Nga Akademik, Prof Anastas Angjeli
Ka shumë arsye pse mund të vizitosh Bretton Woods-in dhe shumë zona e vende në New Hamppshirë të SHBA-së. Dikush shkon të vizitojë zonat malore me pyje, liqenet, pistat e skisë, etj. Dikush të shijojë shëtitjet në kodrat për rreth dhe ecjen në pyjet dhe gjelbërimin çlodhës apo të ndjeki lojrat në fushat e golfit…etj.
Por, Bretton Woods-i, është një zonë që ka një histori ekonomike e financiare e monetare ndërkombëtare, është një emër që mban edhe simbolin dhe historinë e vendit ku thuajse në përfundimin e luftës së dytë botërore, në 22 Korrik 1944, u nënshkrua akti i marrëveshjes së krijimit të institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare, krijimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Sistemit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Ekziston një paralele midis mekanizmave monetarë që janë përcaktuar në Konferenca e Paqes ne Versajës (1919) e kurorëzuar me vendosjen e standardin e arit dhe marrëveshjes në Bretton Woods-it. Në mes të këtyre paraleleve qëndron një nga ekonomistët më të mëdhej të shekullit të kaluar John Maynard Keynes.
Në vitin 1925 si përfaqësuesi i Qeverisë Angleze ai kërkoi një riformim të sistemit monetar ndërkombëtar duke kërkuar heqjen e standardit të arit dhe normave fikse të këmbimit, por kjo nuk u pranua. Pas luftës së dytë botërore, 20 vjet më vonë, J.M. Keynes pas diskutimeve të zjarrta me Harry Dexter White, përfaqësuesin amerikan në Bretton Woods, nuk arriti të bindte për krijimin e një monedhe të re botërore me kurse të lira këmbimi. Pushteti politik dhe vendi i Amerikës në ekonominë botërore bëri që dollari të shndërrohet në mjetin kryesor të pagesave ndërkombëtare por, ruajti kovertushmërinë e tij me arin dhe ruante kursin e këmbimit jo fleksibël.
Vetëm në 4 gusht të vitit 1971 Presidenti Nixon hoqi këmbyshmërinë e drejtpërdrejtë të dollarit me ar dhe ndërtoi politikisht atë që Kejnsi kërkonte që në vitin 1925 monedhën ndërkombëtare mbarëbotërore. Që atëherë dhe deri më sot dollari konsiderohet si monedha ndërkombëtare në tregun botëror të pagesave ndërshtetërore.
Ishte kjo arsyeja që më zgjoi një kërshëri të kahershme, emocionale dhe profesionale dhe studimore, e lindur që në fund të viteve 80” kur isha pedagog në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës dhe që fal guximit dhe nismës të profesorëve shumë të nderuar të asaj kohe, Prof. Saba Hilmia dhe Prof. Aristotel Pano, une dhe kolegët e mi Alma Lira e Ernest Nasto u angazhuam në mësimdhënien e lëndëve Financat e Shtetit Kapitalist, Paraja dhe Kredia në Kapitalizëm, dhe Marrëdhëniet Ekonomike Financiare Ndërkombëtare (të cilat, me gjithë kufizimet e kohës, u futën në programe mësimore pas një debati të gjerë) për të vizituar Bretton Woods-in .
Udhëtimi për në Hotelin Mount Washington Resort në Bretton Woods zgjati rreth 3 orë nga Bostoni ku unë ndodhesha dhe unë me të mbërritur ju drejtova recepsionit për të më drejtuar te gjurmët e kësaj historie. Ishte një salle e vogël muze, e këtij hoteli, qe të kthente rreth 80-të vjet më parë në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, politike-diplomatike por sidomos ekonomike, financiare e tregtare ndërkombëtare.
