A po vjen një pandemi tjetër? - Business Magazine Albania

A po vjen një pandemi tjetër?

Në mars, zyrtarët e 194 vendeve u mblodhën për t’u pajtuar për një plan global që do të merret me kërcënimin e njohur si “Sëmundja X”. Emri i koduar ogurzi i referohet sëmundjes ende të panjohur, por që pritet se një ditë do të dërrmojë botën me përsëritje të Covid-19 – ose ndoshta të shkaktojë dëme edhe më të këqija.

Kjo frikë ka nxitur nëntë raunde të negociatave të mundimshme ndërkombëtare, përkatësisht mbi tekstin e traktatit të parë të pandemisë në botë – i cili duhet të miratohet përpara se në maj të mblidhet asambleja vendimmarrëse vjetore e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh). Marrëveshja synon të ndihmojë qeveritë, institucionet dhe popullsinë që të shmangin gabimet e krizës së Kovidit – por, arritja deri atje po shkakton ndarje të thella. Në bisedimet e zhvilluara në internet dhe me prani fizike në Gjenevë, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme po bëjnë presion ndaj kombeve të pasura dhe kompanive farmaceutike – që të shkojnë shumë më tej se më parë në ndarjen e burimeve shëndetësore që shpëtojnë jetën. Disa konservatorë në ShBA dhe më gjerë, pohojnë se traktati tashmë ka shumë implikime. Kur raundi i fundit i bisedimeve u mbyll pa marrëveshje, më 28 mars, titulli i një raporti të Fox News-it tha: “Sëmundja X: Kritikët thonë se përmes traktatit të OBSh-së, administrata Biden po e shet sovranitetin e ShBA-së “. Në sfond, tensionet e shtuara gjeopolitike midis vendeve të fuqishme, si dhe ndryshimet politike brenda disa prej tyre, kërcënojnë të shkatërrojnë synimet e traktatit. Në qendër të kritikave është drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili është i bindur se deri në afatin e caktuar, vendet do të pajtohen për disa versione të marrëveshjes. “E dinë se kush çfarë dëshiron”, thotë ai. “Kështu që tani është koha për të dhënë dhe për të marrë”. Megjithatë, vëzhguesit e tjerë janë të shqetësuar se mund të përmbyset marrëveshja historike – më ambiciozja nga një numër i iniciativave për të përmirësuar gatishmërinë ndaj pandemisë. Rezultati i tillë do të dëmtonte përpjekjet më të gjera për të korrigjuar dështimet serioze të monitorimit, të reagimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar që kontribuuan në miliona vdekje dhe dëme të rënda ekonomike dhe sociale – të cilat u shkaktuan nga Covid-19.

“Shpresoj që përvoja e pandemisë do t’jua kujtojë njerëzve se, kur këto ngjarje ndodhin, në atë shkallë, ato vërtet shndërrohen në shqetësime të sigurisë globale”, thotë Richard Hatchett, shef ekzekutiv i Koalicionit Ndërkombëtar për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI). “Siguria shëndetësore, siguria ekonomike dhe madje edhe siguria kombëtare janë në rrezik, kur sëmundjet infektive dalin jashtë kontrollit.”

Shtetet duhet ta shfrytëzojnë mundësinë për të riparuar arkitekturën e kujdesit shëndetësor në botë, në vend që thjesht të lejojnë të harrohen mësimet nga COVID-19, thotë Ashley Bloomfield, ish-zyrtar i shëndetësisë në Zelandës së Re, i cili është bashkëkryetar i një negociate paralele globale që synon të përmirësojë Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit të OBSh-së. Reagimet ndaj shpërthimeve të sëmundjeve, historikisht kanë qenë “cikël paniku dhe neglizhence”, thotë ai. “Për shkak se si njerëz jemi kaq të aftë për të kaluar te gjërat e tjera – e kjo është pjesë e strategjisë sonë për mbijetesë – pothuajse ka amnezi kolektive globale”. Por, aktualisht “ka nivel të madh të angazhimit nga shtetet; e njohin përgjegjësinë që kanë – dhe ai moment është tani”. Për sa kohë që njerëzit janë rrënuar nga sëmundjet infektive, pandemia e ardhshme ka qenë çështje kur dhe jo nëse. Por, shpërthimi i covid-19 theksoi se faktorët e rrezikut janë më të mëdhenj tani se në çdo kohë tjetër në histori. Ka më shumë njerëz në botë të cilët jetojnë në dendësi më të madhe dhe në lëvizje të mëdha. Këta mjete, plus blegtoria gjithnjë e më intensive dhe tregtia e rregulluar keq e kafshëve, kanë shtuar rrezikun e sëmundjeve zoonotike, ku patogjenët barten nga kafshët te njerëzit.

