Amazon kërkon prova konkrete produktiviteti nga punonjësit, lista e arritjeve bëhet kriter për pagën dhe të ardhmen - Business Magazine Albania

Amazon kërkon prova konkrete produktiviteti nga punonjësit, lista e arritjeve bëhet kriter për pagën dhe të ardhmen

Amazon kërkon prova konkrete produktiviteti nga punonjësit, lista e arritjeve bëhet kriter për pagën dhe të ardhmen

Amazon po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si i vlerëson punonjësit e saj. Sipas dokumenteve të brendshme të siguruara nga Business Insider, kompania u ka kërkuar punonjësve të saj korporativë që të paraqesin një listë me tre deri në pesë arritje konkrete që përfaqësojnë punën e tyre më të mirë gjatë periudhës së fundit.

Këto nuk janë përshkrime të përgjithshme apo detyra rutine, por projekte, iniciativa, përmirësime procesesh apo rezultate të matshme që tregojnë ndikimin real të secilit individ në performancën e kompanisë.

Së bashku me këtë listë, punonjësit duhet të përshkruajnë edhe çfarë planifikojnë të bëjnë në të ardhmen për t’u zhvilluar më tej brenda Amazon. Udhëzimi i brendshëm thekson se arritjet mund të përfshijnë edhe raste kur një punonjës ka marrë rreziqe apo ka provuar të inovoje, edhe nëse rezultati përfundimtar nuk ka qenë ai i dëshiruari, për sa kohë që tregohet iniciativa dhe mendimi krijues.

Ky ndryshim është pjesë e procesit të ri të vlerësimit të performancës të quajtur Forte, i cili përdoret për të përcaktuar pagat, bonuset dhe mundësitë e avancimit në karrierë. Sipas burimeve të njohura me këtë proces, sistemi i ri i Amazon vendos shumë më tepër theks mbi arritjet individuale sesa praktikat e mëparshme. Më herët, vlerësimet fokusoheshin më shumë në pikat e forta, interesat dhe mënyrën se si një punonjës e perceptonte veten në punë, me pyetje të tipit “kur je në formën tënde më të mirë, si kontribuon?”. Tani pyetja është shumë më e drejtpërdrejtë: çfarë ke ndërtuar dhe çfarë vlere ke krijuar?

Lexo edhe: Apple “thyen” kalendarin e saj, iPhone 18 mund të mos vijë në vjeshtë

Me rreth 350 mijë punonjës korporativë dhe mbi 1.56 milionë punonjës në total në mbarë botën, Amazon po e aplikon këtë model vlerësimi në një nga fuqitë punëtore më të mëdha në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale. Edhe pse produktiviteti ka qenë gjithmonë pjesë e vlerësimeve të performancës në korporata, ky ndryshim shënon një kthesë drejt një kulture ku kërkohen prova të qarta të kontributit individual dhe jo vetëm potenciali apo angazhimi i përgjithshëm.

Në fakt, Amazon nuk është e vetme në këtë drejtim. Industria globale e teknologjisë po kalon prej vitesh drejt një modeli më të ashpër dhe më të orientuar nga rezultatet. Që prej momentit kur Elon Musk mori drejtimin e Twitter, ai u kërkoi punonjësve të raportonin çdo javë se çfarë kishin arritur, duke e kthyer produktivitetin në një kriter të drejtpërdrejtë mbijetese profesionale. Praktika të ngjashme janë shfaqur edhe në media dhe sektorë të tjerë, ku drejtuesit kërkojnë nga stafi të justifikojë qartë vlerën që sjell në organizatë.

Në Amazon, ky ndryshim lidhet ngushtë me vizionin e CEO-së Andy Jassy, i cili mori drejtimin nga Jeff Bezos dhe ka nisur një fazë të re ristrukturimi kulturor. Që prej ardhjes së tij, kompania ka rikthyer detyrimin për të punuar nga zyra, ka ndryshuar sistemin e shpërblimit për të favorizuar performuesit më të mirë dhe ka realizuar disa raunde shkurtimesh të stafit. Në tetor të vitit të kaluar, Amazon shkurtoi rreth 14 mijë pozicione korporative, në një periudhë kur po investon agresivisht në inteligjencën artificiale.

Jassy ka qenë i hapur për faktin se AI do të ndryshojë thelbësisht mënyrën se si punojnë kompanitë dhe njerëzit. Ai i ka përshkruar agjentët AI si “shokë skuadre” që do t’i çlirojnë punonjësit nga puna mekanike dhe do t’u lejojnë të fokusohen tek detyrat me më shumë vlerë. Sipas tij, shumë procese do të automatizohen, por do të krijohen edhe role të reja më të avancuara në teknologji dhe menaxhim.

Megjithatë, ai ka theksuar se shkurtimet e fundit nuk janë bërë për arsye financiare apo për shkak të AI, por për shkak të kulturës së kompanisë dhe nevojës për të pasur një organizatë më të përqendruar dhe më efikase. Në këtë kontekst, kërkesa për lista arritjesh nuk është thjesht një procedurë administrative, por një sinjal i qartë se Amazon po kërkon punonjës që jo vetëm të jenë të pranishëm, por të jenë të matshëm në ndikimin e tyre.

Paralelisht, kompania po vendos baste të mëdha mbi inteligjencën artificiale. Amazon ka njoftuar investime prej qindra milionë dollarësh në AI gjenerative për AWS, si dhe dhjetëra miliarda dollarë për ndërtimin e infrastrukturës së superkompjuterëve dhe shërbimeve AI për agjencitë qeveritare. Në këtë realitet të ri, kombinimi i teknologjisë së avancuar me njerëz që japin rezultate konkrete po shihet si formula fituese për të ardhmen e kompanisë.

Mesazhi i Amazon është i qartë: në epokën e AI dhe konkurrencës globale, nuk mjafton më të jesh i zënë apo i angazhuar. Duhet të jesh i dobishëm, i matshëm dhe i aftë të tregosh se çfarë ke ndërtuar. Dhe tani, kjo kërkohet edhe me shkrim.

yahoo

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0