Kërshëria nuk më la pa dëgjuar, lexuar e shikuar informacionet dhe dokumentet e fotografitë e ekspozuara në të. Sot pas 80-të viteve duke vlerësuar rolin e madh dhe të padiskutueshëm, zhvillimet dhe evoluimin e këtyre institucioneve ndërkombëtare, ndikimet në zhvillimet ekonomike e financiare globale dhe përballimin e krizave financiare e monetare, ekonomike e tregtare, sidomos dy-tre dekadat e fundit, mendime e debate për reformim të këtyre institucioneve, për një arkitekture të re financiare ndërkombëtare, tendenca për ndryshime në sistemin monetar ndërkombëtar, çfarë do të ndodhi me paranë digjitale, deri në hipoteza për të tentuar në krijimin e një monedhe tjetër ndërkombëtare (përvec Usd dhe Euros) etj.
Dhe kështu i ulur në tavolinën ku 80-të vite më parë, në Bretton Woods, ku u nënshkrua marrëveshja e Krijimit të FMN dhe BB, pyeta veten : A do të ketë një Bretton Woods të ri ? Por më parë një rikthim në kujtesë të lexuesit se :
Çfarë është FMN dhe Banka Botërore ?
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është një institucion, nje organizatë ndërkombëtare financiare e monetare, aktualisht me 184 vende anetare, me seli në Uashington, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky organizëm ndërkombëtar u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1944, me marrëveshjen e Bretton Ëood-sit, (në këtë takim dhe marrëveshje atëhere ishin vetëm 45 shtete), krahas me krijimin e Bankës për Rindërtim e Zhvillim (Banka Botërore) dhe Sistemin Monetar Ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore.
Qëllimi primarë i themelimit të Fondit Monetarë Ndërkomëtarë ka qenë që të krijohet një bashkëpunim monetar mes vendeve, stabilitet monetar në këmbim dhe marrëveshje të rregullta të këmbimit monetarë për të shpejtuar rritjen ekonomike të qëndrueshme, për të ngritur nivelin e punësimit ose zvoglimin e nivelit të papunësisë dhe për të krijuar asistencë të përkohshme të shteteve të varfëra për të balancuar sistemin e pagesave. Gjithashtu puna e FMN-së konsiston në:
-Mbikqyrjen, monitorimin dhe zhvillimin financiar dhe ekonomik, në dhënien e këshillave mbi politikat e ndjekura që synojnë të shmangin krizat ekonomike.
-Financimin e vendeve me vështirësi në balancën e pagesave, për tu dhënë financim të përkohshëm dhe suport në korigjimin e problemeve; huatë për vende me të ardhura të ulëta jepen për të reduktuar varfërinë.
-Asistencë teknike dhe trajnim në fushat e saj të ekspertizës.
Njëhershi, për të mbështetur këto tre aktivitete, FMN, punon në kërkime te zhvillimeve e programeve ekonomike dhe përpunimin, vlerësimin e të dhënave statistikore dhe të treguesve ekonomike e financiarë, duke nxjerrë përfundime e rekomandime për to.
Vitet e fundit, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar sistemin financiar ndërkombëtar dhe për të rritur efektivitetin në parandalimin dhe zgjidhjen e krizave, FMN-ja ka aplikuar mbikqyrjen dhe asistencën teknike në zhvillimin e standarteve dhe kodeve të praktikës në fushat e saj të përgjegjësisë, dhe në forcimin e sektorëve financiarë. FMN-ja luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit.
Banka Botërore (BB) Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizatë e posaçme e Kombeve të Bashkuara e themeluar në 1945.
Filloi punën në 1946. Në 1947 krijon lidhjet me OKB-në. Qëllimi i saj është që të nxisë zhvillimin ekonomik të vendeve anëtare, duke dhënë kredi për projekte prodhuese dhe këshillim teknik. Gjithashtu ajo promovon investime private të huaja dhe tregtinë. Për të arritur qëllimet e saj FMN bashkëpunon me Bankën Botërore, Oganizatën Botërore të Tregtisë (OBT), agjencitë e OKB-së, G-20, bankat rajonale të zhvillimit, si dhe disa institute kërkimore dhe mediat. Fakti se të gjitha këto organizata dhe institucione janë të specializuar në fusha të ndryshme e bën më të lehtë bashkëpunimin. FMN dhe OBT punojnë së bashku në fushën e tregtisë, borxhit dhe financave.
