“Agrimona”, biznesi i ri social në Tiranë

“Agrimona”, biznesi i ri social në Tiranë


Sonila Marku është pothuajse në fund të studimeve të saj për Administrim Biznesi, në Universitetin e New York-ut në Tiranë. Si çdo i ri në një fazë të tillë ajo është në kërkim të alternativave se çfarë do të bëjë më tej. Ndaj, nisi të ndërtojë vetë punën e saj. Për të qenë sa më afër fushës që ka studiuar, zgjedh të nisë një biznes.

“Pas shumë hulumtimeve mbi ide të ndryshme të biznesit, iu riktheva zhvillimit të një ideje të vjetër të prindërve të mi që për shkak të angazhimeve në nisma të tjera kishte ngelur pa u realizuar – produktet agroushqimore cilësore dhe tradicionale”, thotë Sonila.

Por, pavarësisht studimeve, ajo ndjen se nuk ka përvojën, njohuritë praktike dhe sigurisht as kapitalin e mjaftueshëm për të ndërmarrë e vetme diçka të tillë. Ndaj tregon se, kërkoi mbështetjen e prindërve, të cilët kanë përvojë të gjerë në fushën e biznesit dhe sidomos në sektorin e agroindustrisë.

“Pasi u thelloheva në studimin dhe testimin e tregut, jo vetëm rezultoi se ishte një ide e mirë, por dhe filloi të më pëlqeje më shumë”, thotë ajo. Përveç se për të bërë një biznes të qëndrueshëm, kjo rezultoi të ishte dhe një mundësi e mirë për t’u ardhur në ndihmë shumë prodhuesve të vegjël nga zona të ndryshme të vendit, të cilët prodhojnë produkte cilësore, por duke qenë se kanë sasira të vogla produktesh dhe janë larg tregut, kanë shumë vështirësi në promovimin dhe tregtimin e produkteve të tyre.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 11 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

Ndaj, Sonila Marku thotë se, “vendosëm që “Agrimona” të ngrihej dhe funksiononte si një biznes social”. Biznesi ka qëllim të dyfishtë: (i) të funksionojë si një biznes i qëndrueshëm dhe; (ii) të kontribuojë në promovimin dhe tregtimin e produkteve agroushqimore cilësore dhe në vlera tradicionale vendase.

Ajo e ka kuptuar se ka një numër në rritje personash që po ndërgjegjësohen për rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme dhe po kërkojnë produkte cilësore ushqimore dhe kanë shumë vështirësi t’i gjejnë ato në treg.

Ndaj Sonila thotë se, “Agrimona” është e fokusuar vetëm tek produktet agroushqimore cilësore shqiptare. Me pak kohë në treg, ajo ofron një gamë të larmishme produktesh cilësore dhe të shëndetshme për klientët.

Shumë shpejt, biznesi social do të jetë edhe një derë për studentët e fushave të ndryshme të bujqësisë. Ata mund të zhvillojnë praktika profesionale në hallka të ndryshme të zinxhirit të prodhimit dhe marketingut të produkteve agroushqmore.

Çfarë do të thotë emri “Agrimona”

Sonila beson se si në çdo startup tjetër, brandimi është një etapë shumë e rëndësishme e një biznesi. Nuk dëshironte të binte në “kurthin” e fjalëve “organike” ose “bio”, duke parë përdorimin e tepërt të këtyre termave. “Në kërkim të diçkaje më orgjinale dhe që të transmetonte sa më mirë qëllimet dhe vlerat e biznesit tonë përfunduam tek Agrimona”, thotë ajo.

Agrimona është emërtimi popullor i një bime mjekësore (Agrimonia Eupatoria) me shumë vlera kuruese për disa sëmundje.

Në gjuhën apo simbolikën e luleve ajo nënkupton “dashamirësi” dhe “mirënjohje”. Në traditën popullore angleze thuhet se, nëse vendos një degë të kësaj luleje në jastek gjatë natës do të flesh shumë i qetë, pasi aroma që ajo lëshon natën ndihmon në largimin e të gjitha shqetësimeve të ditës.

“Ne vendosëm ta huazojmë emrin e kësaj bime, pasi e gjithë simbolika e saj përputhej në mënyrë pothuajse perfekte me ato që ne dëshironim të arrinim me këtë biznes, të kontribuojmë sa të mundemi në lehtësimin e shqetësimeve të prodhuesve dhe konsumatorëve dhe të shtojmë sa më shumë dashamirësi, mirënjohje dhe vlerësim për produktet cilësore vendase dhe aktorët e përfshirë në zinxhirin e prodhimit dhe përdorimit të këtyre produkte”, thotë Sonila.

Agrimona ka hapur dyet për klientët prej rreth dy muajsh. Kërkesat i kanë kaluar pritshmëritë e një biznesit të ri. Marku tregon se, “me aktivitetin e përditshëm merremi une dhe mami, ndërsa babi kontribon në rolin e këshilluesit apo mentorit mbi elementët e ndryshëm menaxherialë dhe strategjike si dhe na mbështet në zhvillimin e rrjetit të partnerëve të biznesit”.

Këtë biznes e dallon objektivi i dyfishtë (qëndrueshmëria financiare dhe kontributi social tek fermerët).

Agrimona ofron një gamë të gjerë produktesh: reçelëra dhe komposto nga fruta të ndryshme, përfshirë dhe frutat e pyllit, lëngje frutash natyrale; perime të freskëta dhe të konservuara; produkte cilësore bulmeti dhe mishi; fruta pylli të thata dhe të freskëta të rritura në natyrë, etj.

Për të garantuar cilësinë, para se produktet të futet në dyqan, kalojnë një kontroll specifik në vendin e prodhimit dhe kur është e nevojshme, prodhuesit i ofrohet dhe këshillim për përmirësimin e cilësisë dhe standardeve.

Objektivi i Sonila Markut dhe familjes së saj është që pas rreth 5 vitesh “Agrimona” të jetë një aktor i rëndësishëm jo vetëm i promovimit, ndërmjetësimit dhe tregtimit të produkteve lokale shqiptare, por dhe i mbështetjes së zhvillimit të prodhimit dhe rritjes së vlerës së këtyre produkteve.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 11 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0