Punë ka, por nuk ka profesionistë - Business Magazine Albania

Punë ka, por nuk ka profesionistë

Edhe ti edhe unë e dimë që shprehja “Punë ka, por nuk ka profesionistë” nuk është e vërtetë. 

Punë ka, por nuk ka profesionistë. Ishte kjo fjalia që në 2016, kur e tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori popullaritet të menjëhershëm. Kjo është fjalia që vazhdon e përdoret edhe sot, në 2020, nga shumë punëdhënës, për të justifikuar papunësinë në vend. Megjithatë, duke njohur realitetin e tregut të punës në vendin ku jetojmë, duhet thënë se nuk mund të bie plotësisht dakord me këtë fjali për arsyet e dhëna si më poshtë: 

Fillimisht, nuk mund të pretendohet që të ketë profesionistë në një vend në të cilin arsimi është kthyer në biznes, kur në fakt kategorizohet si e drejtë themelore e njeriut. Kjo është sita kryesore që shmang atë pjesë të shoqërisë që nuk i përballon dot kostot e arsimit. Por edhe pjesa që e superon këtë kriter selektimi mbetet e disfavorizuar. Përsa kohë arsimi është biznes, qëllimi kryesor është të maksimizojë fitimin, për këtë arsye nuk ka shumë rëndësi sesa prezent është individi gjatë kohës që përgatitet diploma (pra 3 vjeçari i studimeve) përsa kohë që është i rregullt me pagesat. Tani më thuaj ti, si mund të nxjerrë në treg “profesionistë” një sistem i tillë? 

Së dyti, shumica e kompanive nuk shpallin aplikime për vende vakante pune. Kjo sepse ashtu si arsimi edhe vendi i punës hidhet në ankand dhe personi me ofertën më të majme e përfiton atë. Në rast të kundërt, punëdhënësit bëjnë një rivlerësim të të gjithë pjesëtarëve të trungut familjar. Këtu merren në konsideratë edhe marrëdhëniet mes tyre apo respekti në okazione familjare të rastit (qokat në dasma apo vaki) dhe pas kësaj analize të hollësishme bëhet një telefonatë nga e cila sigurohet një vend pune pa asnjë proces aplikimi apo konkursi paraprak. Por përsëri trumbetohet shprehja “Punë ka, por nuk ka profesionistë”. 

Së fundmi, nuk mund të mbaj gjuhën lidhur dhe të mos përmend pagat. Profesionistët, që kërkon tregu i punës, kanë investuar për vite të tëra për të poseduar aftësitë që i bëjnë ata aq të dëshirueshëm nga punëdhënësit dhe është e turpshme që ky investim të shpërblehet me paga qesharake që nuk justifikojnë një drekë apo darkë familjare në fundjavë. Si çdo gjë tjetër edhe kjo do të zgjidhej duke e importuar nga shtetet fqinje, meqë nuk e prodhojmë dot vetë. Por të gjithë ne jemi koshientë se profesionistët e huaj kanë standarde të tjera nga vendasit (referuar pagave, kushteve të punës, etj). Për më tepër, ky shërbim (puna e profesionistëve) është diçka që ne e kemi në dorë për ta ofruar dhe për ta përmirësuar nëse shpërblehet si duhet. 

Ndjej nevojën për ta mbyllur ashtu si gjithçka nisi, me një shprehje që thotë: “Nëse më paguan sa do ti, atëherë puna bëhet si dua unë. Por nëse më paguan si dua unë, atëherë puna bëhet si do ti.” Mendoj që është më mirë të përdorim këtë shprehje nga tani e tutje, sesa shprehjen virale, por të pavërtetë të 2016. 

 

Artikull nga Megi Nika – Kontribuese pranë Business Mag Albania
(Opinionet dhe mendimet e reflektuara nga kontribuesit nuk reflektojnë domosdoshmërisht orientimin e redaksisë)

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0