Gjithashtu informacionet rreth bilancit të pagesave janë të rëndësishme për OBT-në, sepse kjo përcakton pjesërisht kufizimet e tregtisë që OBT imponon. FMN-ja dhe OKB-ja marrin pjesë në takime të përbashkëta dhe punojnë së bashku në disa fusha. FMN iu ka bashkangjitur disa programeve të OKB-së si fondi për fëmijë, Programin Botërorë të Ushqimit dhe programin e mjedisit. Së bashku me G-20 ata përpiqen të nxisin rritjen ekonomike. FMN u ofron atyre analiza mbi gjendjen globale ekonomike dhe se si G-20 mund të arrijnë qëllimet e tyre.
Objektivi kryesor i FMN-së nuk është të qenit institucion kreditimi siç është Banka Botërore. Prioriteti kryesor i FMN-së është mbikëqyrja e sistemit monetar ndërkombëtar. Përderisa Banka Botërore ofron kredi FMN-ja është më shumë angazhohet në sigurimin e kredive.
Maturimi i kredive të FMN-së zgjatë nga tre deri në pesë vjet përderisa maturimi për kredi të Bankës Botërore nga 12 deri 15 vjet, ky dallim ndodh edhe për shkak të qëllimeve të ndryshme të kredive. Normat e interesit për kreditë që FMN aplikon janë pak më ulëta se sa normat e tregut. Normat e Bankës Botërore për vendet me të ardhura të mesme dhe të larta janë pak mbi normën e tregut, por normat e interesit për vendet me të ardhura të ulëta janë 0% dhe ato kanë një maturitet 35 deri 40 vjet.
Shqipëria-32 vjet bashkëpunim me FMN dhe Bankën Botërore.
Në 15 Tetor të këtij viti, Shqipëria bën plot 32 vite si anëtare e FMN dhe Bankës Botërore. Negociatat dhe procedurat për këtë antarësim të Shqipërisë në FMN dhe BB filluan në muajt Prill-Maj të vitit 1991, (edhe pse Shqipëria nuk ishte anëtare, gjatë kësaj periudhe një mision i plotë i FMN vizitoi vendin tonë dhe bëri vlerësimin e situatës ekonomike-financiare) dhe u finalizuan në 15 tetor 1991 me nënshkrimin e aktit formal te anëtarësimit të Shqipërisë në FMN dhe në Bankën Botërore. Kuota e antarësimit të Shqipërisë në FMN është në shumën 48.7 milion SDR (rreth 74 milion USD) ose 0,02% e totalit të kuotave. Nga pikëpamja e fuqisë votuese Shqipëria ka 737 vota ose 0,03%.
Ky akt antarësimi paraqet një rëndësi të madhe pasi për herë të parë që nga krijimi i institucioneve të Bretoon Woods, përkrahë shumë demokracive të konsoliduara dhe shumë vendeve të tjera aspiruese për prosperitet demokratik e ekonomik, përfshiu dhe vendin tonë të vogël. Rëndësia e kësaj date nuk qëndron thjesht në një nënshkrim dhe anëtarësim. Për Shqipërinë ky moment nënkuptonte” ndezjen e dritës jeshile” për të hyrë në të ardhmen e saj, e cila, në çdo rast mendohej si shumë më e mirë se sa e kaluara. Anëtarësimi në FMN dhe
Bankën Botërore nuk do të konvertohej thjesht në një llogari huaje me këto dy institucione.
Kjo do të thoshte që Shqipëria kishte tashmë mundësi të përpunonte strategjitë e saja të kalimit të krizës dhe të zhvillimit, programet e ndihmave, programet e investimeve, programet e tërheqjes së investimeve të huaja dhe të teknologjisë së përparuar.
Rrugëtimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me FMN-në, në këto 32 vjet tranzicion nuk ka se si të mos vlerësohet, përgjithësisht i sukseshëm si në drejtim të mbështetjes përmes Asistencës Financiare ashtu edhe përmes Asistencës Teknike. Padyshim, me gjithë qëndrimet e ndryshme në disa raste dhe ”zigzaket” në llojin e marrveshje të arritura e të realizuara me të, bashkëpunimi, mbështetja dhe këshillimi, me këtë institucion ndërkombëtar, mbetet shumë i suksesshëm e i dobishëm.
