Deri më sot nuk mbaj mend një rast ku ai/ajo që e ka thënë këtë të mos ketë vazhduar me një fjalim konsiderueshëm të gjatë, me hapje e mbyllje thonjëzash, e me nën-renditje mendimesh. Në kokë ke vetëm një mendim “Do kishim mbaruar deri tani po t’i kishim rënë gjatë.”
Mbledhjet, takimet, diskutimet në botën e korporatave, institucioneve apo biznesit janë të mbushura me shkurtime që janë më të gjata se versioni origjinal e fjali apo fraza politikisht korrekte që thuhen sepse nuk mund të thuash atë që mendon vërtetë.
“Unë mendoj kështu, por jam i/e hapur për diskutim.”
E vërteta?!
“Unë mendoj që kam shumë të drejtë, gjithashtu gjithë pjesa tjetër e botës mendon si unë, vetëm ju që jeni në këtë tryezë mendoni ndryshe dhe duhet të filloni të mendoni si unë. Çdo mendim që do jetë i ndryshëm nga mendimi im, do ta kundërshtoj.”
Nëse vërtet jeni të hapur për diskutim, duhet të dëgjoni dhe reflektoni mbi ato që ju thuhen. Të flasësh e të presësh që të gjithë të tundin kokat në shenjë aprovimi është tregues shumë dëshpërues për ata që keni zgjedhur të mbani rreth vetes. Mund të jenë individë që nuk kanë mendime ose janë të lumtur kur nuk mendojnë.
Të lexosh është në modë!
Kujtoj ditët e gjimnazit kur mësonim lëndën e filozofisë dhe me “mësim” nënkuptoj që dikush thoshte përmendësh shprehjen e një filozofi dhe të tjerët bënin sikur e kuptonin. Ishte shumë interesante asokohe, nuk është më. Tani që jemi plotësisht të rritur, të përfshirë në kaosin e përditshmërisë, nuk ka më kuptim të themi atë që kemi lexuar një ditë më parë. Çfarë duam të tregojmë? Që arrijmë të mbajmë mend një fjali ditën e nesërme? Që dimë të lexojmë?
Pavarësisht sesa e çuditshme apo e rrallë mund të duket kjo si dukuri, leximi duhet tëje të normë dhe jo diçka për të cilën të mburremi. Nëse të ka pëlqyer aq shumë shprehja e atij super sipërmarrësit apo gjeniut kreativ, mos e hidh vend e pa vend nëpër statuse, takime e mbledhje, fillo zbatoje në jetën tënde në mënyrë që ajo ç’ka je në të vërtetë t’i ngjajnë sadopak imazhit që do t’i shesës të tjerëve për veten.
“Urime për emisionin!”
Sigurisht, nëse ka një emision është mirë të urosh edhe për ekzistencën e tij, por ndonjëherë gjendesh në një vorbull eventesh, takimesh organizuar nga njerëz shumë të suksesshëm, workshop-esh me të ftuar të huaj (që meqë janë të tillë duken më interesantë) dhe në ngjarje të tilla të gjithë urojnë njeri-tjetrin për eventin, organizimin, punën e palodhur etj.
E natyrisht edhe ti nëse do jesh i ftuar të flasësh do bësh falenderimet e rastit. Në fund, shpesh herë, e vetmja gjë që ngelet prej gjithë organizimit janë falenderimet dhe prezantimet që secili bën për të përshkruar sa e suksesshme është kompania X apo Y, apo sa inovativ institucioni Z dhe kaq. Asgjë e prekshme, asnjë demostrim real apo show mbi teknologjinë që përshkruhet me fjalë poetike, asnjë grimcë që të të japë idenë se ku janë bazuar konkretisht ato vizione marramendëse. “Urime për emisionin” ndonjëherë është vetë emisioni.
“A keni 35 minuta kohë t’ju flas për milingonat?”
Në një barcaletë të famshme thuhet se një nxënës në lëndën e biologjisë kishte mësuar vetëm temën rreth milingonave. Në provim për fat të keq i rastisi një pyetje mbi luanin dhe ç’të bënte? Shkroi “Luani lind, rritet e vdes. Kur vdes e hanë milingonat. Milingonat ndahen në …” e kështu shprehu të gjithë dijen mbi milingonat.
Në sa e sa raste fillon diskutimi mbi “luanin” dhe është gjithnjë dikush që gjen hapësirën të flasë për “milingonat”. Një personazh të tillë e ke hasur doemos në një nga tryezat e shumta të takimeve, ku pavarësisht temës dhe entuziazmit për t’u fokusuar në një çështje, është dikush që ka ardhur aty vetëm për të treguar njohuritë vetjake, ka apo s’ka lidhje kjo me çështjen.
Reagimi ndaj situatës? Sigurisht që të gjithë do thonë se informacioni qe mjaft interesant, se ai do të përdoret në funksion të çështjes së folur, të gjithë e falenderojnë folësin për ndërhyrjen aq “të volitshme” dhe ndërkohë të gjithë kanë humbur kohën, fokusin dhe entuziazmin dedikuar çështjes kryesore.
Zgjidhja?
Mos e vrisni luanin!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.