Alibaba hyn në garën e syzeve inteligjente, krijon syzet Quark të fuqizuara nga Qualcomm - Business Magazine Albania

Alibaba hyn në garën e syzeve inteligjente, krijon syzet Quark të fuqizuara nga Qualcomm

Alibaba hyn në garën e syzeve inteligjente, krijon syzet Quark të fuqizuara nga Qualcomm

Alibaba ka prezantuar për herë të parë një palë syze inteligjente të fuqizuara nga inteligjenca artificiale,  syzet Quark AI, të emërtuara sipas asistentit të saj virtual. Pajisja u shfaq për publikun në Konferencën Botërore të Inteligjencës Artificiale (WAIC) në Shanghai. Edhe pse kompania nuk ka zbuluar ende çmimin apo datën e lançimit, është konfirmuar se produkti është i zhvilluar plotësisht dhe pritet të dalë në tregun kinez brenda këtij viti.

Syzet janë projektuar për të funksionuar ngushtë me ekosistemin në rritje të AI-së së Alibaba-s dhe ofrojnë veçori të avancuara si përkthim në kohë reale, pagesa pa duar, krahasime çmimesh dhe navigim turn-by-turn, të gjitha të aksesueshme direkt përmes lenteve. Kjo është përpjekja e parë e Alibaba-s në tregun e syzeve inteligjente dhe koha e lançimit nuk është rastësi. Konkurrentët vendas si Xreal dhe Rokid kanë prezantuar tashmë produktet e tyre, ndërsa gjigantë globalë si Meta janë të pranishëm me syzet inteligjente Ray-Ban. Në vend që të qëndrojë jashtë vëmendjes, Alibaba duket e vendosur të konkurrojë duke shfrytëzuar asetet e veta strategjike , modelet e veta AI, platformat softuerike dhe shërbimet ekzistuese si Alipay dhe Taobao. Syzet Quark AI do të përdorin platformën Snapdragon AR1 të Qualcomm-it, një çip i ndërtuar posaçërisht për pajisje të realitetit të shtuar. Brenda tyre është integruar edhe një procesor i dytë me konsum të ulët energjie, ndërsa sistemi operativ është i dyfishtë: Android dhe një Sistem Operativ në Kohë Reale (RTOS), i cili menaxhon detyrat e lehta dhe të menjëhershme në mënyrë efikase.

Lexo edhe: Çfarë është “kriza e heshtur” në vendin e punës?

Gjatë vitit të fundit, Alibaba ka rritur ndjeshëm përfshirjen e saj në fushën e AI-së. Në muajin shkurt, kompania njoftoi një investim prej 53 miliardë dollarësh në infrastrukturë për AI përgjatë tre viteve. Gjithashtu, ajo ka riorganizuar ekipet e brendshme për të përqendruar më shumë fokusin tek modelet gjuhësore dhe produktet praktike, përfshirë zhvillimin e modeleve të veta të mëdha të gjuhës me emrin Qwen, që fuqizojnë veçoritë e ndryshme të Quark, asistentit të saj AI. Më herët këtë vit, Alibaba e transformoi Quark nga një aplikacion i thjeshtë kërkimi dhe ruajtjeje cloud në një asistent gjithëpërfshirës me funksione të krahasueshme me ChatGPT apo Google Gemini. Po ashtu, partneriteti me prodhuesin e syzeve AR RayNeo, për integrimin e teknologjive të AI-së në produktet e tij, tregon se Alibaba ka një vizion afatgjatë për këtë sektor.

Në aspektin e funksioneve, syzet Quark AI ofrojnë më shumë sesa një pamje futuriste. Përdoruesit mund të:

  • Skanojnë kode QR për pagesa përmes Alipay

  • Identifikojnë dhe krahasojnë çmime në Taobao thjesht duke i drejtuar syzet drejt produkteve

  • Përdorin navigimin në kohë reale për ecje apo çiklizëm me ndihmën e aplikacionit Amap

  • Bëjnë telefonata pa përdorur duart, marrin transkriptime të takimeve live, dëgjojnë muzikë dhe përdorin kamerën e integruar.

Nga ana e dizajnit, kompania ka punuar edhe për rehatinë e përdorimit. Krahët e syzeve janë 40% më të hollë se standardi i industrisë, ndërsa kornizat janë të lehta dhe të dizajnuara për të integruar të gjithë këtë teknologji pa u dukur të rënda apo të bezdisshme për përdorim të përditshëm.

IT

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0