Përmes programeve të realizuara me FMN-në, në tranzicionin ekonomik të Shqipërisë, në periudha të ndryshme janë realizuar objektiva të ndryshme. Kështu në periudhën 1992-1993 (programi stand-by) kishte si prioritet injektimin e forcave të tregut në ekonominë tonë, në periudhën 1993-1996 (në programin ESAF) ishin politikat e konsolidimit të stabilizimit për të siguruar rritjen, në periudhën 1997-1998 (në programin EPCA-ja) prioritet ishte konsolidimi fiscal, në kushtet post konfliktuale emergjente, në periudhën 1998-2001, (me programin ESAF/PRGF) prioritet ishte vazhdimi i konsolidimit fiscal, kontrolli dhe mbyllja e skemave piramidale, privatizimi i bankave etj., në periudhën 2001-2006 (me programin PRGF) dhe më pas 2001-2006 me programin PRGF EFF) prioritetet ishin krijimi i klimës makroekonomike për zhvillim, përmirësimi i klimës së bisnesit, politikat e shpenzimeve, reduktimi i varfërisë, përmirësimi i sektorit energjitik, apo mbështetja në bilancin e pagesave, në dy vitet e fundit për ringritjen ekonomike, për rindërtimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë së Covid 19 ,etj…
Gjithashtu, FMN-ja ka mbështetur Shqipërinë, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me asistencë teknike në një numër fushash ku përfshihen: shpenzimet publike dhe cilësia e tyre, tatimet dhe doganat, mbikqyrja e bankave, në Bankën e Shqipërisë, politikën monetare, bilancin e pagesave, financat dhe qeverisjen, në fushën e statistikave qeveritare, etj.
Më në fund, duhet kuptuar që realizimi me sukses i programeve që Shqipëria ka pasur dhe ka me FMN-në, është edhe “një dritë jeshile” për gjithë mbështetjen që Shqipëria merr nga BE dhe Donatorët e tjerë.
Pra, Shqipëria deri më tani ka marrë pjesë në disa programe të mbështetura me fonde nga FMN, duke nisur nga ai i vitit 1992, me kushtin e reformave të thella ekonomike dhe privatizimeve të kompanive shtetërore. Ky program ndihmoi vendin të arrinte një rimëkëmbje të jashtëzakonshme, ku rritja ekonomike vjetore ishte mesatarisht 9%, ku deficiti buxhetor u ul ndjeshëm dhe ku rritja e çmimeve u stabilizuar. Por në vitin 1996, qeveria shqiptare iu shmang detyrimeve të saj, duke detyruar FMN të braktiste programin. Kjo solli rritjen e informalitetit në ekonomi dhe lulëzimin e skemave piramidale, që e zhytën vendin në krizë.
Pas zgjedhjeve të vitit 1997, u rivendosën marrëdhëniet me Fondin, që ndihmoi në një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 7% në vit.
Lexo: Përfitoni nga oferta Early Bird e AllWeb deri në 30 Shtator!
Marrëveshje të tilla u përsëritën në qershor 2002 dhe shkurt 2006, gjithmonë me objektiva për t’u arritur nga qeveria me mbështetjen dhe ekspertizën e FMN. Por në vitin 2010-2013 u kalua përsëri në marrëveshje të reduktuara e të bazuar në Artikullin IV, duke u rikthyer në 2014-2017, një marreveshje të re pas krizes “Greke” ( duke u parë e nevojshme lidhja e një marrëveshje për borxh prej 330 milionë eurosh, që do të ndihmonin financat publike në uljen e borxhit të lartë, që karakterizohej nga miliarda lekë në detyrime të prapambetura) dhe duke vazhduar tashme, prej vitit 2017 përsëri me marrëveshje sipas Artikullit IV, ku FMN-ja mban rolin e monitoruesit dhe këshilluesit, por pa detyruar ruajtjen e objektivave të veçantë.