Lexo edheCilat janë hapat për mbrojtjen e biznesit të startup-eve që shpesh harrohen

Kërcënimet zoonotike prej kohësh ishin me ne – tërbimi dhe salmonela janë dy shembuj – ndërsa paraqesin shumë sëmundje infektive, rishtazi të identifikuara, dhe disa prej kërcënimeve më shqetësuese të fundit shëndetësore, si virusi Ebola që shpërtheu në Afrikën perëndimore në vitin 2014. Këta faktorë, të kombinuar me përvojën e zymtë të covid-19, e krijuan idenë për një traktat ndërkombëtar për gatishmërinë dhe për reagimin ndaj pandemisë. Po ashtu supozohej se ka një mënyrë për të shëruar sëmundjen – pas tablosë ku vendet e pasura dhe të fuqishme blenë miliarda doza të vaksinave për vetvete, ndërkohë që pjesa më e madhe e botës kishte qasje minimale në injeksione. Në një artikull të përbashkët të botuar në mars të vitit 2021, liderë të shteteve përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Afrikën e Jugut dhe Indonezinë, propozuan marrëveshjen për “të nxitur të gjitha qeveritë dhe të gjitha shoqëritë”. Qëllimi i tyre ishte që të përmirësojnë bashkëpunimin global në sistemet e alarmimit, në shkëmbimin e të dhënave dhe në kërkime, si dhe në prodhimin dhe shpërndarjen e “kundërmasave” shëndetësore – të tilla si vaksinat, ilaçet, diagnostifikimi dhe pajisjet personale mbrojtëse. Traktati i përfunduar i pandemisë do të ishte kornizë e detyrimit etik dhe jo detyrim ligjor. Kërkesat specifike të tij, për financim, janë të kufizuara dhe nuk do ta përmbajnë mekanizmin për t’i bërë shtetet përgjegjëse për shkeljen e tij. Sidoqoftë, drafti i traktatit ka ngjallur akuza se paraqet rrëmbim të pushtetit nga OBSh-ja, pavarësisht këmbënguljes së organit global të shëndetit se ai nuk është i tillë. Marrëveshja ka ringjallur kritikat e njerëzve që janë dyshues ndaj institucioneve shumëpalëshe. Ata vënë në pikëpyetje përshtatshmërinë e OBSh-së ndaj qëllimit dhe shfaqin shqetësimet në lidhje me performancën e saj pandemike – si koha që iu desh për të përqafuar tamam çështjen thelbësore se covid-19 përhapet përmes bartjes në ajër. Në mbrojtjen e saj, OBSh-ja thotë se mendimi i saj evoluoi me prova dhe se gjithmonë i këshillonte njerëzit të ishin të kujdesshëm.

Në shkurt, Brad Wenstrup, kryesuesi republikan i nënkomitetit të zgjedhur për pandeminë e koronavirusit, në Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA-së, i kritikoi implikimet e propozuara për financim të traktatit nga ShBA-ja, si dhe ftesën e tij për kompanitë që të kenë parasysh ndarjen e informacionit për patentat. Marrëveshja nuk duhet “të shkel sovranitetin ndërkombëtar ose të cenojë të drejtat e popullit amerikan ose pronën intelektuale të Shteteve të Bashkuara”, tha ai. Kritikat e tilla tashmë kanë e formësuar traktatin. E ka një klauzolë të veçantë që rendit kompetencat që nuk do t’ia japë OBSh-së, të tillat si “të ndalojë ose pranojë udhëtarët, të përcaktojë mandate vaksinimi ose masa terapeutike ose diagnostike, ose të zbatojë izolimet”. Përfshirja e një gjuhe të tillë tregon se shtetet anëtare janë “me të vërtetë të shqetësuara” për dezinformimin dhe keqinformimin në lidhje me ndikimin e traktatit, thotë Tedrosi nga OBSh-ja. “Nuk do të cenohet sovraniteti i shteteve”. Por, me gjithë intensitetin e argumenteve mbi arritjen e traktatit, vetë negociatat deri tash kanë qenë shterpe dhe të gjata. Drafti i tekstit shfaqet në ekran dhe më pas shënohet me kllapa, ose formulime alternative të sugjeruara, aty ku shtetet duan t’i bëjnë ndryshimet. “Bëhet shumë i vështirë për t’u lexuar”, thotë një pjesëmarrës, i cili kërkon të mos i përmendet emri për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve. “Por, kjo është mënyra se si duhet të vendosni, ndaj është transparente për të gjitha delegacionet”. Një numër i madh i mosmarrëveshjeve ka qenë mbi zbulimin dhe shkëmbimin e informacionit rreth patogjenëve të rinj. Grupi i Paanësisë, i përbërë nga vendet aziatike, afrikane dhe të Amerikës Latine, po kërkon rregulla më strikte. Kjo do të përfshijë kompanitë farmaceutike të cilat do të ndihmojnë në financimin e monitorimit të patogjenëve të rinj, gjë që do të përshpejtonte përpjekjet për zhvillimin e vaksinave. Informacioni gjenetik do të përhapej përmes një mekanizmi të njohur si Qasja ndaj Patogjenit dhe Sistemi për Shpërndarje dhe Përfitime (PABS).

