AKEP propozon tarifat e reja për operatorët e komunikimeve elektronike dhe postare - Business Magazine Albania

AKEP propozon tarifat e reja për operatorët e komunikimeve elektronike dhe postare

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përgatitur një dokument që përcakton tarifat e reja që do të paguhen nga operatorët e tregut, për disa shërbime të parashikuara në ligjin e ri “Për komunikimet elektronike”, që u miratua vitin e kaluar. Ligji i ri përmban një sërë përcaktimesh të reja në lidhje me buxhetin dhe financimin e AKEP si dhe parime për tarifat që paguajnë sipërmarrësit për të mbuluar kostot administrative të AKEP për të kryer funksionet e tij rregullatore dhe mbikëqyrëse.

Sipas nenit 26 të ligjit të ri, para fillimit të aktivitetit, çdo sipërmarrës njofton AKEP sipas një formulari të miratuar. Për ushtrimin e të drejtave, që rrjedhin nga autorizimi i përgjithshëm, sipërmarrësi i autorizuar nuk ka nevojë për marrjen e një vendimi apo akti administrativ të posaçëm nga AKEP. Ligji parashikon që AKEP i regjistron operatorët ose ofruesit e shërbimeve në bazën e të dhënave elektronike brenda shtatë ditëve nga marrja e njoftimit dhe njofton regjistrimin e tyre me shkrim. AKEP më tej miraton me rregullore formën dhe përmbajtjen e njoftimit, dokumentacionin mbështetës dhe konfirmimin e regjistrimit.

Sipas propozimeve të AKEP, Certifikata e Konfirmimit të Njoftimit/Regjistrimit do të lëshohet për çdo sipërmarrës, pas njoftimit dhe regjistrimit në Regjistrin e Autorizimit të Përgjithshëm, sipas pikës 5 të Nenit 27 të Ligjit “Për komunikimet Elektronike”. Për shërbimin, AKEP propozon një tarifë prej 50 mijë lekësh. Tarifa do aplikohet vetëm një herë për regjistrimin e parë të sipërmarrësit në regjistrin e ri të Autorizimit të Përgjithshëm.

Lexo edhe: Rezidencat qeveritare do kthehen në hotele luksoze, kompanitë fituese që kalojnë në Fazën 2

Ndërsa lëshimi i Certifikatës së Konfirmimit të Ndryshimeve të të dhënave në regjistrin e autorizimit të përgjithshëm propozohet të ketë një tarifë prej 20 mijë lekësh. Certifikata lëshohet në rastet e njoftimit nga sipërmarrësi të ndryshimeve të ndodhura në informacionin e dhënë fillestar ose atë pararendës.

Një shërbim i tretë i propozuar në projektrregullore do të jetë lëshimi i Deklaratës ose Certifikatës së Konfirmimit për lehtësimin e ushtrimit të të drejtave për instalimin e faciliteteve dhe interkoneksion do të ketë gjithashtu një tarifë prej 50 mijë lekësh.

Synojnë të mbulojnë kostot administrative shtesë të AKEP në lidhje me regjistrimin për herë të parë të sipërmarrësve në regjistrin e ri të Autorizimit të Përgjithshëm dhe punën rregullatore për përgatitjen dhe zbatimin e akteve nënligjore. Gjithashtu, AKEP vlerëson se ato janë transparente dhe proporcionale, për të minimizuar kostot administrative shtesë të AKEP për shqyrtimin e cdo njoftimi për herë të parë sipas AP të re si dhe cdo ndryshimi të mëvonshëm në njoftimin nga sipërmarresi përkatës.

Sipas AKEP, janë të arsyeshme dhe nuk përbëjnë barrë të rëndë apo të tepërt financiare për sipërmarrësit e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike./ E.Shehu

Burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0