Edhe pse, prape prezenca e FMN-së, gjithmonë është karakterizuar me një marrëdhënie” dashuri-urrejtje”, sidomos nga kushtet e shumta dhe shpesh jo të lehta nga marrëveshjet, veçanërisht për një sërë reformash dhe për tavanët e borxhit (që palët politike e kanë sulmuar në qeveri dhe e kanë kërkuar në opozitë)., mirëkuptimi ka mbizoteruar, prandaj dhe këto marrëdhenie mbeten të sukseshme e të mirëpritura sic ishte rasti që Financat tona ju drejtuan edhe njëherë FMN-së për një Instrumentit të Financimit të Shpejtë,(139.3.milion SDR) shumë i nevojshëm për të ringritur ekonominë pas Covid-19.
Që në fillimet e para të bashkëpunimit të saj me Shqipërinë dhe gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, veprimet e BB dhe FMN-së kishin për qëllim të arrinin tre objektiva politike bazë (të cilat përgjithësisht janë arritur dhe për këtë veç kontributit të vyer që kanë dhënë ekipet shqiptare një mirënjohje u takon edhe drejtuesve të misioneve dhe përfaqësuesve rezident të këtyre institucioneve në Shqipëri):
Së pari, objektivi ishte të mbështeste reformat në Shqipëri për liberalizimin e ekonomisë shqiptare, sistemin e cmimeve, regjimet e kursimit e të këmbimit dhe tregtare, të nxiste iniciativën në sektorin privat dhe konkurencën e drejtë dhe disiplinën e tregut;
Së dyti, objektivi ishte që të mbështeste programet e Shqipërisë për stabilizimin makroekonomik nëpërmjet politikave fiskale dhe monetare që kishin për qëllim sigurimin e një balancimi të qëndrueshëm buxhetor dhe të sektorit të jashtëm;
Së treti, objektivi ishte të mbështeste krijimin e institucioneve dhe tregjeve, përmes reformave strukturore në fushën e administrimit të taksave, të privatizimit, të heqjes së monopoleve, reformave ligjore për privatizimet dhe çështjet e pronësisë, rregullimeve bankare dhe rrjetit të sigurimeve shoqërore për të mbrojtur të varfërit, si dhe vetë uljen e varfërisë përmes politikave të zhvillimit. Gjatë këtyre 30 viteve të tranzicionit, asistenca e Bankës Botërore ka qenë kryesisht me fonde IDA.
Projektet më të mëdha të financuara nga BB, kanë qenë në mbështetje të zhvillimit të sektorëve të tillë si energjitika, infrastruktura rurale, bujqësia, shpenzimet publike, ujësjellës–kanalizime, sektori i shëndetësisë, arsimit, transportit, projektet e mikrokredisë, Projekti i Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor, Menaxhimin e Financave Publike, Forcimi i kapaciteteve institucionale etj.
Falë edhe kësaj mbështetjeje, progresi në këta sektorë është i dukshëm.
Arkitektura e re financiare dhe reformimi i FMN
Vitet e fundit, ekonomia dhe financat globale janë përballur me sfida të mëdha ekonomike, duke përfshirë nevojën për t’u marrë me pasojat e tre krizave të mëdha, atë të periudhës 2008-2013 (kriza e borxheve, e ashtu quajtura kriza Greke), ajo e fundvitit 2019-2022 (kriza nga
Pandemia Covid 19) e pasuar kjo me krizën e rritjes së cmimeve dhe rritjes së inflacionit, ndërprerjet e herë pas hershme në zinxhirët e furnizimit dhe turbulencat në tregjet ndërkombëtare, nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Këtyre u shtohen edhe problemet e krijuara nga ndryshimet klimaterike, krizat e përsëritura energjitike, përpjekjet për një rritje ekonomike të qëndrueshme, problemet e borxhit publik dhe të luftës për reduktimin e varfërisë sidomos në vendet më të varfra, bëhet më e qartë panorama e nevojës së një artitekture të re financiare ndërkombëtare etj.
Pikërisht, këto sfida kanë çuar në një debat mbarëbotëror për reformën e sistemit monetar dhe financiar ndërkombëtar, si dhe reformimin edhe të vetë FMN-së. Fondi Monetar Ndërkombëtar konsiderohet si institucioni kryesor që promovon stabilitetin ekonomik dhe financiar ndërkombëtar. Reforma e suksesshme e FMN-së tashmë synojnë të angazhojnë të gjithë spektrin e anëtarëve të saj. FMN-ja nuk po fokusohet kryesisht në anëtarët e saj me të ardhura të ulëta dhe sfidat e varfërisë globale, jo vetëm në krizat ekonomike e financiare globale që prekin një grup të vogël të ekonomive vulnerabël e të tregjeve në zhvillim, Ajo i shqyrton situatat globalisht dhe rajonalisht, deri në çdo vend anetarë të saj, potencialisht në gamën e plotë të politikave të tyre ekonomike dhe financiare dhe kësisoj shton mundësitë të luajë një rol qendror në formësimin e performancës ekonomike globale.
