"Ana e Malit", sipërmarrja sociale e ngritur mes natyrës së qytetit të Shkodrës - Business Magazine Albania

“Ana e Malit”, sipërmarrja sociale e ngritur mes natyrës së qytetit të Shkodrës


Agroturizmi, si një degë e re e turizmit të mirëfilltë në vendin tonë, po shënon nga viti në vit, frekuentim në rritje jo vetëm për pushuesit dhe vizitorët vendas por edhe për turistët e huaj.

Peizazhi i mrekullueshëm, ajri i pastër, ushqimet bio dhe tradicionale të zonës, janë vetëm disa mundësitë që ofron për të gjithë ferma komplekse agroturistike të ngritura vitet e fundit në vendin tonë.

E tillë është edhe Ferma Eco-Sociale “Ana e Malit”, një sipërmarrje sociale e ngritur nga Kastriot Faci, e cila synon të ketë ndikim të dyfishtë, ndikim në mjedis dhe social.

Ajo afron më afër njerëzit me natyrën, nëpërmjet organizimit të aktiviteteve social kulturore në natyrë dhe punësimin e personave me aftësi të ulëta kontraktimi. Eshtë një nga tre projektet fituese në konkursin Ideve të Gjelbërta, konkurs i përvitshëm i organizuar nga Partnerët Shqipëri.

Ngritja e një pike të tillë, e para në llojin e saj në vendin tonë, është bërë e mundur jo vetëm nga drejtuesit e saj, por edhe falë angazhimit të organizatës The Door dhe të partnerëve të saj.

Me distancë vetëm 2,2 km larg urës së Bunës, 7 km larg qendrës së qytetit të Shkodrës dhe 12 km larg pikës kufitare të Muriqanit me Malin e Zi, ferma është e arritshme për këdo qoftë në këmbë, biçikletë apo me makinë. Ajo kufizohet nga shtëpia e Malësorit, fshatin Zues dhe fshatin Xhaferaj.

Një zonë, e cila shquhet për bukuritë natyrore, produktet bujqësore dhe njerëzit e saj shumë të mirë.

Ferma ndodhet në zonën me peizazh të mbrojtur të lumit Buna në Bashkinë Shkodër, në njësinë administrative Ana e Malit. Shtrihet në një kodrinë argjilore, pjesë e një vargu kodrash, të quajtura Kodrat Magjype.

Brinjë këtyre kodrave kalon një rrugë e vjetër e ndërtuar nga Perandoria Austriake, e cila lidhte Shkodrën me Krajën e Malit të Zi.

Pasi keni lënë asfaltin e marrë kthesën djathtas, tek një tabelë e bërë nga një baraban kabllosh, ju duhet ecni për vetëm 200 metër në rrugë rurale dhe ja mbërritët. Parkingu kufizohet nga një bahçe të rrethuar mjeshtërisht me kallamë.

Brenda saj janë tre ullinj, e pas tyre, një kënd lodrash, tre ndërtesa të ulëta dhe një masiv pishash që ngjiten lart deri në kodër e që shoqërohen nga të tjerë ullinj. Fabiola, një qen i rracës labrador me dy këlyshët e saj Ekon dhe Farma, ju mirëpresin; tre macet lozonjare, banorë të fermës, gjithashtu ju shoqërojnë. Veranda e repartit të punës së ngritur nga blloqe betoni është mobiluar thjeshtë. Aty do të shikoni disa karrige Milingona të prodhuara me kofnet e makinave, materiale të riciklueshme.

Tavolinat e stolat e tjerë gjithashtu janë prodhuar në fermë në të njëjtën mënyrë. Veranda përdoret për ushqim dhe veprimtari të tjera kreative.

Reparti i punës tani për tani shërben si një magazine për ruajtjen e shumë objekteve të grumbulluara, të cilat i përkasin të kaluarës dhe në vetvete mbartin shumë histori interesante. Në fakt, këtë hapësirë të ardhmen e afërt, drejtuesit e saj synojnë ta përdorim për ngritjen e shërbimit të restorantit me gatime tradicionale të zonës së veriut të vendit tonë.

