Analizë/ Startup-et në Shqipëri, një ekosistem në zgjerim me sfida dhe potencial! - Business Magazine Albania

Analizë/ Startup-et në Shqipëri, një ekosistem në zgjerim me sfida dhe potencial!

Analizë/ Startup-et në Shqipëri: Një ekosistem në zgjerim me sfida dhe potencial
~9 minuta lexim

Nga Eni Muça- Në dy dekadat e fundit, peizazhi i startup-eve në Shqipëri ka kaluar nga një terren i panjohur në një ekosistem në zhvillim të vazhdueshëm. Me gjithnjë e më shumë ide të reja, mbështetje institucionale dhe angazhim rinor, vendi po i afrohet modelit të vendeve që kanë ndërtuar identitetin e tyre mbi inovacionin dhe sipërmarrjen.

20 vite transformim

Gjatë periudhës 2005-2010, startup-i si koncept ishte pothuaj i panjohur. Bizneset e vogla dominoheshin nga struktura tradicionale dhe mungesa e qendrave mbështetëse. Pas vitit 2010, nis ngritja e parë e hapave seriozë me hapjen e inkubatorëve, akseleratorëve dhe qendrave teknologjike. Kulmi i formalizimit të sipërmarrjeve të vogla (jo domosdoshmërisht startup) u arrit me regjistrimin masiv të fermerëve me NIPT në 2015, duke reflektuar një rritje artificiale të bizneseve të reja, por me impakt në statistika. Pas vitit 2020, ndryshimet u thelluan, sidomos për startup-et. Qeveria shqiptare miratoi ligjin nr. 25/2022 “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, krijoi regjistrin zyrtar të startup-eve dhe themeloi Agjencinë “Startup Albania”, e cila ofron grante, mentorim dhe promovim brenda dhe jashtë vendit. Deri në vitin 2025, qindra startup-e kanë përfituar mbështetje financiare dhe morale për të zhvilluar idetë e tyre.

Gratë dhe vajzat në sipërmarrje: Rritje graduale, sfida të mëdha

Vetëm 25.5% e bizneseve aktive në Shqipëri drejtohen nga gra (INSTAT, 2020). Shumica janë mikro-biznese në sektorin e shërbimeve si tregtia, estetika dhe kujdesi social. Megjithatë, në thirrjen e fundit për grante startup (2025), 47% e aplikimeve erdhën nga gra dhe vajza, një rritje domethënëse që tregon një rritje të vetëbesimit dhe ambicies sipërmarrëse.

Rrjetet mbështetëse, trajnime të dedikuara për gratë dhe nisma si “Women on Boards Albania” po forcojnë pozicionin e grave në një terren tradicionalisht të dominuar nga burrat. Objektivat kombëtare synojnë 50 mijë gra në sipërmarrje deri në vitin 2030.

Numri total i startup-eve dhe ndërmarrjeve të reja

Nuk ekziston ende një shifër zyrtare e saktë vetëm për “startup-et” (pasi ky term përcaktohet ligjërisht që nga 2022 dhe varet nga vetëdeklarimi në Regjistër). Megjithatë, mund të përdoren të dhënat e sipërmarrjeve të reja ekonomike si tregues. Gjatë periudhës 2005–2025, Shqipëria ka pasur mijëra biznese të reja çdo vit. Të dhënat tregojnë se:

  • Mesatarisht, rreth 21,800 sipërmarrje të reja regjistrohen çdo vit dhe arrijnë të jenë aktive deri në fund të vitit. Kjo mesatare është rritur krahasimisht me vitet 2000, duke reflektuar një ekonomi në zgjerim.

  • Kulmi i regjistrimeve të reja ishte viti 2015 me 56,787 biznese të reja në atë vit (përfshirë fluksin masiv të fermerëve të formalizuar). Pas 2015, numri i sipërmarrjeve të reja duket se u njëjtësua : p.sh. 17,377 biznese të reja në 2014, 17,508 në 2019 dhe 17,319 në 2020. Këto shifra tregojnë se çdo vit në Shqipëri fillojnë rreth 17–18 mijë sipërmarrje të reja.

Lexo edhe:Startupet fituese të Plug and Play Tirana

Shpërndarja sipas rajoneve dhe qarqeve

Aktiviteti sipërmarrës është i përqendruar kryesisht në qendrat urbane, me Tiranën në krye. Statistikisht:

  • Qarku/Bashkia Tiranë strehon numrin më të madh të bizneseve. Deri në vitin 2015, rreth 34–40% e të gjitha ndërmarrjeve në vend ishin të përqendruara në Tiranë (pika më e lartë në 2014 me ~39.7%. Pas 2015-ës, me shtimin e mijëra fermerëve nga rrethet në regjistër, pesha e Tiranës ra disi, por ende Tirana përbën afërsisht 28–30% të bizneseve aktive në shkallë vendi. Konkretisht, në vitin 2020 në Bashkinë Tiranë ishin të regjistruara ~46,926 ndërmarrje aktive. Kjo e bën Tiranën padyshim qendrën e ekosistemit startup, falë tregut më të madh, pranisë së universiteteve, investitorëve, institucioneve dhe infrastrukturës më të mirë.