Këtij qëllimi i shërben edhe arkitektura e re financiare sidomos me rastin e krizave të fundit, hartuar e zbatuar nga Qeveria e SHBA-së, FED, nga Bashkimi Europian, BQE, G-7 e G 20, FMN E BB përmes thyerjes së shumë tabuve të së shkuarës në përdorimin e instrumentëve të ndryshëm financiare e monetare. Parashikimet për rimëkëmbjen ekonomike globale, sidomos pas luftës në Ukrainë, ndryshimeve gjeo-politike dhe gjeo-ekonomike, mbartin shkallë të lartë pasigurie dhe ndryshojnë si në nivel vendor ashtu edhe ndërmjet vendeve, për shkak të hapësirave jo të njëjta për zbatimin e politikave individuale, strukturave dhe ngurtësive të ndryshme ekonomike, brishtësive paraekzistuese, etj…Brishtësitë e konsiderueshme financiare mund të sjellin rreziqe, të cilat mund të çojnë në shtrëngim më të shpejtë të kushteve financiare në nivel global.
Krizat e përsëritura dhe në vazhdim, mund të shkaktojnë, rënie të ekonomisë europiane dhe asaj globale, përkeqësim të përshkallëzuar të varfërisë dhe pabarazisë, ndërsa ndryshimet klimatike dhe sfidat e tjera të përbashkëta po bëhen gjithnjë e më shumë shqetësuese. Tashmë kanë dalë në pah edhe dy elementë të rëndësishëm që duhen konsideruar në këtë arkitekturë të re financiare ndërkombetare, siç janë revolucioni digjital në fushën monetare (paraja digjitale, kriptomonedhat) dhe tendencat për shkëputje nga dollari amerikan i vendeve të BRICS. (I ashtuquajturi “Samiti Historik” i vendeve të BRICS zhvilluar në Gusht të këtij viti, në Johanesburg të Afrikës së Jugut.
Revolucioni digjital dhe paraja.
Në nivel ndërkombëtar, tema e digjitalizimit të parasë dhe pagesave diskutohet gjerësisht nga viti 2008 si ne qarqet shkencore ashtu dhe ne ato institucionale dhe politike. Kjo vëmendje e madhe lind nga shkalla e ndryshimeve që po ndodhin në mënyrën se si sendet, fenomenet apo ngjarjet transmetohen, përpunohen dhe magazinohen në formë digjitale. Sot, ne përdorim në mënyrë rutinore pagesat dhe transfertat online, kartat e pagesave, aplikacionet në telefonat inteligjentë ose orët inteligjente. Këto janë ndryshime që ndikojnë drejtpërdrejt në rolin e bankave te niveleve të dyta dhe Bankave Qendrore.
Duke u emetuar nga Banka Qendrore, euro digjitale do të kishte një vlerë të garantuar nga shteti. Ajo nuk do te ishte ne llojin e kriptomonedhave. Përkundrazi, kripto-asetet nuk lëshohen nga asnjë operator: ato janë instrumente fiktive pa vlerë të brendshme, të cilat nuk gjenerojnë flukse të ardhurash – kuponë, dividentë – dhe nuk ofrojnë asnjë shërbim përdorimi për mbajtësin. Ato krijohen nëpërmjet procedurave të TI-së dhe nuk ka asnjë ent, asnjë garanci që të garantojë vlerën e tyre. Aktivet kripto këmbehen ndërmjet operatorëve që kanë objektivin e vetëm t’i rishesin me një çmim më të lartë.