AKOMODIMI

Le të ngjitemi në rrugën që të shpie tek një ndërtesë në dukje druri, që është pagëzuar me emrin banesa sociale për akomodimin e pushuesve. Dhomat të gjitha kanë akses në verandë dhe një strehë me kallama, që i shërben pushuesve për tu mbrojtur nga rrezet e diellit. Nga veranda ju mund të shijoni panoramën e luginën e shegëve të buta, pyllit të ullinjve e drurëve të lisit në kodrat përballë dhe banesat e Shtëpisë së Malësorit.

Në krahun e majtë të banesës sociale të bën kureshtar një shtepizë e bukur me ngjyrë të bardhë me çati me tjegulla të vjetra mercedese. Me kushte modeste akomodimi, kjo fermë ka hapësirat e duhura jo vetëm për individë por edhe për grupe nxënësish, familje apo grupe shoqërore, që i pëlqejnë aktivitetet në natyrë.

Ndërsa kjo fermë deri më tani ka si target turistët e aventurës, ata që kryesisht udhëtojnë me biçikleta dhe ju pëlqen të flenë shpesh herë jashtë, në çadra, në qiell të hapur, në hapësirat e kushtet që të ofron ferma. Këtu është mundësinë e akomodimit falas, për ata që angazhohen me punë vullnetare, duke ndihmuar në punët e përditshme të fermës.

Një mur guri mbajtës ndan sheshin e akomodimit për çadrat me banesën e ndërtuar dhe një shesh që përdoret nga pushuesit për parking apo për të luajtur futboll e basketboll. Pak më lart është stalla, e cila është ndërtuar me materiale të riciklueshme. Aty jetojnë të gjithë kafshët e shpendët e fermës, përveç bletëve. Ato janë dele, dhi, pula, pata, gomerë, pëllumba, rika, pulhine. Ndërkohë gjatë shëtitjeve në fermë ju mos u habisni nëse ndonjë lepur ju pret rrugën me shpejtësi.

Breshkat janë më të shumta në numër se sa iriqët, të cilët janë banorë autoktonë në fermë. Kryesisht hutini por dhe zogj të tjerë fluturojnë përmbi fermë, të parët për të rrufitur ndonjë nga pëllumbat apo zogjët e pulave e të tjerët për të shoqëruar me këngën e tyre ju shoqërojnë gjatë gjithë kohës së qëndrimit tuaj. Një shumëllojshmëri zogjsh të tjerë fluturojnë mbi qiell me destinacion lumin Buna, fushat përreth apo dhe në liqenin e Shkodrës.

Shëtitjet në fermë janë një atraksion më vete ndaj tabelat e vendosura ju orientojnë të marrin rrugën për lart. Ndërsa jemi duke ecur, pas rreth 200 metrash, në të majtë dallojmë 27 koshere me bletë të rrethuara me një rrjetë me ngjyrë jeshile.

Ndërkohë ne vazhdojmë ecjen në këmbë dhe kalojmë përmes një fushe volejbolli ku shtyllat e saj janë të bëra me drurë. Pas pak metrash na shfaqet madhërishëm një amfiteatër, i cili shtrihet në kodër. Forma e tij është si në kohët e teatrit antik.

Eshtë ngritur me gurët natyralë të grumbulluar me karrocë me kalë në zonë e pa përdorur asnjë kovë llaç, kudo mbizotëron ngjyra jeshile, ajri i pastër, ndaj dhe e kemi pagëzur me emrin “Amfiteatri Natyror”. Skena e tij është prej druri dhe hekuri me përmasat të bollshme që lejojnë performancën në grup. Ajo është mikpritëse për artistët e rinj si nga brenda ashtu dhe jashtë vendit tonë.

