës dhe drejtësisë dhe aktualisht punon në fondacionin suedez “Cultural Heritage without Borders”. Në pasionet e saj, ndër të tjera janë edhe startup-et, inovacioni dhe ndërtimi i komuniteteve. Aneida është e përfshirë në një sërë iniciativash që lidhen me inovacionin: është kryeorganizatore e Startup Weekend Tirana, Menaxhere Partneritetesh në Startup Grind Tirana, Ambasadore e Shqipërisë në iniciativën globale Hello Tomorrow si dhe kontribuon në ICT Awards Albania.

Ergest Nako mban një diplomë në Informatikë dhe Teknologjia e Komunikimit (MSc Degree in Information and Communication Technology) nga Universiteti i Tiranës.  Ka një eksperiencë prej më shumë se 10 vitesh në  sektorin e ITC , Sigurimin e Informacionit, Menaxhimit të Projekteve, Menaxhimit të Procesit të Biznesit dhe së fundmi në sektorin e sipërmarrjes së lirë. Gjatë viteve të fundit, ai është shumë aktiv në fushën e sipërmarrjes së lirë dhe krijimit të komunitetit dhe që nga Nëntori i kaluar, ai është pjesë e  grupit organizues të  Startup Weekend Tirana. Pasionet e tij janë teknologjia, startup-et, fotografia dhe udhëtimet. 

Cilat ishin rezultatet e SW edicioni 4?

Ergest: Edicioni i 4-të i Startup Weekend i tejkaloi pritshmëritë tona dhe mund ta quajmë një edicion të suksesshëm në disa drejtime. Të qenurit një edicion me tematikë specifike, në fushën e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore na bëri skeptikë por pjesëmarrja i tejkaloi pritshmëritë. Idetë që u prezantuan ishin të larmishme dhe synohej kryesisht adresimi i problemeve konkrete. Për tu vënë në dukje është dhe fakti që këtë vit pati më shumë pjesëmarrës profesionistë të cilët rritën më shumë cilësinë e ideve.

Në fund te edicionit, dolën dhe 3 idetë fituese të cilat ishin:

Projekti fitues u shpall Tung.al një aplikacion inovativ web dhe mobile app me 2 karakteristika kryesore: Tung PAL & TungLAR. PAL-Point dhe Mëso ka për qëllim të japë të gjithë informacionin në lidhje me një monument nëpërmjet skanimit të një kodi QR. LAR-Location Augmented Reality është tipari që i jep të gjitha informatat në lidhje me një monument vetëm nga skanimi drejtpërdrejt në monument. Fituesit do të vazhdojnë projektin e tyre ne Yunus Social Business si dhe përfitojnë 300.000 ALL nga Agjensia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.

Vendi i dytë shkoi për “Motive Shqiptare” një platformë që shërben për ruajtjen fizike dhe dixhitale të motiveve shqiptare që nga lojrat e fëmijëve deri te kërcimet e vjetra shqiptare duke synuar në këtë mënyrë ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Çmimi i tretë i shkoi projektit për muzeun virtual të Gjirokastrës që kombinon teknologjinë me bukurine e qytetit të gurtë. Qëllimi i projektit është eksplorimi i qytetit nëpërmjet teknologjisë vizuale Kinect ku sensorët Kinect performojnë të ashtuquajturin Realitet i zgjeruar (augmented reality).

Gjthashtu dhe nje çmim tjeter u fitua nga ciceroni4.me, një platformë ku profesionistë të lirë si dhe agjenci të ndryshme do mund të ofrojnë paketa të ndryshme turisitike për shqipëtarë dhe të huaj.

Çfarë ndodh tani me fituesit?