Në fakt, ato përfaqësojnë një kontratë spekulative me rrezik të lartë pa baza vlerore. Për këto arsye vlera e tyre regjistron luhatje shumë të forta. Siç është evidente, kripto-asetet janë të papërshtatshme për të kryer tre funksionet e parasë: mjetet e pagesës, ruajtjen e vlerës dhe njësinë e llogarisë. Fakti është se vlera e kripto-aseteve po rritet me shpejtësi dhe aktualisht në vitin 2023 i kalon dy mijë e pesëqind miliardë dollarë. Kjo është një shumë e madhe, e aftë për të gjeneruar rreziqe për stabilitetin financiar që nuk duhen nënvlerësuar.
Prandaj nevoja e futjes së një monedhe digjitale publike në të ardhmen ndoshta do të jetë e nevojshme. Një euro digjitale do të kishte ndikim të madh edhe në sistemin monetar dhe financiar ndërkombëtar. Një euro digjitale që mund të përdoret pa kufizime nga jorezidentët mund të ndikojë në strukturën dhe funksionimin e sistemit monetar dhe financiar ndërkombëtar nëpërmjet dy kanaleve. Mund të rrisë transmetimin ndërkombëtar të goditjeve dhe ndryshueshmërinë e kurseve të këmbimit, duke ndikuar në lëvizjet e kapitalit.
Kjo do të ndodhte sepse shkalla e likuiditetit dhe kostoja e ulet e tij do ta bënin euron digjitale të përshtatshme për investitorët ndërkombëtarë. Euro digjitale do të ndryshonte raportet midis kursit të këmbimit dhe diferencave të normave te interesit duke zgjeruar zgjeruar prezencën e saj si mjet pagese dhe funksionin si kapital në të gjithë botën. Efektet do të ishin të theksuara për ekonomitë në zhvillim, me lidhje të forta tregtare ose financiare me tregun e unik europian. Këto vende do të bëheshin më të ekspozuara ndaj impulseve nga eurozona dhe Bankat e tyre qendrore do të detyroheshin të reagonin më me vendosmëri ndaj goditjeve monetare duke pësuar efektivisht një humbje të autonomisë lokale.
Një euro digjitale mund të përhapet në vende të treta, deri në atë pikë sa të zhvendosë monedhën vendase, duke çuar në një “euroizim” digjital që mund të pengojë transmetimin e politikës monetare dhe të shkaktojë paqëndrueshmëri financiare. Rreziqet do të ishin më të mëdha për ekonomitë në zhvillim me monedha të dobëta dhe baza ekonomike jo të forta që kryesisht varen nga eksportet e vendeve europiane. Christine Lagarde u shpreh se ekzistojnë skenarë të mundshëm, ku mund të vërehet një ndryshim thelbësor në natyrën e ndërveprimeve ekonomike globale.
Ajo u bë bankierja e parë qendrore perëndimore që shprehu publikisht shqetësimin për brishtësinë e dollarit, dominimi ndërkombëtar i të cilit sipas saj nuk duhej të merrej më si i mirëqenë. Presidentja e BQE-së paralajmëroi fundin e dollarit dhe parashikoi fundin e ekonomisë globale siç e njohim deri tani. Po cilët janë elementët që cojnë teknicienët dhe vetë kryebankieren europiane në një konkluzion të tillë.
Vendet e BRICS “ngrejnë krye ndaj dollarit amerikan”.
Duket se vendet anëtare të BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut dhe Vendet e ASIA) po tentojnë të “ngrejnë krye” për të de-dollarizuar marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare ekonomike e tregtare. Këto tentativa u shfaqën edhe në Samitin e fundit të BRICS në Johanesburg, në të cilin, Afrika e Jugut dhe udhëheqësit e grupit njoftuan se do të udhëzojnë ministrat e tyre të financave që të “konsiderojnë çështjet që lidhen me monedhat vendase, instrumentet e pagesave dhe platformat”.
Nisma e tyre për De-dollarizimi është një çështje dhe prioritet më tepër për Rusinë, ekonomia e së cilës është paralizuar nga sanksionet e vendosura nga Perëndimi për pushtimin e Ukrainës dhe është e ndaluar nga sistemi Swift, por edhe sepse është “shumë e interesuar për biznesin me kontinentin afrikan”. Por, sigurisht, kjo gjë nuk është në shijet e anëtarëve të rinj që i janë bashkuar grupit, veçanërisht të Arabisë Saudite që jeton me petrodollarët. “Nuk është synimi ynë vetëm një alternativë ndaj Swift”, në fakt, saktësoi ministri afrikano-jugor, “do të jetë një sistem pagese që do të lehtësojë një përdorim më të thellë të monedhave vendase”.