  • Pas Tiranës, qarqet Durrës, Fier, Vlorë dhe Shkodër vijnë me numrin e bizneseve, por shumë më pak. Sipas INSTAT, qarqet Tiranë, Fier dhe Korçë së bashku mbajnë 54.9% të njësive lokale të bizneseve. Rajoni Qendër (Tiranë + Elbasan) llogaritet si më i zhvilluari, me 41% të ndërmarrjeve aktive në 2020. Kjo do të thotë se gati gjysma e bizneseve (dhe startup-eve potenciale) ndodhen në Shqipërinë e mesme. Qarqet e tjera (Verilindja dhe Juglindja) kanë peshë më të vogël në sipërmarrje, kryesisht për shkak të urbanizimit më të ulët dhe migrimit të të rinjve drejt Tiranës apo jashtë shtetit. Gjithsesi, iniciativa si Tech-Hub Korça apo qendrat rinore në Shkodër dhe Gjirokastër po mundohen të krijojnë mikro-ekosisteme lokale për startup-et, me mbështetjen e donatorëve.

  • Diaspora dhe bizneset e huaja: Një element rajonal interesant është roli i Tiranës si magnet edhe për bizneset e huaja. Rreth 64.9% e ndërmarrjeve me pronarë të huaj janë të përqendruara në Tiranë dhe 12.1% në Durrës– pra afro 3/4 e bizneseve të huaja janë në këto dy zona bregdetare/urbane. Kjo shpërndarje tregon se bizneset me orientim ndërkombëtar apo me themelues nga diaspora po zgjedhin Tiranën si bazë.

Normat e suksesit dhe dështimit (mbijetesë vs mbyllje)

Në klimën startup, një tregues i rëndësishëm është se sa biznese mbijetojnë me sukses dhe sa mbyllen pas pak kohësh. Shqipëria, si shumë vende të rajonit, ka një qarkullim të lartë të bizneseve – shumë hapen çdo vit dhe pothuaj po aq mbyllen. Disa statistika ilustrative:

  • Në vitin 2019, u regjistruan 17,508 biznese të reja, por po atë vit 18,001 biznese dolën nga tregu (u mbyllën). Pra, hyrjet dhe daljet pothuaj u barazuan, madje daljet i tejkaluan pak hyrjet, duke sjellë një tkurrje neto të numrit të bizneseve (INSTAT raporton ~3,700 biznese aktive më pak në 2019 se në 2018). Kjo tregon se “faza e brishtë” e bizneseve mbetet sfiduese – shumë subjekte nuk i mbijetojnë vitit të parë ose të dytë të aktivitetit.

  • Gjatë pandemisë COVID-19, pritej një valë falimentimesh, por qeveria implementoi paketë mbështetëse dhe duket se pati efekt: në vitin 2020 numri i ndërmarrjeve që u mbyllën ra në 13,275 (nga 18 mijë vitin pararendës). Kjo do të thotë se shumë biznese mbijetuan pavarësisht krizës, ndoshta falë subvencioneve, pezullimit të taksave dhe adaptimit në tregun online. Kështu, norma e mbijetesës u përmirësua përkohësisht në 2020 krahasuar me trendin.

  • Sidoqoftë, në periudhë afatgjatë, mbijetesa e sipërmarrjeve të reja shqiptare është e ulët. Një vlerësim i përgjithshëm (bazuar në raportet e mëparshme të INSTAT) është se rreth 1 në 2 biznese të reja nuk arrijnë të festojnë 5-vjetorin e tyre. Shumica e mbylljeve ndodhin në vitet e para të aktivitetit, shpesh për shkak të tregut të ngushtë, kapitalit të pamjaftueshëm, apo pronarëve që emigrojnë jashtë vendit.

  • Sukseset: Sa i takon sipërmarrjeve të vogla startupe ka nga ato që kanë pasur sukses domethënës. Disa kanë arritur të rriten e të zgjerohen rajonalisht (p.sh. startup-e teknologjike që tani operojnë edhe në Kosovë, Maqedoni ose po synojnë tregjet perëndimore). Të dhënat nga StartupBlink tregojnë se një startup mesatar shqiptar ka tërhequr rreth 1.77 milionë dollarë investim. Natyrisht, kjo mesatare ndikohet nga disa projekte të financuara mirë, ndërsa shumica operojnë me kapital shumë më modest.

Cilat kategori dominojnë?

Sektorët më të përfaqësuar në skenën e startup-eve janë:

  • Teknologjia dhe ICT: Me rritjen e edukimit digjital, startup-et teknologjike po marrin protagonizëm. Sektori përmban shumicën e startup-eve me potencial eksporti.
  • Turizmi dhe mikpritja: Rritja e turistike ka frymëzuar krijimin e platformave për prenotime, guida digjitale dhe agjenci me fokus në eksperiencat lokale.
  • Agrobiznesi dhe Agritech: Me formalizimin e fermerëve, bujqësia ka peshë në statistika, por startup-et inovative në këtë fushë janë ende të pakta.
  • Shëndetësi dhe edukim: Po shfaqen startup-e në telemjekësi, ed-tech dhe trajnim online, duke reflektuar tendencat globale pas pandemisë.

Vizioni drejt 2030

Shqipëria ka nisur të strukturojë një klimë startup-i me bazë ligjore, financime të dedikuara dhe institucione mbështetëse. Tani sfida është të ngrihet një kulturë e qëndrueshme sipërmarrjeje, ku startup-et jo vetëm të lindin, por edhe të rriten dhe të shkëlqejnë edhe në vende të tjera. Me një kombinim të rinisë kreative, grave dhe burrave ambiciozë dhe politikës publike aktive, startup-et shqiptare janë në një udhëtim të suksesshëm drejt ndikimit ekonomik dhe social.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Çdo rrezik është një mundësi. Për të qenë sipërmarrës, duhet të guxosh të dështosh.”
— Richard Branson
Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0