Që prej tre vitesh në këtë skenë çdo vit realizohen veprimtari social kulturore dhe i shërben si promotore e traditave tona, kulturës, paqes, teatrit social për rininë. Kapaciteti i amfiteatrit është deri në 5 mijë persona. Hapësira dhe skena e amfiteatrit shërbejnë gjithashtu për nxënësit e shkollave, vizitore ditorë të fermës.

BIMËSIA E FERMËS

Mikroklima e krijuar me erërat nga bregdetare dhe Mali i Taraboshit, ndihmojnë që zona të shquhet për prodhimet të mira bujqësore, perimet dhe zarzavatet. Gjatë dy viteve të fundit fermës i janë shtuar 300 fidanë ulliri të rinj, të cilat janë mbjellur nga mbështetja e Swiss dhe Austrian Cooperation. Krahas tyre kemi mbjellë pemë frutore si limonë, portokalle, mandarina, dardha etj.

Një masiv me pisha që u pat mbjellur nga ndërmarrja pyjore rreth 7 vjet më pare, përbën një pjesë të madhe të bimësisë së fermës. Ato po rrisin kurorën jeshile mbi banesën sociale, si dhe rrisin sigurinë e mbrojnë kodrën nga erozioni.

Shegat dhe dardhat e egra, rrënjët e të cilave i kanë rezistuar sopatës së njerëzve dhe thatësirës së verës, tashmë e kanë rimarrë vehten. Vilet po ashtu.

Ato i rezistojnë thatësirës të vendosur pikërisht aty ku lagështira dëshmon prezencën saj, në brinjët e kodrës. Lulet e stinës të shumta lulëzojnë sipas radhës krahas bimëve medicinale e aromatike si shërbela, makthi dhe levando te mbjellura së fundmi nga ne.

Tashmë kemi mbërritur ne majë të kodrës, aty ku tabela shënon “Sheshi Belvedere”. Prej këtu Ju mund të shijoni panaramën fantastike duke filluar qe nga Mali i Cukalit, Gurin e Zi, Ganjollën, Berdicën, fushat e Dajçit, kodrat Oblikës e në vazhdimin kodrat e malet përtej kufirit e deri në majën e Taraboshit.

Për më shumë, ju presin të tjera surprizë në këtë fermë tejet të veçantë të ngritur në veri të vendit.

ATRAKSIONET E FERMËS

Ngjitje në Malin e Taraboshit si dhe në fshatrat e sipërm të Anën së Malit si Muriq, Krebaj, Kravar e në fshatin kufitar të Vithgarit.

Çiklizëm malor në rrugët e shtigjet e zonës.

Plazh në lumin Buna, aty mund të shkoni me biçikletë apo në këmbë.

Akomodimi me çadra në natyrë të hapur, organizimi i grilave familjare.

Shëtitje me gomar, kujdesi ndaj kafshëve, shpendëve dhe bimësisë së fermës.

Vizite në muzeun e historiko-etnografik, pranë gjimnazit Oblike, muzeut të ngritur nga Ruzhdi Poda dhe Isa Meti.

Shëtitje me varkë, skafe dhe anije në lumejtë Buna e Drin dhe në Liqenin e Shkodrës me mjetet e ludrimit të menaxhuara nga “Vëllezërit VATAKSI“.

ATRAKSIONET TË TJERA ME BIÇIKLETE

Shëtitje dhe Vizitë në Kalanë Rozafa.

Shëtitje buzë Liqenit të Shkodrës, Shirokë dhe Zogaj.

Shëtitje brigjeve dhe rrugëve në krah të lumejve Buna, Drini dhe Kir.

Shëtitje me biçikletë në rrugën e biçikletave “Jetoje Lumin” në zonën e Dajçit.

Shëtitje me biçikletë në qytetin e Shkodrës, vizitë në muzeun e fotografisë MARUBI, Muzeun Historik, Xhaminë e Plumbit, Muzeun e Kujtesës, Kishën Katedrale të Shën Shtjefnit etj.

burimi: ata.gov.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0