Krijimi i një monedhe të përbashkët Brics, apo i nje Banke Qëndrore të tyre, mbetet ende një ide se sa një nismë konkrete me konsensus të të gjithë anëtarëve. Në këtë Samit, kjo çështje nuk ishte pjesë e agjendës, por pjesë e ideve dhe shkëmbimit të mendimeve. Kjo u dëshmua edhe nga fakti që Godongwana Ministri i Financave te Afrikës se Jugut pranoi se çështja është shumë komplekse dhe do të kërkojë shumë punë.
“Duhet të kesh një bankë qendrore,” tha ai, duke shtuar se për të krijuar një sistem anti-dollar “duhet të humbasësh pavarësinë në aspektin e politikës monetare. Është një sfidë e rëndësishme, që do të nënkuptonte, në rastin tonë, implikime të rëndësishme kushtetuese”. Pasuria e lëndëve të para të Afrikës së Jugut, e vlerësuar në dollarë, nuk e lehtëson këtë operacion. Askush nga vendet pjesëmarrëse, përtej propagandës, nuk kishte në mendje të krijonte një monedhë si dollari ose euro. Objektivi u ndërpre para se të lindte sepse u konsiderua tepër ambicioz në këtë moment, por një monedhë llogarie si Ecu e përdorur në Evropë në vitet paraardhëse mbeti ende një opsion në tavolinë. Por të gjitha këto zhvillime shtrojnë pyetjen:
A do të ketë një Bretton Woods të ri?
Kjo është një pyetje që shumë e bëjnë, shumë e mendojnë por pak flasin. Kjo për faktin se nuk di asnjë se kush do të jetë në qendër të një BRETTON WOODS te ri. Do të jetë dollari, do të jetë Euro, ¿do të jenë të gjitha këto dhe do të dalë një para digjitale e garantuar nga të gjithë?
Përgjigje të saktë nuk ka por të gjithë bien dakord që do të ketë shumë shpejt një dollar, euro, jen apo uan digjital. Gjatë kohës së pandemisë Kina bëri prova të një uani digjital në pagesat për asistence sociale dhe të gjithë mbeten jo vetëm shumë të kënaqur por dhe entuziast.
Përdorimi i lehtë, kostoja e ulët e transaksionit dhe mbi të gjitha siguria u përkrah nga të gjithë. Për Kinën ishte fillimi i një epoke të re. Sa afër aq edhe larg ideja e një Bretton Woodsi të ri. Kjo sepse ato (vendet BRICS) që kanë” ngritur krye ndaj shkëputjes nga dollari “, edhe pse përfaqësojnë një territor dhe popullsi të madhe, (42% të popullsisë së botës, 30% të territorit të saj,) ato kontribuojnë vetëm me 23% të PBB-se dhe 18% të tregtisë botërore.
Megjithatë, ndërmjet tyre, vendet BRICS realizojnë vetëm 6% të tregtisë totale. Sipas FMN, deri në vitin 2028, ato mund të përfaqësojnë një të tretën e ekonomisë botërore. Dhe ajo që është më e rëndësishme sot në ekonominë botërore rreth 60 % e tregtisë ndërkombëtare kryhet në dollarë amerikane dhe gati 40 % në euro (një pjesë e vogël bëhet në monedhat vendase).
Të gjithë pranojnë se roli i dollarit, pas daljes së euros, ka rënë disi në arenën ndërkombëtare, por s’duhet harruar dhe të gjithë e dinë që Sterlina humbi hegjemoninë e saj 2 shekuj pas ripozicionimit të Anglisë në tregun ndërkombëtar ndërsa Holanda humbi dominimin e saj 100 vjet pas krizës së tulipanëve. Të gjithë e dinë që diçka do të ndodhë por asnjë nuk e di se kur do të ndodhë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.