Por, propozimi ka hasur në kundërshtime nga industria farmaceutike. “Në negociata, në mënyrë implicite ekziston kërcënimi se nëse nuk paguani, ata nuk do ta ndajnë informacionin”, thotë Thomas Cueni, kreu në largim i grupit global të industrisë – i Federatës Ndërkombëtare të Prodhuesve dhe Shoqatave Farmaceutike. “Kjo do të ishte si ta qëlloje veten në këmbë. Është i ndaluar fitimi i parave nga qasja ndaj patogjenëve”. Kompanitë farmaceutike janë të gatshme të ndihmojnë në përmirësimin e aspekteve të gatishmërisë ndaj pandemisë, shton Cueni. Do të nënshkruajnë për “angazhimet detyruese për ndarjen” e vaksinave, antiviralëve dhe barnave të tjera për organizatat e tilla si OBSh-ja, Aleanca Gavi e Vaksinave dhe UNICEF-i – fondi i OKB-së për fëmijët. Këto angazhime mund të përfshijnë donacionet dhe “çmimet e niveleve të bazuara në kapital” – marrëveshja për të ofruar çmime më të ulëta për vaksinat ose trajtime të tjera për vendet me të ardhura të ulëta. Por, industria farmaceutike dëshiron të shmang heqjen dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale për vaksinat, pasi të drejtat ekskluzive për barnat janë themeli i modelit të tyre të biznesit. Në vend të kësaj, propozon ruajtjen e bashkëpunimit vullnetar. Kjo do të përfshinte shkëmbimin e informacionit midis kompanive që zbulojnë vaksina, si dhe prodhuesve të mëdhenj të ilaçeve gjenerikë që mund t’i prodhojnë ato në masë – siç është Instituti i Serumit i Indisë. Premtimet për të zgjeruar objektet e prodhimit të vaksinave, përtej qendrave tradicionale si ShBA-ja, Evropa dhe India, deri tash kanë dhënë rezultate modeste. Vitin e kaluar, OBSh-ja dhe Koreja e Jugut nënshkruan marrëveshje për ta bërë shtetin e Azisë Lindore një qendër globale të trajnimit, për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që të prodhojnë vaksina dhe ilaçe të tjera.

Në dhjetor, BioNTech, kompania gjermane që zhvilloi masën novatore të vaksinës mRNA Covid, të prodhuar nga Pfizer-i, tha se planifikon të fillojë prodhimin në një strukturë prodhimi të mRNA-së – në Ruandë, deri në vitin 2025 – në vlerë prej 150 milionë dollarëve [138 milionë euro]. Objekti përbëhet nga ajo që quhet BioNTainers – laboratorët e krijuar nga kontejnerët modularë të transportit. Në Afrikën e Jugut, kompania bioteknike Afrigen Biologics and Vaccines, pasi të licencohet do të jetë në gjendje të prodhojë rreth 50 milionë doza në vit të mRNA-së – në rast të një pandemie të re, thotë drejtoresha menaxhuese Petro Terblanche. Derisa kontinenti afrikan qëndron “shumë më mirë” sesa dy ose tri vjet më parë, kapaciteti është ende i vogël në krahasim me popullsinë e prej më shumë se 1.4 miliard, shton ajo. Mbeten të theksuara vështirësitë teknike, si siguria që vaksinat mRNA mund të mbahen në frigorifer gjatë prodhimit, shpërndarjes dhe ruajtjes. “Sfida më e madhe për këtë program është investimi”, shton Terblanche. Është e vështirë të dihet përgjigja ndaj pyetjes se sa para shpenzohen në të vërtetë për përmirësimin e gatishmërisë ndaj pandemisë. Banka Botërore, me ndihmën e OBSh-së ka krijuar një Fond Pandemik për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që të përmirësojnë gatishmërinë dhe reagimin e tyre. Banka tha në shkurt se kishte mbledhur më shumë se dy miliardë dollarë të kapitalit fillestar nga 27 kontribuues.

