Për shkak të pandemisë po flitet gjithnjë e më shumë për punën online. Ndoshta në mënyrë të sforcuar, por gjatë muajve të fundit ishin të shumta kompanitë të cilat u përpoqën ta orientonin komunikimin me nëpunësit e tyre drejt punës në distancë, si dhe ishin të shumta kompanitë që shërbimet e tyre i kaluan online.
Për të mësuar më shumë rreth funksionimit të punës në distancë, ne kemi zhvilluar një intervistë me Roden Pajaj, Drejtor i Departamentit të Shërbimeve të Konsulencës për Kapitalin Njerëzor në Deloitte, për Shqipërinë dhe Kosovën.
Pandemia shërbeu si një nxitës për punësimin në distancë pasi kjo ishte e vetmja zgjidhje për kompanitë që të kishin vazhdimësi. Telepuna njihet nga legjislacioni shqiptar që nga viti 2016 ndaj dhe disa kompani e kanë patur pjesë të mënyrës së paketës së tyre. Gjithashtu ka edhe kompani që kanë plane vazhdimësie biznesi në raste krizash të cilat përgatiten më parë. Këto kompani e kanë patur shumë më të thjeshtë adaptimin me situatën e krijuar.
Pse nuk janë adoptuar më parë këto forma të punuarit në distancë?
Të punuarit online nuk ka qënë shumë familjare pasi paradigma se prezenca në punë jep produktivitet dhe puna në distancë ul produktivitetin ka ekzistuar në komunitetin e biznesit. Kriza në këtë rast tregoi që mund të kryhet puna në distancë dhe të jetë shumë efiçente.
Në pikun e krizës Deloitte Albania ka kryer një vrojtim nga data 24 Mars -10 Prill dhe rezultoi se 50% e kompanive kishin punuar pjesërisht online dhe pjesërisht në zyrë ndërsa 1/3 e pjesëmarrësve kishin punuar totalisht online, ku ishin kryesisht kompani shërbimesh financiare, shërbimesh dhe shitjesh.
Por a mundemi të kalojmë të gjithë punën online dhe të mbajmë të njëjtin ritëm?
Në tregun imobiliar në Shqipëri është vërejtur një ulje e kërkesës për ambjente zyre dhe kjo tregon që kompanitë po fokusohen dalëngadalë në punën në distancë.
Ka shumë parametra që duhen marr parasysh në të punuarin në distancë. E para është kultura e punës. E dyta është mënyra e komunikimit dhe aftësia e menaxhimit për të monitoruar punonjësit/anëtarët e skuadrës, ruajtja e informacionit dhe matja e performancës së punës, cila platformë ofron më shumë siguri informacioni dhe lidhet edhe me nivelin e automatizimit të proçeseve të tjera të punës, dhe funksionalitetet që ofron teknologjia që zgjedh.
Së treti gadishmëria e anëtarëve të skuadrës për të punuar në distancë dhe mbajtja e kontakteve dhe marrëdhënieve të tyre. Kompania duhet të vendos se cilat mjete digjitale ose online janë më të përshtatshme nga pikëpamja e sigurisë së informacionit por nga ana tjetër edhe me kë mjet ndjehet më komod skuadra për të bashkëpunuar, kush ofron më shumë fuksionalitete dhe a e bën punën në distancë më të thjeshtë.
A mund të adoptohet çdo lloj platforme online nga kompanitë dhe institucionet shtetërore?
Zgjedhja e platformës varet nga vetë kompanitë, e para është kush ofron më shumë siguri informacioni. Kompania duhet të vlerësojë se cila prej këtyre teknologjive ofron mënyrën më të sigurtë të rujtjes së të dhënave personale të klientëve të tyre, ruajtjen e inteligjencës idustriale të kompanisë etj.
Së dyti, cila platformë ofron nivelin më të mirë të atomatizimit të proçeseve të tjera të punës dhe funksionalitetet që ofron teknologjia që zgjedh për të thjeshtuar sa më shumë punën në distance, si psh, ruajtjen e dokumentacionit dhe punën me skuadrën.
A mund të arrihet monitorimi i punës nëpërmjet këtyre platformave?
Kompanitë duhet të ndjekin një strukturë për menaxhimin e situatës në raste krizash. Shumë prej kompanive nuk kanë patur plane konkrete të parashikimit të punës në raste krizash pasi jo çdo krizë mund të parashikohet ndaj dhe janë gjendur të papërgatitura.
Në të tilla plane për vazhdimësinë e biznesit duhet të parashikohen dhe cështjet e monitorimit, qoftë në matjen e performancës së punës por edhe në ruajtjen e informacionit dhe kjo lidhet me menaxhimin e performancës për secilin punonjës dhe për të tërë kompaninë.
Duhet analizuar mënyra e organizimit të kompanisë që nga ana e proçeseve, roleve dhe kuadri vendimarrës për përshtatje me punën online, kush merr vendimet tashmë, si ndahet informacioni, kush është përgjegjës etj,etj. Duhet një analizë e forcave kritike të punës: Cilët mund të punojnë përkohësisht ose në mënyrë të përhershme nga distanca dhe cilët duhet të jenë patjetër në zyrë. Duhet infrastruktura e nevojshme që këto forca kritike pune të vazhdojnë normalisht punën në distancë.
Cilat janë profesionet të cilat po përshtaten më mirë me punësimin online?
Sektori i shërbimeve i cili lidhet me teknologjine e informacionit dhe komunikacionit, shërbimet dhe bizneset të cilët nuk e kane të domosdoshëm prezencën në vendin e punës. Tashmë shumë biznese janë fokusuar në shërbimet dhe marrëdhëniet me klientët e tyre që japin pas tregtimit të produkteve.
A pritet që punësimi në distancë të ndryshojë marrëdhënien punëmarrës-punëdhënës?
Kjo kërkon një qasje të re udhëheqjeje dhe mënyrë të re menaxhimi të punonjësve. Inteligjenca emocionale ka fituar një rëndësi të madhe tashmë në botë, mbajtja e kontakteve të vazhdueshme me anëtarët e skuadrës, jo vetëm për punë por edhe komunikime shoqëror dhe gjithashtu edhe ndarja e informacionit brenda skuadrës ku secili të jetë i informuar mirë për punën e kolegut.
Sfida kryesore e kompanive ka qene monitorimi i performancës dhe këtu kërkohet një qasje e re për të trajnuar stafin edhe gjatë proçesit të vlerësimit të performancës dhe monitorimi në mënyrë të vazhdueshme duke komunikuar me punonjësin.
Ka shumë kompani ende sot të cilat duan të avancojnë në punën online, nga duhet t`ia nisin?
Fillimisht duhet bërë një analizë e spektrit organizativ të kompanisë, duke filluar nga ndarja e roleve dhe përgjegjësive dhe më pas infrastruktura teknologjike dhe niveli i maturitetit të automatizimit të proçeseve. Gjithashtu duhet bërë indentifikimi i roleve të punës, cilët anëtarë të stafit mund të punojnë në distancë, si dhe duhet bërë identifikimi i roleve kritike në strukturën e kompanisë.
Kompanitë sot duhet ta shfrytëzojnë krizën dhe të përshtaten me mënyrën e re të të bërit biznes pasi po hyjmë në një normalitet të ri. Në këtë situatë është e domosdoshme të merren masa në mënyrë që të jemi të përgatitur në të ardhmen për të përballlluar çfarëdolloj krize.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.