Anila Bashllari, trajnere
Zakonisht jemi mësuar që t’i përgjigjemi me Po shumë mundësive që na vijnë njëherësh. Nisur nga parimi “Duke bërë ‘më shumë’ maksimizojmë potencialin tonë”, ne luftojmë të kemi një vend pune më të mirë, më shumë përgjegjësi dhe kështu më shumë para. Të gjithë duam më shumë…
Rezultati? Gradualisht humbasim vrullin, vullnetin dhe dëshirën për të bërë ‘më shumë’. Konsumohemi pa e kuptuar. Dita ka vetëm 24 orë dhe ne na duhet të mbajmë në harmoni 3 shtyllat kryesore puna – familja – jeta sociale.
A mund t’ja dalim? A është e mundur? Teorikisht duket e mundur por në praktikë është e vështirë. Sidoqoftë ka diçka që ne mund të bëjmë për të zbehur këtë ngarkesë. Të menaxhojmë kohën.
Menaxhimi i kohës duket si një qëllim që i vendosim vetes ose më saktë, ajo çfarë duam të bëjmë përfshin dëshira të shumta që konvertohen në qëllime dhe situata të caktuara.
Si kundërshtarja jonë e përhershme, koha vrapon pa ndalim dhe është gjithmonë e përpiktë. Ndërkohë ne? Ne biem pre e lëmshit të rutinës.
Koha është e mbi pushtetshme dhe na përthith në vorteksin e saj çdo sekondë duke na detyruar të ndihemi keq që nuk ia dalim të jemi në kohën e duhur, në vendin e caktuar dhe me qëllime të përmbushura.
Pjesën më të madhe të ditës ne e kalojmë në ambjentet e punës duke u stresuar se çfarë duhet të arrijmë por që në fund të ditës ndodhemi përpara pyetjes : Cfarë bëra unë sot? Nuk e kuptoj se si më iku dita kështu…”
Koha fluturon shpejt atëherë kur kemi për të realizuar objektiva, detyra, projekte apo përgjegjësi të caktuara, por ne duhet të mësojmë të përshtatemi , të bashkëjetojmë dhe të ecim krah kohës që na është vënë në dispozicion. Menaxhimi i kohës në punë është një mit më vete.
Më poshtë dotë ndaj me ju disa “teknika” të thjeshta por efektive se si të arrini të maksimizoni veten tuaj në punë dhe si pasojë, kohën tuaj
Së pari, kujdesuni për vendin tuaj të punës duke e bërë atë një mjedis të dashur për ju. Kjo do ju motivojë dhe do të jeni më produktivë. Sistemoni tavolinën tuaj, kutinë e mesazheve, listën e detyrave, dosjet dhe sigurisht “zhvishni” veten tuaj nga problemet apo detyrat e jetës personale. Një hapësirë, një mendje dhe zemër e pastër lehtëson punën tuaj.
Së dyti, filloni të planifikoni punët e ditës në mëngjes ose një mbrëmje më parë. Krijoni stilin tuaj të punës, i cili ju bën të ndiheni mirë dhe produktivë. Kështu do ta keni shumë më të lehtë të mendoni për orën dhe të jeni më mirë të organizuar me axhendën tuaj ditore dhe jo vetëm. Ju sugjeroj që të mbani gjithmonë një axhendë/bllok pranë për të shënuar gjithçka. Më pas këto planifikime ndiqini dhe kthejini në realitet, pasi vetëm kështu puna juaj do të jetë më e thjeshtë, më e planifikuar dhe e organizuar. Mos harroni të kontrolloni shënimet para se të largoheni nga ambjenti i punës. Ndodh të keni harruar diçka.
Së treti, ajo që shumë trajnierë sugjerojnë është renditja e objektivave ditore në zgjidhje ose zhvillim sipas përparësisë së nevojave të punës. Përafrojini ato me kërkesat dhe qëllimet që ju i vendosni vizionit tuaj. Kujtoni gjithmonë që çdo objektiv që duhet të zhvilloni ka rëndësinë e e tij dhe kërkon përkushtimin tuaj të plotë. Në vartësi të punës që bëni krijoni një vijueshmëri të cilën duhet ta ndiqni çdo ditë. Mund ta organizoni ditën me orë : “Në orën 9 – Kontrollo mesazhet në email.”
Së katërti, mos e konsideroni kurrë punën tuaj si një garë. Puna është punë! Mos provoni të jeni shumë të shpejtë, sesa të jeni më shumë efektivë dhe të zhvilloni një punë të kënaqshme, produktive dhe mbi të gjitha cilësore. “Më mirë është të ndërtoni një kala të fortë ngadalë sesa një mur të dobët me shpejtësi”.
Së pesti, zhvilloni sa më shumë instiktin e përfundimit . Pra, mësojeni veten tuaj me zakonin e marrjeve të detyrave dhe përfundimin e tyre në afatin e caktuar. Mos ngurroni të përfundoni gjithçka që merrni në zotim pavarësisht vështirësive që ju dalin përballë.
Së gjashti, mësoni se shumica e njerëzve priren që në punë së pari të merren me problemet apo detyrat e vogla dhe më pas me ato të mëdha: mos bini pre e këtij kurthi mbytës. Vendosini vetes tuaj prioritete dhe afate. Në fillimin e ditës së punës vëmendja dhe përqendrimi juaj është shumë më i lartë, ndaj mund të merren me punët që mund të jenë më të vështira.
Së fundmi, përgatituni për aktivitetet e paplanifikuara. Të organizosh ditën ose javën është më e thjeshtë kur thuhet sesa kur bëhet. Nuk mund të shmangim surprizat që mund të ndodhin atëherë kur nuk i presim. Ajo që mund të bëni është të përgatiteni për të papriturat.
Kujtoni që koha juaj merr trajtën që ju i dhuroni apo pamjen që ju i vishni. Trajtojeni kohën tuaj në mënyrë unike, respektojeni atë, mos u sillni negativisht me të. Mësoni të jetoni me kohën tuaj dhe kështu ajo do të “mësojë” të jetë e dashur dhe jo shtrënguese ndaj jush. Mos harroni që koha është thesari më i çmuar dhe i paprekshëm që zotëron secili prej nesh…por nga ne fitues i kohës është ai që i njeh limitet e vetes dhe nuk harron që koha është gjithçka për të!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.