Pandemia e covid tregoi se, në realitet, shpeshherë nuk u pasqyruan angazhimet retorike për të ndarë furnizimet, pasi vendet e pasura ua jepnin përparësinë qytetarëve të vetë. “Nëse ka diçka që kemi mësuar nga pandemia e covid-19, është se qëllimet e mira nuk priren të përkthehen në të njëjtat veprime – në rastet e urgjencës”, thotë në cilësinë personale, Ebere Okereke – shefi ekzekutiv i Fondacionit joqeveritar të Shëndetit Publik të Afrikës dhe specialist i sigurisë shëndetësore globale. Mosmarrëveshja e burimeve është pjesë e shumë dallimeve gjeopolitike që duhet kapërcyer, ose të paktën të menaxhohen për të pasur sukses traktati i pandemisë dhe përpjekjet më të gjera për gatishmëri.

Të paktën 114 vende ose kanë ose po zhvillojnë një agjenci kombëtare të shëndetit publik, thotë OBSh-ja, megjithëse 80 vende ende nuk e kanë ndonjë përgatitje të tillë. Si udhëheqës i qendrës së re të OBSh-së për Inteligjencën Pandemike dhe Epidemike, me qendër në Berlin, puna kryesore e Ihekweazuit tani përfshin përmirësimin e mbledhjes dhe ndarjes ndërkombëtare të të dhënave. Edhe vendet aleate luftuan politikisht për shkëmbimin e informacionit gjatë pandemisë, thotë ai, ndërsa disa kombe të ndara vuajtën nga komunikimet e dobëta brenda kufijve të vet. Qendra përmban një grup të iniciativave që synojnë përmirësimin e shkëmbimit të informacionit të rëndësishëm për pandeminë – si demografia, shpërndarja, lëvizshmëria dhe shëndeti i përgjithshëm i popullatës. Njëra, e quajtur Inteligjenca Epidemike nga Burimet e Hapura, tani përdoret nga rreth 70 vende. I dyti është rrjeti ndërkombëtar i mbikëqyrjes së patogjenëve, për të mbledhur, renditur dhe analizuar kërcënimet në zhvillim. Pavarësisht të gjitha këtyre zhvillimeve, Ihekweazu beson se përpjekjet për të përmirësuar gatishmërinë ndaj pandemisë, ende po pengohen nga plagët e krizës së mëparshme. “Kishit qasje universale në informacion, por jo qasje në vaksina,”, thotë ai, duke kujtuar “zemërimin e opinionit publik” me të cilin u përball në CDC-në e Nigerisë. “Kjo, mendoj, është në qendër të mungesës të besimit – dhe në qendër të diskutimeve të vështira që po ndodhin”. Është ende larg realizimit, vizioni i mbështetësve të traktatit pandemik, për përpjekjen e synuar për barazi dhe harmoni për të luftuar krizën e ardhshme globale shëndetësore. Negociatat përfundimtare do të jenë provë nëse vendet mund të lënë mënjanë grindjet dhe në disa raste zgjerimin e ndarjeve. Edhe nëse disa nga dispozitat e traktatit reduktohen, shpresa është se përpjekja megjithatë do të çojë në përmirësime të rëndësishme të reagimit të mëparshëm pandemik. Tedrosi i OBSh-së thotë se, të paktën, anëtarët mund të pajtohen për një tekst “të nivelit të lartë” për marrëveshjen, edhe nëse disa detaje duhet të zgjidhen më vonë. Është e qartë se gatishmëria ndaj pandemisë dhe siguria shëndetësore tashmë janë “shumë të dukshme për zyrtarët e lartë dhe qeveritë në të gjithë botën”, thotë Hatcheti nga CEPI Ai i pranon shqetësimet për atmosferën politike globale, por pohon se është në interesin e të gjithëve që të përgatiten më mirë për fatkeqësinë e ardhshme të pashmangshme shëndetësore globale. “Është veçanërisht e rëndësishme që vendet të punojnë së bashku dhe të punojnë nëpër sektorë”, thotë Hatchet. “Ka ende mundësi për bashkëpunim dhe kooperim – edhe në një botë të fragmentuar.

financial times

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0