Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (AMA), ka bërë të ditur se institucionet e mikrofinancës janë angazhuar për të mbështetur biznese të vogla, fermerëve dhe familjeve shqiptare, të ardhurat e të cilëve janë prekur nga kufizimet e aktivitetit ekonomik që po kalon vendi. Shoqata thekson se ato po ofrojnë lehtësi të shumta për të mundësuar rikthimin në normalitet të aktivitetit të bizneseve dhe aktivizimin e konsumit për familjet shqiptare.
Pas Moratoriumit të Kredive, të mandatuar nga Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë, për shtyrjen e ripagimeve të kredive, institucionet e mikrofinancës kanë shqyrtuar mbi 31 mijë kërkesa për shtyrje. “Deri në këtë moment, janë miratuar dhe procesuar 26,129 aplikime, nga të cilat rreth 18 mijë janë kredi për individë dhe 8 mijë kredi për biznese. Totali i portofolit të kredive të riskeduluara, sipas datës 30 prill 2020 është 7.87 miliardë lekë ose rreth 63.5 milionë Euro dhe përbën rreth 28% të portofolit total të kredive”.
Kjo është një situatë e vështirë dhe e paprecedentë që konfirmohet nga rënia e konsumit, paraliza e bizneseve, zgjerimi i vonesave në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, ulja e pagave dhe të ardhurave familjare për dhjetëra mijëra biznese, fermere e familje shqiptare.
Sipas Shoqatës së Mikrofinancës, kriza aktuale po impakton kryesisht ato biznese të vogla e fermerë të cilët nuk kanë fonde rezerve, kapacitete stoku, apo burime të mjaftueshme menaxhimi për t’u përballur të vetëm me mungesën e të ardhurave si pasojë e kufizimit të aktivitetit ekonomik të tyre në kontekstin e pandemisë Covid19. Këto biznese e fermerë, për shkak të karakteristikave të tyre, nuk financohen në kushte normale nga sektori bankar dhe janë aktualisht të përjashtuar nga aksesi në financë për shkak të ndrydhjes së financimit bankar.
Mikrofinanca shqiptare, me një aktivitet mbi 25 vjeçar, mbetet e vetmja alternativë financimi për këto biznese e fermerë. Sipas përfaqësuesve të mikrofinancës, “mospërfshirja e bizneseve të vogla, individëve dhe bujqësisë në fondin e garancisë, kushtëzon disbursimin e financimeve të reja për këto biznese e fermerë dhe rrjedhimisht dëmton në mënyrë të ndjeshme ekonominë e vendit, duke paralizuar përfituesit fundorë të zinxhirit të furnizimit, familjet, fermerët dhe sipërmarrjen e vogël, që janë shtylla kurrizore e ekonomisë së vendit tonë”.
Megjithatë, institucionet e mikrofinancës po mbështesin me financime të reja, duke theksuar se, “shpresojnë që Qeveria Shqiptare do t’i përfshijë në skemat dhe instrumentat financiarë që deri më sot janë rënë dakord vetëm me sistemin bankar, për t’i dhënë një frymëmarrje të re mbështetjes së biznesit shqiptar dhe sfidave që ai po kalon në këto muaj të vështirë”.
Lexo: Dita Europiane e Mikrofinacës, në mbështetje të sipërmarrësve të së nesërmes
Dera e aksesit në financë për individët, biznesin e vogël dhe fermerin shqiptar duhet të mbetet me çdo kusht e hapur në këto kohë sfidash për ekonominë e vendit. Kushtëzimi i tyre nga fondi i garancisë duke i orientuar vetëm drejt ofertës bankare, përfaqëson një kufizim të aksesit në financë. Sipas shoqatës “Mos konsiderimi i institucioneve mikrofinanciare në këtë instrument të shtetit shqiptar, përpos kufizimit të financimit për biznesin e vogël dhe fermerin shqiptar, mund të impaktojë edhe konkurrencën e drejtë në kredidhënie mes bankave dhe institucioneve të mikrofinancës, duke i vendosur të parat në një pozicion më të favorshëm dhe duke krijuar për pasojë një shtrëmbërim të pajustifikuar të tregut”.
- Biznesi i vogël, fermeri dhe po ashtu familja shqipare, kanë nevojë t’u garantohet aksesi në financime të lehtësuara në mënyrë që të lehtësohet rimëkëmbja e ekonomisë së vendit;
- Sektori i mikrofinancës ka mbështetur mbi 26 mijë individë, sipërmarrës e fermerë, duke u shtyrë këstet e kredive, konform udhëzimit të Bankës së Shqipërisë dhe të Qeverisë Shqiptare për periudhën që po lëmë pas;
- Produktet e adaptuara të mikrofinancës mundësojnë që dera e aksesit në financë të mbetet e hapur për mijëra sipërmarrës të vegjël shqiptarë të cilët nuk financohen nga sektori bankar në kushte normale, e aq më pak në kushtet ekonomike që po kalon vendi;
- Mikrofinanca mundëson një shpërndarje kapilare të çdo financimi drejt territoreve më rurale apo komuniteteve më të përjashtuara të vendit, që nuk shërbehen nga sektori bankar për shkak të vlerave të ulëta, largësisë gjeografike apo mungesave në dokumentacion.
Rreth Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare
Shoqata Mikrofinanca Shqiptare është një organizatë sektoriale e themeluar në vitin 2006, e cila bashkon institucionet mikrofinanciare më të rëndësishme në vend. Me një total asetesh prej më shumë se 37.5 miliardë lek (rreth 300 milion euro), Shoqata përmbledh 248,800 klientë (individë, fermerë e sipërmarrës të vegjël).
Institucionet anëtare të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare janë kthyer në promotore të zhvillimit ekonomiko-social dhe në aktorë të edukimit financiar të sipërmarrjeve private, agro-biznesit dhe individëve. Anëtarët aktualë të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare janë Agro&Social Fund, Crimson Finance Fund Albania, Fondi Besa, Fed Invest SHKK, IuteCredit Albania, Kredo.Al , NOA sha, UniFin SHKK.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.