A po e riformaton trurin tonë shikimi i videove me 2x? Ja kush ndikohet më shumë - Business Magazine Albania

A po e riformaton trurin tonë shikimi i videove me 2x? Ja kush ndikohet më shumë

A po e riformaton trurin tonë shikimi i videove me 2x? Ja kush ndikohet më shumë

Nëse jeni një nga ata përdorues që konsumojnë rregullisht përmbajtje në platforma si TikTok, YouTube apo Masterclass, është shumë e mundur që tashmë jeni mësuar të dëgjoni njerëz që flasin me një ritëm të përshpejtuar, pothuajse si në një episod të Looney Tunes.

Shikimi i videove me shpejtësi të rritur është kthyer në një mënyrë gjithnjë e më të zakonshme për të përthithur informacionin, duke e ndarë kohën e konsumimit në gjysmë ose më pak. Por a keni menduar ndonjëherë se çfarë ndikimi ka kjo praktikë në trurin tuaj?

Një grup ndërkombëtar studiuesish ka analizuar këtë fenomen, duke shqyrtuar 24 studime që ndanin pjesëmarrësit në dy grupe: njëri që shikonte video me shpejtësi normale dhe tjetri që i shikonte me shpejtësi të rritur,  1.25x, 1.5x, 2x dhe 2.5x. Më pas, të dyja grupet plotësonin teste për të vlerësuar sa mirë e kishin mbajtur mend përmbajtjen e videove. Ndërsa ndryshimet në kujtesë ishin minimale në shpejtësinë 1.5x, rënia e mbajtjes së informacionit u bë e dukshme në 2x e lart. “Informacioni që vjen ruhet përkohësisht në sistemin e kujtesës së përpunimit të menjëhershëm, të quajtur ‘working memory’,” shkruan Marcus Pearce, studiues i shkencave konjitive në Queen Mary University of London, në një artikull për The Conversation. Ky sistem ndihmon në përpunimin dhe transformimin e informacionit në mënyrë që të transferohet në kujtesën afatgjatë. Por kapaciteti i tij është i kufizuar dhe kur mbingarkohet, çon në humbje informacioni. Përfundimi shkencor është i qartë: për përmbajtje të panjohura ose komplekse, është më mirë të qëndroni në shpejtësi 1.25x ose 1.5x. Gjetjet janë publikuar së fundmi në revistën shkencore Educational Psychology Review.

Lexo edhe:Ky mjet i ri zbulon sa shpejt po plakeni!

Shpesh mendohet se mënyra se si konsumojmë përmbajtjen ndikon kryesisht tek të rinjtë, por ky kërkim tregon se edhe të rriturit preken dukshëm. Një studim i vitit 2023 ka zbuluar se të rriturit e moshës 61 deri në 94 vjeç shfaqin një rënie prej 31% në kuptim vetëm në shpejtësinë 1.5x, ndërsa të rinjtë (18-36 vjeç) ruajnë mbi 90% të kuptimit edhe në 2x. Ende mbetet e paqartë nëse diferenca ka të bëjë me moshën apo me praktikën,  pra, a janë të rinjtë më të mirë në përthithjen e përmbajtjes me ritëm të shpejtë sepse kanë trurin më të adaptueshëm, apo sepse janë mësuar me këtë mënyrë konsumimi? Nëse është kjo e fundit, a mund të përmirësohen edhe të rriturit në këtë drejtim?

Kërkimet e kufizuara tregojnë se, fatkeqësisht, përgjigjja është “jo shumë”. Truri i të rinjve është më i aftë për t’u përshtatur, megjithatë disa studime sugjerojnë se edhe të moshuarit mund të trajnohen për të përmirësuar këtë aftësi, edhe pse u duhet më shumë kohë dhe kanë më shumë gjasa të arrijnë një tavan përparimi. Për të moshuarit që duan të mësojnë të ndjekin video me shpejtësi më të madhe, rekomandohet një program i kujdesshëm trajnimi, me rritje graduale të shpejtësisë, ushtrime për të testuar përthithjen e informacionit dhe aktivitete për përmirësimin e aftësive konjitive. Lajmi i mirë është se shikimi i videove në shpejtësinë normale e bën përvojën më të këndshme për të gjithë.

Por kjo, me sa duket, nuk i ka bindur drejtuesit e platformave si Netflix, të cilët pesë vite më parë u përballën me kritika të ashpra pasi ofruan opsionin për të parë përmbajtjen deri në 1.5x shpejtësi. Me sa duket, “Netflix and chill” nuk është më aq relaksuese sa dikur.

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0