Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kanë nënshkruar në Shkup memorandum bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara për “Rrjetin e pastër” të gjeneratës së pestë të komunikimeve, 5G.
Memorandumi është nënshkruar veç e veç, mes zëvendës-Sekretarit amerikan të Shtetit për Ekonomi, Energji dhe Mjedis, Keith Krach, me kryeministrat e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Avdullah Hoti dhe Zoran Zaev.
“Rrjeti i pastër” 5G, sipas Departamentit të Shtetit, “është një rrugë komunikimi që nuk përdor asnjë pajisje transmetimi, kontrolli ose ruajtjeje nga shitësit jo të besueshëm të teknologjisë informative si Huawei dhe ZTE, të cilët janë nën kontrollin e Partisë Komuniste të Kinës”.
Lexoni: Shqipëria i bashkohet nismës së SHBA-ve për rrjete të sigurta 5G
Kryeministri Hoti e ka konsideruar këtë marrëveshje si hap të madh drejt rritjes së sigurisë në këtë fushë.
“Përmes kësaj Kosova merr edhe obligimet e veta shtetërore, për të qenë krah partnerëve tanë strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara në këtë fushë”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, autoritetet e Kosovës tashmë kanë marrë veprimet e duhura në Prishtinë lidhur me këtë çështje.
Zëvendës-Sekretari Krach, nënshkrimin e memorandumit, e ka vlerësuar si akt që dëshmon miqësinë e fuqishme mes dy shteteve, SHBA-së dhe Kosovës.
“Kosova është partner strategjik shumë i ndershëm dhe kjo ceremoni është dëshmi e fuqishme e miqësisë mes dy shteteve tona…Bota po zgjohet nga rreziqet e rrjeteve jo të besueshme dhe të rrezikshme. Deklarata jonë e përbashkët historike për ‘Rrjetin e pastër’ 5G e adreson rrezikun duke marrë parasysh kërcënimet për sigurinë nga rrjetet e ashtuquajtura 5G… 25 vende anëtare të NATO-së dhe 27 vende anëtare të BE-së janë pjesë e ‘Rrjetit të pastër’ 5G, por ka edhe shumë kompani e shtete tjera që e përdorin këtë rrjet. Ky është një rrjet shumë më tepër se 5G pasi mbulon çdo gjë. Është gjithëpërfshirës dhe lufton rreziqet mbi privatësinë e të dhënave, sigurinë dhe bashkëpunimin e besueshëm, që rrezikohet nga Partia Komuniste e Kinës”, ka deklaruar ai.
Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm nënshkrimin e këtij memorandumi, jo vetëm për sigurinë e vendit por edhe të rajonit.
“Maqedonia e Veriut si shtet kandidat për anëtarësim ne BE e ka për obligim që t’i harmonizojë politikat kombëtare për zhvillimin e komunikimeve elektronike me politika e BE-së si dhe me ato të partnerit tonë strategjik dhe aleat në NATO, SHBA-së. Ky memorandum është me rëndësi jetike për prosperitetin, sigurinë kombëtare dhe zhvillimin ekonomik”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.
Në marrëveshjen për normalizim ekonomik, të nënshkruar më 4 shtator në Uashington, nga Kosova dhe Serbia, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, dy vendet janë zotuar se do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës jo të besueshëm, në rrjetin e komunikimit.
Shtetet e Bashkuara janë duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huawei dhe rrjetin e saj 5G.
Uashingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe e përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar në emër të Qeverisë kineze. /REL
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.