A janë produktet nga Shein dhe Temu vërtet të rrezikshme? - Business Magazine Albania

A janë produktet nga Shein dhe Temu vërtet të rrezikshme?

Komisioneri i Bashkimit Europian për Drejtësinë ka shprehur shqetësim të thellë për rrezikshmërinë dhe përmbajtjen toksike të disa produkteve që tregtohen nga platformat kineze të shitjes online, Shein dhe Temu, ndërsa BE-ja po ndërmerr hapa për t’i frenuar këto platforma shumë të përhapura.

Sipas të dhënave zyrtare, çdo ditë hyjnë në BE rreth 12 milionë paketa me vlerë të ulët, të porositura nga shitës jashtë bllokut. Ministri irlandez i Financave, Michael McGrath, i cili aktualisht mban edhe postin e komisionerit të BE-së, ka paralajmëruar masa të forta kundër shitjes së mallrave që shkelin në mënyrë flagrante ligjet e unionit. Ai është në pritje të rezultateve të një operacioni të fshehtë “secret shopper” në të gjithë BE-në, për të konfirmuar dyshimet se kompanitë kineze po shmangin rregulloret europiane.

Ndër rastet më alarmante që janë evidentuar, përmenden:

  • Qetësues për foshnje me rruaza që bien lehtë, duke rrezikuar mbytjen e fëmijëve, pasi nuk përmbajnë vrima të dimensioneve të përcaktuara me ligj për t’i lejuar fëmijëve të marrin frymë nëse i gëlltisin aksidentalisht;

  • Rroba shiu për fëmijë me kimikate toksike;

  • Syze pa mbrojtje UV;

  • Pantallona të shkurtra me rripa më të gjatë se norma e lejuar, të cilët mund të shkaktojnë pengesa dhe rrëzime.

Po ashtu, është zbuluar përdorimi në kozmetikë i substancës butylphenyl methylpropional (e njohur ndryshe si Lilial), e cila është e ndaluar në BE që prej vitit 2022 për shkak të rrezikut të ndikimit negativ në fertilitet dhe zhvillimin e fetusit. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria u ka bërë thirrje konsumatorëve të hedhin produktet që përmbajnë këtë përbërës.

“Jam i tronditur. Kemi detyrimin të mbrojmë konsumatorët europianë,” deklaroi McGrath për The Guardian. Autoritetet kombëtare të mbrojtjes së konsumatorit në BE përdorin sistemin e Safety Gate për të lëshuar alarme të shpejta për produktet jo-ushqimore të pasigurta. Gjatë vitit të kaluar, ky sistem regjistroi një rekord prej 4,137 alarmesh, ku më shumë se një e treta ishin për produkte kozmetike, ndjekur nga lodrat, pajisjet elektrike, produktet kimike dhe ato për automobilë. Krahas rrezikut për shëndetin e konsumatorëve, McGrath shpreh edhe shqetësimin për konkurrencën e pandershme që këto platforma po i shkaktojnë bizneseve europiane. “Rritja e këtyre platformave ka qenë e jashtëzakonshme dhe po ushtron presion të madh mbi sistemet e shteteve anëtare. Ne do të forcojmë zbatimin e ligjeve për sigurinë e produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorëve, sepse kjo nuk lidhet vetëm me shëndetin e qytetarëve, por edhe me barazinë në treg,” tha ai. “Bizneset europiane po përballojnë kosto të mëdha për të respektuar rregullat tona. Nuk është e drejtë që të konkurrojnë me shitës që i shmangin këto standarde.” Sipas statistikave të BE-së, në vitin 2024 janë regjistruar 4.6 miliardë dërgesa me vlerë nën 150 euro – dyfishi i vitit 2023 dhe tre herë më shumë se në 2022.

Lexo edhe:Eurostat: Të rinjtë shqiptarë të fundit në Europë për njohuritë digjitale

BE-ja po shqyrton masa të reja si:

  • Heqja e pragut të përjashtimit nga dogana për mallrat nën 150 euro, dhe

  • Vendosja e një tarife për përpunimin e çdo pakoje, për të ulur volumin e blerjeve të vogla dhe për të mbuluar kostot e shtesës në kontrollet doganore.

Një masë e tillë do të ishte e ngjashme me Shtetet e Bashkuara, ku që nga 1 qershori 2024, blerësit janë detyruar të paguajnë një taksë shtesë prej 30% ose minimumi 50 dollarë për produkt, pas vendimit të administratës Trump për të hequr pragun prej 800 dollarësh. Në diskutim është gjithashtu krijimi i një autoriteti doganor të përbashkët në nivel BE-je, për të adresuar problemet strukturore. McGrath shtoi se nuk dihet nëse kjo çështje do të përmendet në Samitin BE-Kinë më 25 korrik në Pekin, por ai personalisht synon ta diskutojë direkt me autoritetet kineze gjatë një vizite të planifikuar më vonë gjatë vitit.

Përgjigjet e kompanive

Shein deklaroi se këtë vit ka investuar 15 milionë dollarë në nisma për përputhshmëri dhe siguri, duke përfshirë 2.5 milionë teste cilësie dhe sigurie, si dhe bashkëpunime me 15 qendra testimi, mes tyre edhe në Britani dhe Gjermani. Kompania tha se ka pezulluar 500 shitës që nga nisja e platformës. “Besimi i konsumatorëve është prioritet për ne dhe jemi të përkushtuar të garantojmë sigurinë e produkteve. Të gjithë shitësit tanë duhet të respektojnë kodin e sjelljes së Shein dhe standardet e rrepta të sigurisë,” deklaroi një zëdhënës.

Edhe Temu theksoi përkushtimin ndaj sigurisë së produkteve:

“Temu e merr shumë seriozisht sigurinë dhe përputhshmërinë e produkteve. Kemi sisteme të kontrollit të shitësve, monitorim proaktiv dhe heqje të shpejtë të produkteve të pasigurta.” “Punojmë ngushtë me organizata ndërkombëtare të testimit dhe certifikimit si TÜV SÜD, Eurofins, SGS dhe Bureau Veritas për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e produkteve të ofruara nga palët e treta.”

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0