Aneida; Gjatë fundjavës Startup Weekend Tirana ne përpiqemi të theksojmë që të gjithë fitojnë diçka duke qenë pjesë e këtij eventi; krijojnë lidhje të reja, mësojnë si të ngrenë një biznes hap pas hapi, mposhtin frikën e daljes përpara publikut dhe mund të largohen nga Startup Weekend Tirana me një biznes që do përmbushë një nevojë të komunitetit dhe do të sjellë fitime në të ardhmen. Fituesit kryesorë të tre vendeve të para tashmë janë vënë në kontakt me partnerët që ofruan asistencë financiare, inkubim dhe produkte / shërbime që do i ndihmojnë këta grupe fituese të vazhdojnë më tej idetë e tyre të biznesit. Pjesa më e rëndësishme është inkubimi dhe për këtë na duhet të falenderojmë Yunus Social Business dhe Talent Garden që morën përsipër të ndihmojnë skuadrat që ëndrrën apo idenë e nisur në Startup Weekend Tirana ta vazhdojnë më tej në ambjentet e tyre për një periudhë më të gjatë. Një falenderim i veçantë shkon për Tirana Business Park që ndihmoi financiarisht për SW Tirana si dhe fondacionin “Cultural Heritage without Border” që ishte partneri kyesor i Startup Weekend Tirana dhe ndihmoi në organizimin e gjithë eventit.

Po ata qe nuk fituan?

Ergest: Një nga qëllimet e Startup Weekend Tirana është të mësojë pjesëmarrësit të përballen me dështimin. Dështimi në këtë rast vjen në një ambjent të sigurtë që atyre nuk i shkakton humbje të mëdha siç mund të ndodhë kur një biznes përballet direkt me konsumatorin në treg. Në Startup Weekend Tirana dështim do të thotë të mos jesh një nga fituesit por jo domosdoshmërisht që ideja e tyre nuk ka potentical për t’u monetizuar.

Sidoqoftë, ne i kemi inkurajuar ata që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre me idetë e tyre të biznesit. Rrugëtimi në sektorin e sipërmarrjes së re (ose siç njihet ndryshe startup-eve) nuk është shumë i lehtë, por ne besojmë që ata në një fundjavë iu dha mundësia të kuptonin bukurinë e të ndjekurit të ëndrrave të tyre.

Cili është vazhdimi i SW? Keni plane konkrete?

Aneida: Startup Weekend Tirana tashmë është bërë traditë të zhvillohet çdo vit dhe interesi për pjesëmarrje rritet çdo vit. Për ne ishte një eksperiencë e veçantë të zhvillonim një edicion tematik dhe të kanalizonim idetë në një fushë të caktuar. Ishim fillimisht skeptikë për pjesëmarrjen dhe rezultatet por pas përfundimit të këtij edicioni mendojmë që çdo vit duhet zhvilluar një edicion SW në një fushë të caktuar. Kryesisht dëshirojmë të zhvillojmë Startup Weekend në fusha ku ka më shumë nevoja komuniteti (shëndetësia, arsimi, ekonomia, drejtësia etj ) dhe që nëpërmjet biznesit të përmbushen këto nevoja dhe që mund të na vijnë në ndihmë në jetën e përditshme. Prandaj planet për të ardhmen përfshijnë realizimin e 2 edicioneve Startup Weekend në vit: 1 tematik dhe 1 të përgjithshëm.

Çfare roli po luan SW në ngritjen e një Ekosistemi mbështetës të Startups në Shqipëri?

Ergest: Besojmë se Startup Weekend Tirana është bërë një nga eventet më të rëndësishme për të ndihmuar inovatorët, të rinjtë dhe profesionistët të krijojnë biznese. Gjatë eventit, një nga gjërat që ekipet mësojnë është se asgjë nuk mund të bëhet vetëm, dhe kjo është fillesa e ekosistemit. Ne i ndjekim ekipet dhe pas mbarimit të eventit, duke i këshilluar dhe duke i ndihmuar me mundësi ose duke i lidhur ata me aktorë të tjerë që mund ti ndihmojnë në rrugëtimin e tyre. Këto janë hapa të nevojshëm për të fuqizuar ekosistemin dhe për të lidhur aktorët e ndryshëm të sektorit. Startup Weekend nuk është i vetmi aktor në këtë sektor, prandaj ne mundohemi gjithmonë që proçesi të jetë inkluziv dhe të bashkëpunojmë me të gjithë aktorët e tjerë, duke krijuar ura lidhëse mes tyre dhe startup-eve. Këtë vit Startup Weekend Tirana u kurorëzua me çmimin “Best Innovation Accelerator” në Infocom Albania.

Aktorë të tjerë pjesëmarrës / mbështetës të SW çfarë roli kanë në këtë proçes? Ku kërkohet mbështetja më e madhe dhe në çfare konsiston?

