Albina Peposhi, 17 vjeçarja shqiptare që punon për kompani në Poloni dhe Amerikë - Business Magazine Albania

Albina Peposhi, 17 vjeçarja shqiptare që punon për kompani në Poloni dhe Amerikë

Albina Peposhi

Albina Peposhi është vetëm 17 vjeç, në vitin e tretë të gjimnazit. Ajo ka nisur të mësojë programim që kur ishte 12 vjeç dhe vazhdimisht ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme sfiduese si olimpiada të informatikës dhe workshop-e apo hackathone virtuale si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Madje ajo ka fituar vendin e parë, në olimpiadën zhvilluar në Durrës “Unë dhe Kompjuteri”.

Talenti dhe pasioni për teknologjinë ka bërë që ajo t’i përkushtohet dhe të mësojë çdo ditë gjëra të reja dhe të jetë pjesë e pandashme e konkurseve të ndryshme.

Por Albina e ka kthyer talentin dhe pasionin e saj në punë, ku aktualisht punon part-time si back-end developer për një kompani në Poloni dhe pjesërisht fullstack developer për një kompani në Amerikë.

“Fokusi im është gjithashtu në arritjen e rezultateve të larta në shkollë, olimpiadat e informatikës, sport dhe aktivitetet e tjera jashtë ekraneve, me qëllim balancimin e angazhimeve në rutinën time ditore,” thotë Albina për BusinessMag.

Lexoni: Albina Peposhi, fiton medaljen e parë në olimpiadën “Unë dhe kompjuteri”

Ndërsa për organizimin e ditës së saj ajo përdor programe si Notion, apo Pomodoro Timer, ku cakton detyrat për të bërë, si në punë ashtu dhe në shkollë sipas prioritetit dhe orarit.

“Padyshim që jo gjithmonë dita ime është produktive e kodi nuk funksionon siç duhet dhe kjo është në rregull. Bëj pushime të shkurtra, mund të dal të marr ajër të pastër apo thjesht të gatuaj diçka, për të larguar mendjen për disa minuta, dhe për t’u kthyer me energji të re,” thotë ajo.

Albina përpiqet të balancojë dhe të vendosë prioritetet kur bëhet fjalë për mënyrën sesi organizon ditën e saj.

Një mirëorganizim kërkon shumë disiplinë dhe ndonjëherë dita nuk është produktive, mirëpo bej pushime të shkurtra. Del të marrë ajër të pastër, merret me sport apo thjesht gatuan diccka, për të larguar mendjen për disa minuta, dhe për t’u kthyer me energji të re. “Ndonjëherë ndërrimi i ambientit mjafton për t’u fokusuar sërish”, sipas saj.

Para pak kohësh ajo ishte mes nxënësve që zhvilluan takim me kryeministrin. Takimi erdhi nga mbledhja “Rinia për Rininë”, organizuar nga Ministrja për Rininë dhe Fëmijët dhe Kryeministri. Nxënësit ekselentë të Durrësit ishin ftuar për të dhënë ide rreth zhvillimit të rinisë dhe zgjidhjes së problematikave aktuale. “Ideja ime ishte e fokusuar rreth informatikës, zhvillimit të kësaj fushe në vendin tonë. Tregu ekonomik ka nevojë për më shumë programues, rinia jonë ka shumë potencial, dhe mendoj që shfrytëzimi i mundësive për të kualifikuar të rinjtë, si dhe krijimi i politikave financiare, të cilat mundësojnë lehtësimin e nisjes dhe zhvillimit të startup-ve, janë zgjidhja më e mirë. Kështu mendoj që njëkohësisht edhe vendi ynë do të kishte një zhvillim të madh në sektorin e teknologjisë”, thotë Albina. Takimin e dytë e zhvilloi në Tiranë, ku u ftua të ishte speaker për hapjen e eventit për buxhetin e shtetit 2022 për rininë. Fokusi i fjalimit të saj ishte në profesionalizimin dhe kualifikimin e nxënësve e studentëve në fushën e IT dhe krijimi i më shumë eventeve për zbulimin e talenteve dhe mbështetjen e tyre.

Pasionet e Albinës janë të shumta. Në punë, ajo merret me teknologji të ndryshme si AWS, NodeJS, GraphQL, ReactJS, Gatsby, MongoDB, TailwindCSS etj,. Me këto teknologji ajo punon edhe në projekte personale. Një pjesë të mirë të kohës së lirë e shpenzon duke u përgatitur për Olimpiadat Kombëtare të Informatikës dhe me disa projekte të vogla me Arduino dhe microcontrollers, ku përdor gjuhën e programimit C++. Një fushë e teknologjisë me shumë interes për të është Machine Learning dhe IA. Për to ka nisur kurse gjatë verës, mirëpo me fillimin e shkollës dhe ngarkesave të tjera, e ka lënë mënjanë përkohësisht. Për sa u perket aktiviteteve “jashtë ekraneve”, ajo merret me vrap, minimalisht 4 herë në javë, pasi është mënyra më e mirë e shkarkimit të ngarkesës emocionale që ajo ka.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0