Aneida: Siç u tha dhe më parë, Startup Weekend Tirana synon të jetë një proçes gjithëpërfshirës dhe nuk mund të funksionojë pa partnerët që i ofrojnë mbështetje gjatë organizimit të eventit, gjatë vetë eventit, si dhe partnerët që ndihmojnë skuadrat të vazhdojnë idetë e tyre të biznesit. Mbështetja financiare është shumë e rëndësishme për skuadrat dhe në këtë pjesë na vjen në ndihmë tashmë prej 2 edicionesh Agjencia Shqiptare për Zhvillim dhe Investim e cila ofron 300.000 Lekë për skuadrën fituese. Përveç asistencës financiare, ne kryesisht kërkojmë që skuadrat të inkubohen në mënyrë që të kenë një vend ku të mblidhen dhe të marrin këshillim për zhvillimin e mëtejshëm të biznesit. Gjithashtu ne i mundësojmë skuadrave nëpërmjet partnerëve mjete që do i ndihmojnë më tej në biznesin e tyre; këshillim ligjor dhe financiar, internet, mjete teknologjike etj. Dëshiroj gjithashtu të falenderojmë pa masë pjesën tjetër të skuadres organizative: Marsida Vishkurti, Besmir Kthupi, Miga Ciku, Daniel Bicja si dhe Ina Xhani e Arianna Briganti nga CHwB.

Nëse do ti flisnit tani të rinjve me pak fjalë, përse duhet të marrin pjesë në Startup Weekend?

Ergest: Startup Weekend është mundësia e tyre më e mirë për të testuar idetë e tyre, aftësitë që kanë, në një ambient të sigurtë, ku të dështosh nuk të kushton dhe ku kushdo mund të kuptojë dhe të ndjekë ëndrrën e tij. Në vetëm 54 orë ata diskutojnë për ide, formojnë ekipe, vërtetojnë hipoteza, krijojnë modele biznesi dhe hedhin hapat e parë në botën e sipërmarrjes. Deri në fund të aktivitetit, shumë kuptojnë nese idetë e tyre ja vlejnë dhe të tjerë kuptojnë që aftësitë e tyre janë shumë të nevojshme për zhvillimin e një ideje.

Në shumë raste të rinjtë por dhe profesionistët në Shqipëri tentojnë të ndjekin një rrugëtim ‘pa rreziqe’ duke punuar në kompani të mëdha, në korporata që të mund të ecin në rrugën e tyre falë aftësive që ata kanë. Ne po mundohemi të ndryshojmë këtë mentalitet, duke i bërë ata të provojnë kënaqësinë e të ndjekurit të ëndrrave të tyre. Dhe kjo përsëri brenda filozofisë së të qenurit i sigurt dhe pa risqe.

Kush mund të marrë pjesë? Ka kritere?

Aneida: Startup Weekend Tirana është i hapur për gjithësecilin që kërkon të marrë eksperiencën Startup Weekend. Në edicionet e përgjithshme çdokush që blen një biletë mund të bëhet pjesëmarrës; qoftë ata që kanë një ide por edhe ata që duan t’i vijnë në ndihmë skuadrave nëpërmjet një aftësie të caktuar që kanë (IT, marketing, design etj). Ndërsa në edicionet tematike, targeti ynë janë ata që kanë një interes të caktuar në fushën në të cilën zhvillohet eventi por edhe pjesëmarrës që ndihmojnë këto skuadra.

Kur planifikohet SW i rradhës? Cilat fusha do të mbulojë?

Ergest: Për momentin jemi duke marrë veten nga edicioni I fundit J Akoma nuk kemi plane konkrete për Startup Weekend-in e ardhshëm por shpresojmë që në të ardhmen që organizojmë sërish evente Startup Weekend; të përgjithshëm dhe tematikë duke u bërë kështu hapi i parë për sipërmarrësit e rinj.

Një mesazh për të rinjtë?

Aneida: Eksperienca e pjesëmarrjes dhe organizimit të Startup Weekend Tirana na ka mësuar që pjesëmarrësit që kanë qenë të apasionuar pas idesë së tyre e kanë vazhduar atë më tej, edhe në rastet kur nuk kanë qenë fitues. Prandaj une kam vetëm një mesazh për të rinjtë: Ndiqni ëndrrat tuaja dhe punoni fort për t’i vënë ato në jetë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0